“Gjykata Speciale, goditja e fundit për PDK-në”

Aktuale

“Gjykata Speciale, goditja e fundit për PDK-në”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 dhjetor 2016 Në ora: 08:16
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë fushatës për zgjedhjet në Drenas

Rezultatet e 4 dhjetorit ku u mbajtën zgjedhjet për të parin e Drenasit, nuk e gëzuan Partinë Demokratike të Kosovës.

Edhe pse PDK-ja priste rezultat triumfues, kandidati i këtij subjekti politik, Ramiz Lladrovci do të përballet në balotazh me kandidatin e Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

Balotazhi në këtë komunë do të ndodhë për herë të parë që nga paslufta, pasi Drenasi çdoherë udhëhiqej nga PDK-ja, por këtë herë pësoi rënie.

Lidhur me këtë, kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se PDK-ja ka rënie dhe do të ketë edhe në të ardhmen nëse qeverisë më këtë mentalitet.

“Po dihet që ka rënie, nga 63 në 45, në Drenas ka një rënie. Nuk e di nëse do t’i vie fundi qeverisjes së PDK-së në Drenas, por e di që ka mjaft rënie dhe do të ketë ende, përderisa qeverisë me këtë mentalitet”, ka thënë Xhemajlaj.

Ndërsa, sa i përket goditjes që gjykata speciale mund t’i japë PDK-së, ai shprehet se kjo gjykatë do të jetë e kushtueshme për PDK-në.

 “ Për gjykatë speciale ende nuk dihet nuk i të akuzuarve, por sigurisht se do të jetë e kushtueshme edhe për PDK-në edhe për partitë tjera”.

Në anën tjetër, analisti politik Driton Tali, ka thënë për gazetën “Bota sot” se rezultati në Drenas ishte pasqyrim i të gjitha aferave ‘Pronto’.

“Rezultati ishte pasqyrim i ‘Pronto aferave’ të ndryshme dhe burgosjeve të njerëzve të fuqishëm të Drenicës, siç ishin z.Sami Lushtaku apo z.Azem Syla, etj, të cilët ishin grumbulles të votave për PDK-në në teren. Disa herë kam thënë që nga Maji i kaluar se zgjedhjet e parakohshme për PDK-në janë në interes jetik që të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse sa më shumë që zhagiten, PDK-ja do të humbasë më shumë vota. Kjo, për faktin se ajo është në pushtet një kohë të gjatë, gjatë të cilës pati afera të ndryshme korruptive dhe mospërmbushje të premtimeve të dhëna, por edhe dështime serioze.

Politike, siç ishin rinegociatat politike me Serbinë në gjashtë pika sipas planit të Ban Ki Moon-it, ku vlen të ceket fusnota, komunikacioni (targat dhe polisat e sigurimit), Zajednica, demarkacioni”, ka thënë Tali.

Tutje, ai shton edhe mundësinë e ‘goditjes’ nga gjykata speciale.

“Dhe, nëse kësaj ia shtojmë edhe burgosjet e përfolura që pritet t’i bëjë gjykata speciale, atëherë e ardhmja e PDK-së është e zymtë”, ka thënë Tali për Bota sot.

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën Bota sot, se zgjedhjet në Drenas ishin një test për Kadri Veselin dhe PDK-në dhe për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Deri para disa muajve askush nuk do të kishte besuar që PDK-së do t'i rrezikohej fitorja në bastionin e tyre kryesor Drenasin, që tradicionalisht kanë votuar këtë parti, madje edhe deri në 90 përqind të votave. Por, kjo çfarë ndodhi në Drenas është si rezultat i ''Pronto'' aferave të ndryshme dhe burgosjes së shumë vagabondëve të Drenicës. Dhe ky rezultat i zgjedhjeve të parakohshme lokale në Drenas, i cili çoi në balotazh PDK-në dhe ''Nismën për Kosovën'', mund të jetë vetëm fillimi i tatëpjetës së PDK-në.”, ka thënë Krasniqi.

Ai shton se goditja përfundimtare PDK-së mund t’i vije nga gjykata speciale.

“Goditjen përfundimtare kësaj partie mund t'i japë Gjykata Speciale, e cila që nga janari i vitit të ardhshëm pritet të funksionalizohet, sepse kjo Gjykatë ka mundësi të godasë disa nga kokat që kanë autoritet brenda PDK-së”, ka përfunduar analisti Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat