VV- elektoratit të saj në Drenas: Nëse dilni në votime, votojeni Isa Xhemajlaj

Aktuale

VV- elektoratit të saj në Drenas: Nëse dilni në votime, votojeni Isa Xhemajlaj

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 00:21
Ylli Hoxha

Lëvizja Vetëvendosje i është përgjigjur negativisht kryeministrit Isa Mustafa sa i përket thirrjes së tij për ta formuar një komision i cili do ta bëjë matjen e territorit të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LVV-së, Ylli Hoxha në emisionin “Kontakt” ka thënë se kryeministri ka filluar të bëhet shumë jo serioz në trajtimin e shumë prej çështjeve që janë detyrë e tij.

“Nuk është çështje matja e territorit. Çështje është marrëveshja e keqe që e kanë bërë dhe e ka pranuar ky kryeministër. Këtë marrëveshje nuk e ka ndërtuar ky, por e ka bërë paraardhësi i tij Hashim Thaçi dhe ky e ka pranuar si akt të kryer dhe ne tani duhet ta përpijmë. Kjo shoqëri qartazi ka treguar se nuk do ta pranoj marrëveshjen aktuale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për përcaktimin e vijës kufitare”, ka deklaruar Hoxha.

I pyetur për procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve në Drenas, Hoxha ka thënë se është shumë e rëndësishme që tani në ish bastionin e Partisë Demokratike të nis sinjali i rënies së klanit “Pronto”.

“Është shumë e rëndësishme që klani “Pronto” të delegjitimohet fillimisht në Drenas dhe Skenderaj. Ky është hapi i parë drejt çlirimit të Kosovës nga klani “Pronto” dhe është shumë e rëndësishme që kjo të filloj në Drenas dhe të përshfaqet në të gjitha komunat e vendit sepse ne përnjëmend kemi nevojë që PDK-në ta shohim në opozitë për t’i hapur rrugë një gjeneratë të re”, ka deklaruar Hoxha në “Kontakt”.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje nuk ka garuar por Hoxha thotë se nëse qytetarët do të marrin mundin të votojnë në raundin e dytë për kryetar të Drenasit, është mirë të votojnë ndryshimin.

I pyetur se a duhet votuar Isa Xhemajlaj i NISMA-s, Hoxha ka thënë se gjithsesi që duhet votuar ndryshimin, jo Lladrovcin dhe jo klanin “Pronto”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat