Mogherini: Pabarazia dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, sfida në rritje në mbarë botën

Aktuale

Mogherini: Pabarazia dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, sfida në rritje në mbarë botën

Nga: Bota Sot Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 14:38
Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini

Nesër më 10 dhjetor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e tij anëtare festojnë Ditën e të Drejtave të Njeriut. Me këtë rast, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini në emër të Bashkimit Evropian, ka thënë se duke qenë se pabarazia dhe shkeljet e të drejtave të njeriut paraqesin sfida në rritje në mbarë botën dhe konflikti vazhdon në vende si Siria, është edhe më e rëndësishme që të shtohen përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e të gjithë njerëzve.

Ajo ka thënë se këtë vit, BE i bashkohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’u bërë thirrje njerëzve të ngrihen për të drejtat e dikujt.

“Secili prej nesh ka përgjegjësi individuale për t’u ngritur për këto të drejta. Ne mund të frymëzohemi nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut që përballen me guxim me trysninë në rritje dhe kërcënime në shumë vende. Bashkimi Evropian zgjedh t’i mbrojë ata dhe të promovojë hapësirën e shoqërisë civile. Zyrtarët e BE-së në të gjitha nivelet e bëjnë këtë duke u takuar me mbrojtësit e të drejtave të njeriut, duke monitoruar proceset e tyre gjyqësore, duke i vizituar ata në paraburgim, si dhe duke i ngritur çështjet e tyre para qeverive. Në vitin 2016 BE-ja u ka siguruar gjithashtu mbështetje financiare përmes Fondit të Emergjencave EIDHR më shumë se 250 mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe familjeve të tyre që janë në rrezik për shkak të punës së tyre të përditshme”, ka thënë Mogherini.

Mogherini ka theksuar se Bashkimi Evropian si i tërë do të vazhdojë të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një rendi botëror të bazuar në rregulla, me respekt për të drejtat e njeriut në zemër të tij. “Përfaqësuesi i Veçantë i BE-së për të Drejtat e Njeriut Stavros Lambrinidis po e ngre globalisht në mënyrë aktive profilin e politikës së BE-së për të drejtat e njeriut. Ndërkaq, delegacionet e BE-së po punojnë pa u lodhur për të mbrojtur të drejtat e njeriut në vendet pritëse. BE-ja mbetet një avokate e zëshme për të drejtat e njeriut në forume shumëpalëshe dhe i jep mbështetje të plotë sistemit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, çka është themelore për mbrojtjen e të drejtave universale të njeriut dhe monitorimin e zbatimit e tyre”, ka thënë ajo.

Vitin e ardhshëm, ka shtuar tutje përfaqësuesja e BE-së, Mogherini, BE-ja do të ndjekë vazhdimësinë e Strategjisë së re Globale për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, të prezantuar në qershor 2016, ku BE zotohet të nxis respektin për të drejtat e njeriut si brenda ashtu dhe jashtë BE-së.

“Kjo përfshin garantimin e nivelit më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për migrantët dhe refugjatët në gjithë masat e BE-së për migrim dhe zhvillim. Ne do të vlerësojmë gjithashtu progresin në Planin tonë ambicioz të Veprimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë për periudhën 2015-2019. Po ashtu, ne do të rinovojmë angazhimin tonë për të luftuar torturën dhe keqtrajtimin, si dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke rishikuar direktivat tona të BE-së dhe duke forcuar më tej ndikimin e politikave tona mbi këto çështje. Sot dhe çdo ditë të këtij viti BE-ja do të ngrihet për të drejtat e njeriut në mbarë botën dhe do t’i japë mbështetjen e vet të plotë çdo individi që bën të njëjtën gjë”, ka thënë ajo./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat