Komisioni për peticione refuzon që më 13 dhjetor të mbahet seancë për Astrit Deharin

Aktuale

Komisioni për peticione refuzon që më 13 dhjetor të mbahet seancë për Astrit Deharin

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 16:54
Komisioni

Komisioni për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka shqyrtuar peticionin me nënshkrimet e qytetarëve për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Kryetarja e këtij Komisioni Lirie Kajtazi theksoi se është obligim që të shqyrtohet ky peticion më afër 24 mijë nënshkrime, por ajo duke lexuar vendimin e Kryesisë që seanca për rastin Dehari të mbahet më 13 dhjetor, bëri të ditur se në  këtë datë do të mungojnë disa deputetë pasi që do të udhëtojnë jashtë vendit.

Kajtazi: Data 13 dhjetor për ne është e pa përshtatshme

“Kryesia e Kuvendit dje ka trajtuar këtë çështje dhe ka ardhur në përfundimet, të cilat unë duhet që t’i prezantoj këtu para jush... Kryesia sipas rregullores së Kuvendit e ka shqyrtuar peticionin për ta trajtuar në një seancë të radhës krejt kjo duke kryer obligimin e vet kushtetues... por ajo që duhet ta trajtojë bashkë me ju këtu... na duhet me parë më saktë për shkak se si Komision e kemi vizitën studimore dhe jemi komplet në Suedi unë iu kisha pyetur juve për datën të cilën orientohet kryesia me 13 dhjetor për ne është e pa përshtatshme”, tha Kajtazi.

Ai tutje shtoi se nëse Kryesia sërish e sheh të rëndësishëm këtë debat  që të mbahet më 13 dhjetor, duhet anuluar udhëtimi për Suedi.  

Por,  Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje  kërkoi që debati të mbahet të premten e kësaj jave dhe sa më shpejt që është e mundshme.  Ai tha se ky debat çdo ditë e më tepër po vonohet.

Haskuka: Është detyrë e jonë me kërkuar prej kryesisë që me caktuar seancën sipas kërkesës së peticionit

“Unë kisha kërkuar këtu që të kërkohet nga Kryesia nëse mundet m’u caktua takimi në këtë javë. Nëse kërkesat e peticionit kanë qenë më urgjente se sa situata që po na paraqitet. Andaj, kërkoi që ndoshta edhe për nesër eventualisht pas nesër me caktuar një seancë plenare me një pikë të rendit të ditës dhe nuk kishim nevojë me diskutuar data të tjera të cilat i ka caktuar Kryesia. Ndaj, është detyrë e jonë me kërkuar prej kryesisë që me caktuar seancën me herët sipas kërkesës së peticionit”, tha Haskuka.

Por me shumicë votash u vendos që Kryesia edhe njëherë ta trajtojë çështjen e mbajtjes së seancës për një datë përshtatshme, ngase më 13 dhjetor disa deputet do të udhëtojnë në Suedi për një vizitë studimore.

Sipas Kajtazit mbajtja e seancës të premten është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se për këtë nevojiten 40 nënshkrime ose kjo duhet të ftohet nga presidenti ose kryeministri i vendit.

 Ajo tha se askush nuk do ta ndalë rrugën e kërkimit të drejtësisë, por që obligimet kushtetuese duhet të respektohen.

Ndërsa, anëtarja e Komisionit Salihe Mustafa nga radhët e PDK-së, tha se duhet të respektohen kriteret kushtetuese, dhe sipas saj, vizita studimore në Suedi është shumë me rëndësi, që do bëhet një hulumtim për një projektligj që ka të bëjë për fëmijët.

Mustafa: Vizita studimore në Suedi është me rëndësi që do të mbahet më 13 dhjetor

 “Ajo që u tha më 13 dhe 14 ne si Komision komplet nuk jemi këtu, por në vizitë studimore është shumë me rëndësi kjo vizitë. Andaj, ne po pajtohemi që posa të plotësohen kushtet jemi për. Është e vërtet se kemi dashur më herët,  kushtetutën na duhet me respektuar”, tha Mustafa.

Ndërsa, Teuta Haxhiu anëtare nga radhët e AAK-së tha se është shtyrë shumë ky debat dhe as një herë nuk është arrit të merret arsye e plotë pse të mos mbahet një seancë, ngase për këtë janë dhënë nënshkrimet.

Haxhiu: Deri pasnesër më së largu të mbahet një seancë parlamentare

 “Sot jemi para një peticioni me më shumë se 23 mijë nënshkrime të qytetarëve të cilat kanë kërkuar një datë para 2 dhjetorit, në fakt sot jemi më 7 dhjetor. Dhe mendimi im është që deri pasnesër më së largu të mbahet një seancë parlamentare”, tha Haxhiu.

Ndërsa, Shukrie Bytyqi nga Nisma, tha se VV duhet të punoj që t’i mbledh nënshkrimet për mbajtjen e një seance deri të premten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat