Pse dështoi PDK në Drenas?

Aktuale

Pse dështoi PDK në Drenas?

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 00:51
Ilustrim

Që prej se mbahen zgjedhjet në Kosovën e pasluftës, Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur Drenasin një prej çerdheve të saj, ku ka fituar shumicën absolute të votave.

Por, kjo praktikë u ndërpre sot, kur ky subjekt nuk arriti të fitojë votat e nevojshme në rrethin e parë për të udhëhequr me këtë komunë, që është një nga bastionet e saj partiake.

Mbetet të shihet se cili do të jetë rezultati që do të korrë ky subjekt më 1 janar, kur kandidati i tij, Ramiz Lladrovci, dhe ai i NISMA's, Isa Xhemajlaj, do të përballen në balotazh.

Sidoqoftë, rezultati i sotëm i PDK'së flet për ndëshkim, pasi për Lladrovcin kanë votuar rreth 4 mijë votues më pak sesa për ish-Kryetarin e komunës, Nexhat Demaku, i cili u bë shkaktar i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi Gjykata e dënoi për krime lufte.

Zyrtarët e PDK'së, që kanë dalë të flasin para mediave për rezultatin e sotëm, dukshëm kanë shfaqur frustrimin e tyre, duke theksuar se në balotazh do t'i kthejnë votat e humbura. 

Arsyet që Drenasi po e braktisë PDK'në mund të jenë të shumta: qeverisja e gjatë me këtë komunë; përçarjet në degën e atjeshme rreth kandidatit; mospërfshirja direkte e Hashim Thaçit në fushatë.

Por, në secilën mënyrë, rezultati i sotëm çon një mesazh për këtë Parti: Drenica ka filluar  t'ju rrëshqasë nga duart.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat