Veteranët e UÇK-së, viktimë e PDK-së!

Aktuale

Veteranët e UÇK-së, viktimë e PDK-së!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 dhjetor 2016 Në ora: 13:49
Ilustrim

Veteranët e UÇK -së janë viktima të politikës të cilët fatkeqësisht keqpërdoren nga partitë në pushtet, dhe më pas lihen mënjanë dhe të harruar nga ta. PDK-ja për shkak të përfitimeve elektorale po vazhdon edhe më tutje ta keqpërdor luftën e UÇK -së edhe 16 vjet në liri, ku nga zyra e ish kryeartit të PDK-së, tani president, Hashim Thaçi, shkon në qeveri kërkesa për shqyrtimin e 100 aplikacioneve të reja, lidhur me përcaktimin e statusit  të  dëshmorëve të kombit të UÇK-së,  të cilat kërkohet të trajtohen nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorëve të kombit, invalidëve dhe veteranëve , dhe pjesëtareve të internuarit të UÇK-së.

Xhevdet Qeriqi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës, ka pohuar se në vazhdimësi lufta e UÇK-së, është keqpërdorur nga politika, për qëllimet e tyre për të përfituar, dhe kjo po ndodh qysh prej përfundimit të luftës e deri me sot.

Sipas tij, në Kosovë është krijuar një praktik e secilit subjekt politik ku veteranët ftohen në tubime vetëm në kohë fushatash, pikërisht atëherë kur ju duhet vota e tyre, dhe menjëherë më pas harrohen.

“Mendoj se edhe në procesin e fundit të verifikimit të statusit të veteranit të UÇK-së nga ana e komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranit është keqpërdorur duke përfituar ketë status njerëz të cilët fare pa qenë në luftë sot po e gëzojnë statusin e veteranit vetëm pse janë të afërt me politikën. Një gjë tjetër e cila nuk po më pëlqen është se ne si veteran dhe si përfaqësues të shoqatave, nuk duhet të bëjmë dallime në kohë fushatash tek partitë politike shqiptarë, mendoj se ose duhet që tua hapim dyert secilit subjekt i cili shprehë dëshirë që të na vizitoj ose të merret vendim që të mos i hapim dyert asnjërit prej tyre, e jo të bëjmë dallime sepse kjo është e dëmshme për ne si veteranë”, ka thënë Qeriqi.

Sipas tij, veteranët e UÇK -së janë viktima të politikës sepse janë keqpërdorur nga partitë në pushtet dhe më pas janë harruar nga ta.

“Edhe pse jemi një kategori e cila kemi dhënë më së shumti që sot Kosova të jetë e lirë, megjithatë kjo kategori sot është kategoria më e nëpërkëmbur dhe e lënë anash nga institucionet e vendit. Ne nuk e kemi as një trajtim të dinjitetshëm, dhe krejt kjo çka është arritur për ne nuk është se është bërë nga vullneti politik, por është bërë nga presioni i veteranëve përmes protestave dhe formave të ndryshme të organizimit”, ka thënë Qeriqi.

Ai ka vlerësuar se asnjëra nga partitë politike nuk duhet të mburren se janë ato të cilat kanë bërë që veteranët ta gëzojnë një të drejt ligjore, sepse më së paku për këtë duhet të mburren partitë ne pushtet.

“Veteranet mendoj se duhet të jenë të vetëdijshëm dhe ta kuptojnë se të drejtat e tyre i arritën përmes presionit jo se kishte një vullnet nga ana e qeveritareve. Ne jemi dëshmitar që kishte shumë premtime gjatë këtyre 17 viteve pas luftës por që nuk kishte asnjë veprim nga qeveritarët që të merren ndonjë vendim që do tua përmirësonte jetën kësaj kategorie. Bllokimi i rrugëve grevat dhe protestat ishin ato që i detyruan këta qeveritar që ta nxjerrin një ligj për ketë kategori”, ka thënë Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës Xhevdet Qeriqi.

Blerim Burjani, njohës i çështjeve politike ka pohuar se statusi i veteranit duhet të shtjellohet me kujdes dhe duhet realisht të përfitojnë vetëm ata që edhe realisht ishin luftëtar. Ai ka pohuar se deri me tash ka pasur një vërshim të njerëzve për të fituar këtë status , që realisht ishte dashur të ketë kujdes në këtë  çështje.

“Bashkësia ndërkombëtare edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka tërheq vëmendjen për të pasur kujdes për shkak të buxhetit të madh i cili po shpenzohet çdo vit e më shumë me për plotë skema sociale dhe me krijim të skemave tjera. Duhet parë mundësitë buxhetore, sepse deri më tash ka pasur një fluks të kërkesave por sidoqoftë komisioni për shqyrtim të kërkesave, mund të jetë i përgjegjshëm për veprimet e bëra në këtë drejtim.”, ka thënë Burjani.

Zafir Berisha deputet nga Nisma ka deklaruar se lufta e UÇK nuk po keqpërdoret vetëm nga PDK-ja por edhe nga partitë tjera.

“Megjithatë shlirë mund të them se PDK është kampion në keqpërdorimin e çdo vlere edhe pse as partitë tjera nuk ia kanë lënë mangu”, ka thënë deputeti Berisha./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat