Gavriqin e kanë vizituar zyrtarë shtetërorë të Serbisë

Aktuale

Gavriqin e kanë vizituar zyrtarë shtetërorë të Serbisë

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 23:24
Sllobodan Gavriq

I dënuari për terrorizëm, Sllobodan Gavriq në intervistën e dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka treguar për vizitat që ai k patur nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ai ka folur se zyrtarët e shtetit serb kishin kërkuar nga ai të dinin se çfarë fshihej pas gjithë kësaj.

Por, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Gavriq ka deklaruar shteti serb nuk e ka ndihmuar financiarisht dhe as në ndonjë mënyrë tjetër në procesin gjyqësor.

“Kam pasur një apo dy vizita nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë, kanë qenë të shokuar, të hutuar, nuk dinin se çfarë fshihej pas kësaj, nëse fshihej diçka tjetër, ndonjë qëllim i panjohur për ta dhe kanë qenë tepër të interesuar që hetimet të përfundojnë dhe të zbulohet se cila ishte arsyeja e vërtetë, sepse të gjitha që i kisha thënë unë në polici dhe në gjykatë atyre u tingëllonin plotësisht të pabesueshme dhe thjesht askush nuk besonte. Por, fatkeqësisht tingëllon vërtet e pabesueshme, mirëpo ashtu është”, ka thënë Gavriq.

“Sa i përket ndihmës në asnjë pikëpamje nuk kanë ndihmuar, por as nuk kam pritur. Çfarë mund të pres? Jam gjetur i vetëm, vetë e kam financuar mbrojtjen duke hyrë në borxhe, bashkëshortja ka hyrë në borxhe, kështu që nga ana e tyre nuk ka pasur ndonjë ndihmë”, ka treguar i dënuari për terrorizëm.

Siç dihet Slobodan Gavriq, ishte arrestuar në dhjetorin e vitit 2014 në afërsi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Ai ishte kapur derisa po barte  me automjetin e tij 12.2 kilogramë eksploziv për të cilin kishte dyshime se po planifikonte ta shpërthente në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat