Muri në Mitrovicë, kufiri veri-jug që mund të nxit shpërthimin e konfliktit!

Aktuale

Muri në Mitrovicë, kufiri veri-jug që mund të nxit shpërthimin e konfliktit!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 9 dhjetor 2016 Në ora: 07:40
Muri në veri

Ndërtimi i murit në afërsi të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nga ana e Serbisë ka nxitur reagime të shumta. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nëpërmjet një komunikate për medie, ka shprehur kundërshtimin e ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës, duke kërkuar nga Qeveria të mos lejojnë më provokime të tilla, sepse situata është afër eskalimit.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që ta sqaroj opinionin publik se a është muri pjesë e marrëveshjes së dialogut dhe kërkojmë që muri të rrënohet sa më shpejt e mos të lejohen provokime të mëtutjeshme, sepse situata është afër eskalimit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së.

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se nuk sheh ndonjë indikacion të eskalimit të situatës në veri.

“Jo jo unë nuk shoh ndonjë indikacion, nuk ka kush ta rreziku situatën, sepse nuk ka qenë ndonjëherë  mirë në atë pjesë që tash po prishet”, ka thënë Berisha.

Berisha i ka quajtur deklarata të kota ato të OVL-UÇK-së për eskalim të situatës duke thënë se, është dashur qysh moti ta heqin murin.

“Deklaratë koti është kjo. Nuk ia vlen të komentohet një deklaratë e një organizata hajdutesh që nuk bëjnë gjë... Të ishin veteranë të UÇK-së përnjëmend këta moti është dashur t`a heqin atë murë, pasi qeveria e tyre nuk e heq. Po këta veç dinë të flasin për ndonjë rrogë, t`a hanë duke ndenjur këtë shtet se asgjë nuk bëjnë këta tipa. Këta janë OJQ e PDK-së dhe nuk ka gjë nga ta. Ata nuk duhet ta zënë hapësirën mediale me deklaratat e tyre”, ka thënë Berisha.

Muhamet Kelmendi, njohës i çështjeve juridike, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se situata në veri është keqësuar edhe më tepër pas bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Ai ka theksuar se tash po  vendoset edhe muri midis Mitrovicës që është edhe kufiri veri-jug.

“Situata në përgjithësi në Kosovë është shumë e rëndë. Ajo është keqësuar dukshëm në fushën ekonomike,  politike dhe të rendit e të sigurisë. Situata është keqësuar sidomos pas fillimit të bisedimeve gjoja me Serbinë në Bruksel. Duke e shndërruar Kosovën në tema të të gjitha diskutimeve, ka shkuar veriu, gradualisht duke u ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës. Atje u rehabilituan kriminelet dhe u shndërruan në policë me uniformë kosovare po me veprime kryesisht nën kontrollin e Beogradit. Kudo nëpër komuna u futën simbolet serbe. Askund nuk gjen as edhe një shenjë të shtetit të Kosovës. Po kështu u krijuan edhe organet dhe tash është në zhvillim ndërtimin i  shtetit serb. Po krijohet Asociacioni dhe tash po vendoset edhe muri midis Mitrovicës që është edhe kufiri veri-jug”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, situata e tillë ka nxehur shumë çështjen dhe rreziqet janë të mëdha dhe mund të ndodh të ketë edhe shpërthime.

“Po kjo mund të ndalet, nëse qeveria e Kosovës vepron dhe i ndal tëra bisedimet me Serbinë, duke kërkuar nga UE punë konkrete në disiplinimin e shtetit serb. Dhe natyrisht se është përgjegjës vet UE që po e lejon dhe po e stimulon qeverinë serbe në ndërtimin e këtij mini shteti, që është edhe rrezik për konflikte të reja në Ballkan. Natyrisht se OVL ka kapacitete të mjaftueshme dhe ka për detyrë inicimin dhe në mbrojtjen e vendit.  Po sa do të veprohet pritet të shihet. Nuk mendoj se do të veprohet në mjete të luftës.  Kjo për faktin se tërë gjendja po eskalon nën kontrollin e UE dhe ai e ka përgjegjësinë”,ka theksuar Kelmendi.

Ndërkaq, sipas analistit Faik Krasniqi, veriu i Kosovës prej pasluftës ka qenë pjesa më problematike e Kosovës. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë arritur  të shtrijnë kontrollin në pjesën më të ndjeshme të vendit, në veriun e Kosovës, edhe 17 vjet pas çlirimit të vendit dhe 8 vjet nga pavarësia.

“Edhe pse u deshtën të kalonin më shumë se 12 vite që të rivitalizohej ura mbi lumin Ibër, pas negociatave të shumta në Bruksel, mes palës shqiptare të Kosovës dhe palës serbe, pas disa ditëve filloi të ndërtohet një mur i ri. Prandaj, përgjegjësinë në rast të ndonjë eskalnimi e mban Qeveria e Kosovës, e cila nuk ishte në gjendje që përmes bisedimeve në Bruksel me palën serbe, e me ndërmjetësim të BE-së, të parandaloj ndërtimin e murit dhe evititimin e një konflikti të mundshëm. Qeveria e Kosovës ka dy opsione: T'i jap ultimatum serbëve përmes Brukselit zyrtar, që është garantuese e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ta ndërprejnë ndërtimin e murit”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo, sipas tij, në rast se Brukseli nuk ndërmerr masa që t'u bëjë presion serbëve për ta rrënuar atë mur, atëherë Qeveria e Kosovës jo vetëm që do duhej të jap urdhër për ta rrënuar atë mur, por do të duhej që menjëherë t'i ndërprejë bisedimet me Serbinë!

Ndryshe, mbrëmë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës ka marrë vendim  për të ndaluar kryerjen e punimeve të murit që është duke u ndërtuar në afërsi të urës së Ibrit në veri të Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat