Vëllai i Presidentit Thaçi, Nazmiu, kërcënon policinë pasi kapet me armë në brez

Aktuale

Vëllai i Presidentit Thaçi, Nazmiu, kërcënon policinë pasi kapet me armë në brez

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 15:57
Presidenti Hashim Thaçi

Nazmi Thaçi, vëllai i Presidentit Thaçi, është kapur me armë në brez dhe nën ndikim të alkoholit, gjatë një kontrolli policor, te rrethi në dalje të Prishtinës. Thaçi në momentin kur është ndaluar nga policia e trafikut nuk ka pasur as patentë shofer e as leje për armë. Por, kjo nuk e ka penguar që të jetë i ashpër me policinë duke u thënë ju “nuk e dini kush jam unë”.

Media ka siguruar një raport ku tregohet përplasja e Nazmiut me Policinë. Në momentin kur është ndalë ai ka treguar se ka një armë në brez të tipit HS kalibri 9x19mm – pas pyetjes së policisë nëse ka diçka ilegale me vete.

Image
Dokumenti i Policisë

Vëllai i Presidentit, Nazmiu, i kishte thënë policisë së e posedon lejen e armës, mirëpo nuk e kishte me vete, teksa iu tha “nuk e dini kush jam unë, se me ditë se kush jam unë, nuk më kishit ndalë fare”. Po ashtu ai nuk ka pasur as patentë shofer.

Polici në detyrë, që nuk mori asnjë dokument të identitetit të tij, e shoqëroi atë në automjetin zyrtar në stacion, e kështu më pas e lejoi edhe të bëjë thirrje telefonike, meqë rast t’i sillen dokumentet e lejes së armës, të cilat Nazmiu tha se i posedonte.

Gjatë rrugës për në stacion policor, vëllai i Hashim Thaçit kishte kërcënuar policinë me fjalët “unë jam vëllau i Hashim Thaçit dhe nesër në mëngjes kam me shku në zyre të Shpend Maxhunit dhe kam me e njoftu që të marrë masa ndaj jush për arsye se ju e keni ndalë vëllain e Presidentit pa arsye”.

Sipas dokumentit që media posedon, thuhet se Nazmiu e ka pranuar se kishte konsumuar alkohol, kur u pyet nga patrulla e policisë për një gjë të tillë.

Dokumenti thotë se pas 30 minutave, djali i Nazmiut i ka sjellë letërnjoftimin, patentë shoferin dhe lejen e armës.

Ndalesa e Nazmi Thaçit u bë në ora 01:00 më datën 11.11.2016 në rrugën "Sami Hoti" te rrethi në dalje të Prishtinës.

Vetura me të cilën u ndal Nazmiu nuk ishte e tij, por ishte në pronësi të një personi tjetër, ndërsa i njëjti nuk pati asnjë dokument, pos librezën e veturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat