“Nuk rikandidohem për kryetar të Mitrovicës, qeveria nuk reagoi me kohë për murin”

Aktuale

“Nuk rikandidohem për kryetar të Mitrovicës, qeveria nuk reagoi me kohë për murin”

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 23:41
Avni Kastrati

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Avni Kastrati, në Ballë për Ballë ka thënë se nuk do të rikandidojë për të marrë edhe një herë tjetër drejtimin e qytetit.

Ai ka thënë se me dëshirë do të donte që këtë përgjegjësi ta merrte dikush më i ri në moshë, por që nëse do t’i kërkohej unanimisht, mund ta pranonte.

“Nuk është akoma e definuar. Brenda një kohe shumë të shkurtër kryesia e PDK-së do të sjellë vendim për të gjitha degët në vend. Që të jem shumë i sinqertë do të doja që ai obligim të bartet tek dikush më i ri. Por nëse partia e sheh të rrugës, jam i gatshëm të konkurroj”.

Ish kryetari i Mitrovicës ka komentuar edhe cështjen e murit të ndërtuar në veri të qytetit, duke fajësuar disa akterë të dialogut të Brukselit.

“Kam drejtuar kritika në drejtim të Agim Bahtirit, Edita Tahirit dhe Isa Mustafës. Si pikë e parë, nuk është në misionin e Agim Bahtirit që të merret me këtë cështje. Kur është dashur që ai ta përcjellë situatën në veri, ai është shëtitur në Drenas. Kurse ministrja Tahiri ka marrë kritika për shkak se ekipi që po e përcjellë në Bruksel nuk është duke e kryer misionin e tij – që e tregon qartë mbirja e murit brenda natës. Mendoj që edhe kryeministri Mustafa është dashur të marrë vendime më të shpejta, sepse vonimi në këto raste po bën që të ngriten tensione. Serbët e inskenojnë një situatë për të matur reagimin, në mënyrë që pastaj ta përsërisin herën tjetër. Për Luginën e Diellit nuk kemi informata cfarë ka ndodhur, ndërsa shtëpitë po vazhdojnë të ndërtohen. Nuk ka ndonjë reagim të shtetit”.

Ai më tutje ka thënë se do të duhej që ai mur të rrënohej, pasi është në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruskel, ndërsa na thënë se nuk është duke u bërë mjaft nga pushteti lokal në drejtim të integrimit të dy pjesëve që ndaj lumi Ibër.

“Fillimisht është dashur që të kemi informacione të plota për këtë cështje dhe nëse ka indikacione që të ndodhë një gjë e tillë, ai të pengohet. Sepse pasi të ndërtohet është tepër vonë. Ai mur duhet rrënuar sepse nuk është konform marrëveshjes së Brukselit. Mendoj se për tre vjet të këtij pushteti lokal pjesa veriore është anashkaluar në tërësi. Në rend të parë nuk është munëdsuar banorëve të asaj pjese që kanë shtëpi andej ndërtimi i shtëpive. E drejta themelore e cdo qytetari është që të jetojë në shtëpi të tij. Mendoj se Agim Bahtiri ka udhëhequr sic nuk duhet në Mitrovicë”.

“Mendoj qe ekspertët që negociojnë në Bruksel duhet të bashkëpunojnë me ministren Tahiri. Jo të ketë zëra si kryetari Bahtiri, që bën premtime, shumica e të cilave nuk realizohen”.

“Kur ne kemi qenë në pushtet janë ndërtuar mbi 200 shtëpi. Ka pasur qarkullim malli, njerëzish. Ndërsa kjo situatë që ekziston tani i atribuohet krejtësisht qeverisjes AKR-LDK në Mitrovicë. Mendoj qe edhe koalicioni i ri AKR-VV, që po thuhet se është afër konkretizimit, është i të njëjtit soj – i ndërtuar për interesa vetjake”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat