Thaçi: Malta do të kujdeset që BE-ja të mos e harrojë Kosovën

Aktuale

Thaçi: Malta do të kujdeset që BE-ja të mos e harrojë Kosovën

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 00:40
Hashim Thaçi në Maltë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se është inkurajuar nga zotimi i Maltës, që nga 1 janari 2017 merr kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, se “do të kujdeset që problemet që sot e preokupojnë BE-në, nuk do të vënë në hije Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “vizita ime në Maltë e konfirmoi edhe një herë këtë përcaktim tonin për këto vlera dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane”.

Postimi i plotë i Thaçit në Facebook:

“Malta dhe Kosova janë shtete të vogla, por me tradita dhe vlera të mëdha, si paqja e dialogu, toleranca dhe bashkëjetesa. Të dy vendet janë të përkushtuara në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.

Vizita ime në Maltë e konfirmoi edhe një herë këtë përcaktim tonin për këto vlera dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane.

Ishte kënaqësi të takoj të gjithë liderët politikë të Maltës, të cilët i falënderoj sinqerisht për mikpritjen dhe përkrahjen që kanë treguar gjithmonë për Kosovën: presidenten e Maltës, znj. Marie Louise Coleiro Preca, kryeministrin, z. Joseph Muscat, kryetarin e Parlamentit, z. Angelo Farrugia, liderin e opozitës, z. Simon Busuttil, si dhe ministrin e Jashtëm, George William Vella dhe ambasadorin jo-rezident, Godwin Pulis.

Me të gjithë u pajtuam për nevojën që të thellojmë bashkëpunimin në të gjithë sektorët dhe që në afat sa më të shpejtë të organizojmë takime të grupeve të ekspertëve që do të identifikojnë pikat ku mund të fillojmë të bashkëpunojmë menjëherë.

Nga 1 janari 2017, Malta merr kryesimin e Këshillit të BE-së. Prandaj, ishte inkurajuese të dëgjojmë se Malta do të kujdeset që problemet që sot e preokupojnë BE-në, nuk do të vejnë në hije Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Çdo vonesë e BE-së që t’i përgjigjet pozitivisht aspiratës sonë për integrim në BE paraqet kërcënim për të ardhmen e rajonit dhe më gjerë.

Në fund të vizitës së suksesshme, e falënderoj, në emrin tim personal, por edhe në emër të Kosovës, Republikën e Maltës për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga përfundimi i luftës e veçanërisht që nga shpallja e shtetit të Kosovës.

Është ky fillimi i një miqësie që do të zgjasë përgjithmonë. HTH”, ka shkruar Thaçi.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat