Gratë nga Prishtina dhe Beogradi flasin për pajtim

Aktuale

Gratë nga Prishtina dhe Beogradi flasin për pajtim

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 16:25
Pamje nga takimi

Konferenca dy ditore “Gratë Promovojnë Dialogun dhe Pajtimin,” organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe ai në Serbi ka përfunduar sot në Prishtinë.

Konferenca mblodhi së bashku gra të shquara nga jeta politike, shoqëria civile, akademia dhe media – anëtare të iniciativës “Na ndiqni” nga Prishtina dhe Beogradi, si dhe të diplomuarat e Akademisë së Dialogut të OSBE-së.

Gjatë konferencës, panelistet prezantuan vizionin e tyre të dialogut, i cili synon ndërtimin e besimit dhe inkurajon pajtimin duke ofruar një forum për debat dhe duke i bashkuar veprimet për çështje të brengës së përbashkët që lidhen me rolin e gruas në të dy shoqëritë dhe sfidat e tyre për qasje në proceset vendimmarrëse.

“Kur u takuam për herë të parë në vitin 2012 ishim dyshuese ndaj njëra-tjetrës dhe nuk dinim se çfarë të prisnim nga takimi,” tha Blerta Deliu-Kodra, deputete e Kuvendit të Kosovës. “Por ne ishim të gjitha të vetëdijshme për rëndësinë e këtij dialogu dhe nevojën për ta mbajtur të fokusuar në çështje që vërtet kishin rëndësi për jetën tonë të përditshme”.

“Fuqia e kësaj iniciative është që solli në të njëjtën tryezë gra me ndikim nga politika, por edhe nga shoqëria civile, mediat dhe akademia. Në këtë mënyrë, dialogu mori mbështetjen e politikës por, në të njëjtën kohë, i rezistoi debateve të nxehta politike,” tha  Gordana Çomiq, deputete e Parlamentit të Serbisë.

Konferenca kishte në program të saj edhe një koncert ku performuan dy grupe muzikore të Shkollës së Rokut nga Mitrovica, shkollë që ka angazhuar qindra të rinj shqiptarë dhe serbë nga Kosova veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat