Thaçi, diplomatit të Jordanisë: Ndajmë vlera të njëjta me ju

Aktuale

Thaçi, diplomatit të Jordanisë: Ndajmë vlera të njëjta me ju

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 13:11
Presidenti Hashim Thaçi gjatë takimit me diplomatin e Jordanisë, Salahmeh Hammad

Presidenti Hashim Thaçi në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Salahmeh Hammad, ka theksuar se dy vendet ndajnë vlerat e njëjta, por edhe rreziqet e njëjta, të cilat janë të ndërlidhura me kërcënimet e grupeve terroriste

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurisë dhe për mundësinë e intensifikimit të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.

“Rreziqet e juaja janë rreziqet tona. Prandaj, bashkëpunimin tonë duhet ta shtrijmë në të gjitha nivelet e sigurisë”, ka theksuar presidenti.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Salameh Hammad, ka përcjellë përshëndetjet e Lartmadhërisë së Tij, mbretit Abdullah II.

Ai ka thënë se marrëdhëniet e mira ndërmjet mbretit Abudallah dhe presidentit Thaçi po reflektohen në marrëdhënie të mira ndërmjet dy shteteve në të gjitha nivelet institucionale.

Ministri Hammad ka theksuar se nga vizita në Kosovë kanë dalë shumë propozime konkrete për bashkëpunim ndërmjet të gjitha organeve të sigurisë.

Presidenti Thaçi ka falënderuar Jordaninë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në procesin e njohjes dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ministri Hammad, në emër të mbretit Abudallah II, ka ftuar presidentin Thaçi që ta vizitojë Jordaninë në fillim të vitit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat