Hoxhaj minimizon dështimin e PDK-së, thotë se Drenasi mbetet bastion i saj

Aktuale

Hoxhaj minimizon dështimin e PDK-së, thotë se Drenasi mbetet bastion i saj

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 21:34
Enver Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka treguar se cilat elemente kanë çuar në balotazh zgjedhjet në Drenas.

Hoxhaj ka thënë se rezultati zgjedhor në Drenas nuk është indikator për rënien apo rritjen e një partie.

“Këto zgjedhje kanë qenë të jashtëzakonshme dhe si të tilla nuk mund të jenë indikator për rritjen apo rënien e një partie. Drenasi vazhdon të jetë bastion i PDK'së edhe pas këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Hoxhaj.

“Këto nuk kanë qenë zgjedhje të rregullta. Parametri i parë është karakteri i jashtëzakonshëm për shkak të dënimit të Nexhat Demakut. Së dyti nuk ka pasur atmosferë zgjedhore në Drenas. Elementi i tretë është se nga PDK ka qenë vetëm Ramiz Lladrovci, por ka pasur edhe të tjerë që kanë dalë nga shtabi i saj, qoftë, Elmi Thaçi, pastaj Bazaj dhe Xhavit Drenorit, si asamblist i PDK-së”, ka thënë Hoxhaj.

“Po ashtu, në këto zgjedhje lokale preferenca shkon përtej partisë, duke u marrë parasysh vendlindja dhe lidhja e gjakut”.

“Por, në këto zgjedhje do të duhej të merrni pjesë diku 200 veta për asamble komunale dhe zakonisht këta janë ata që tërheqin votat dhe ato vota shpesh përkthen për kryetar komune”.

“Nëse kemi parasysh këto pesë-gjashtë parametra si analizë, del se vota e PDK-së është e njëjta, elektorati është i qëndrueshëm për PDK-në dhe vota e balotazhi janë një episod i izoluar”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se “mendimi im është që votat për Lladrovcin nuk duhet të shihet si trend as lidhshmëri se ku e ka PDK-ja vendin në Drenas”.

Hoxhaj ka thënë për Klanin se PDK ka dashur që të përdor fushatën elektorale në Drenas, që të mobilizojë votuesit e saj për zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që të mbaheshin ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat