Tahiri: Nuk do të ketë mur, revitalizimi sipas Marrëveshjes së Brukselit

Aktuale

Tahiri: Nuk do të ketë mur, revitalizimi sipas Marrëveshjes së Brukselit

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 22:15
Edita Tahiri

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit, ka dhënë këtë deklaratë për media në lidhje procesin e revitalizimit të urës së Ibrit dhe problemeve të krijuara nga një mur ilegal që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe lëvizjen e lirë.

Ministrja Edita Tahiri ka thënë se çështja e shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit është biseduar gjerësisht me Bashkimin Evropian, gjatë ditës së djeshme dhe sotme. Në bisedimet që patëm dje me Bashkimin Evropian, këtu në Prishtinë, ku ishin prezent edhe dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, në emër të Qeverisë së Kosovës kam kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjes për revitalizimin e Urës së Ibrit në Mitrovicë si dhe eliminimin e menjëhershëm të shkeljeve të bëra nga një mur ilegal. Po ashtu, diskutuam edhe pjesën tjetër të Marrëveshjes që lidhet me revitalizimin e rrugës kryesore të komunës veriore të Mitrovicës, e cila do të shndërrohet në rrugë për këmbësor, sipas Marrëveshjes së Brukselit.

Po ashtu, sot kam kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që të përgatisin një raport duke bërë matjet në terren për të parë nëse rrethrrotullimi në anën veriore të urës së Ibrit është cenuar nga projekti për revitalizimin e rrugës për këmbësor. Nga raporti i MMPH i të cilin e kam pranuar në orët e mbrëmjes, është konstatuar se dimensionet e këtij rrethrrotullimi janë ruajtur në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe të njëjtin ia kam përcjellë Bashkimit Evropian.

Me këtë rast dëshiroj të njoftoj opinionin e gjerë publik se pajtimi me BE-në dhe konkluzionet e dakorduara mbrëmë janë rikofirmim se Marrëveshja e Brukselit e datës 25 gusht 2015 do të respektohet plotësisht dhe se revitalizimi i urës dhe revitalizimi i rrugës për këmbësor në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës do të jenë në pajtim me parimet e lëvizjes së lirë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë mur në pjesën që lidh urën e Ibrit me rrugën për këmbësor në veri të qytetit, sepse muri është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, theksoi ministrja Tahiri.  

Qeveria e Kosovës e ka parasysh shqetësimin e qytetarëve dhe tensionet e krijuara nga ky mur ilegal, por ne ju sigurojmë se nuk do të ketë kurrfarë muri në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës.

Ne ftojmë qytetarët dhe opinionin publik që të jenë të përmbajtur dhe të kenë durim sepse ky problem do të zgjidhet, është çështje ditësh kur gjërat do të shkojnë në vend ashtu siç jemi dakorduar me BE-në dhe në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit.

Ju përkujtojmë se përvoja të tilla negative që i ka krijuar Serbia i kemi pasur edhe me rastin e heqjes së barrikadës nga ura e Ibrit, kur një barrikadë u hoq dhe tjetra u vu si një “park paqe” të cilën e hoqëm tërësisht. Dhe ju jeni të gjithë dëshmitar se tashmë ura e Ibrit është urë e lirë dhe bashkuese. Ju sigurojmë se edhe ky mur do të hiqet në ditët në vijim dhe gjithë do shohim së bashku se nuk do të ketë mur e as pengesa të çfarëdoshme për lëvizjen e lirë, theksoi ministrja Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat