Çfarë ndodhi me aferën “Pronto”, PDK-ja bllokon hetimin e "dosjes së shefave"

Aktuale

Çfarë ndodhi me aferën “Pronto”, PDK-ja bllokon hetimin e "dosjes së shefave"

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 dhjetor 2016 Në ora: 08:37
Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Adem Grabovci

“Është e natyrshme që PDK-ja do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka, edhe i ka, i ka të instaluar që më parë në strukturat publike. Do të mundohet ta zhagitë këtë çështje si shumë lëndë që ta parashkruajë”, ka thënë profesori Smaka.

Aferë që përmbante korrupsion e punësime në mënyrë të jashtëligjshme nga deputetë e zyrtarë të PDK-së ishte afera ‘Pronto’, e cila bëri bujë të madhe dhe shkaktoi edhe protesta nga shoqëria civile e qytetarët.

Por, pavarësisht një numri protestash që u mbajtën dhe dorëheqjes së shefit të grupit parlamentar të PDK-së nga ky post, Adem Grabovci, si kryesori në këto përgjime, vazhdon ende postin e deputetit, me vetëm intervistim në prokurori.

Se çfarë ka ndodhur me hetimet për aferën ‘Pronto’ e se në cilën fazë janë, ende nuk dihet.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Kryeprokurorinë e Shtetit për tri ditë radhazi dhe u ka dërguar pyetje, por nuk janë përgjigjur as në telefon e as në pyetjet me shkrim.

Ndërsa, lidhur me këtë aferë, analistët kanë mendime të ndryshme.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën Bota sot se do të ketë tentime për t’i penguar hetimet, megjithatë shprehet optimist për hetime nga prokuroria.

“Afera "Pronto" gjithsesi duhet të marrë epilogun e merituar, me ndëshkimin e atyre që ishin pjesë e saj. Mund të ketë tentime për të penguar hetimet, por unë nuk dua të besoj se prokuroria në këtë rast do të bie pre e ndikimeve të mundshme politike, për të mos e çuar rastin deri në fund. Qytetarët presin ndëshkime meritore për të gjithë ata që e kanë kapur shtetin, gjë që është vërtetuar nëpërmjet përgjimeve të "dosjes së shefave"”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se tashmë PDK-ja është e instaluar edhe në sistemin gjyqësor dhe me siguri që do të tentojë të ngadalësojë apo të pengojë këtë hetim.

“Është e natyrshme që PDK-ja do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka, edhe i ka, i ka të instaluar që më parë në strukturat publike. Do të mundohet ta zhagitë këtë çështje si shumë lëndë që ta parashkruajë. Tani unë këtu e shoh fajtore edhe qeverinë. Kjo, pasi në Kosovë qeveria ka më shumë ministra se sa qeveria e Gjermanisë dhe për këtë duhet buxhet, ndërsa pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk janë të plotësuara. Andaj është në këtë formë sistemi gjyqësor dhe ka shumë lëndë të pakryera të viteve të kaluara, dhe mund të jetë edhe kjo një arsye që mund ta përdorin për tu justifikuar. PDK është edhe e instaluar në gjyqësor, edhe ka mungesë të gjyqtarësh e prokurorësh, edhe qeveria nuk investon në të, ndërsa për qeverinë investohet shumë më shumë”, ka thënë profesori Smaka.

Ai shton se tashmë dihet që korrupsioni është i përfshirë në ço fushë, përfshirë këtu edhe gjyqësorin në Kosovë.

 E analisti politik, Ali Hertica, thotë se sistemi gjyqësor është i inkriminuar dhe shumë çështje mundohen të heshtën.

“Në Kosovë ka shumë çështje të cilat po zvarriten apo janë duke u heshtur që të merret kohë për të shpëtuar nga sistemi i drejtësisë, edhe pse nuk ka sistem të drejtësisë sepse i gjithi është i inkriminuar nga politikëbërësit, që tani janë duke e dhunuar tmerrësisht shtetin apo duke e zhvatur në mënyrë të tmerrshme ekonomikisht. Sistemi gjyqësor është ai sistem i cili kontrollohet nga bandat e krimit ekonomik dhe politik, andaj as që do të merren me këto afera, që janë të dëmshme për shoqërinë e Kosovës, deri tek faktori ndërkombëtar”, ka thënë Hertica për gazetën Bota sot.

Tutje, ai shton se gjykatat nuk kanë guxim të merren me hetimin e këtyre aferave.

“Të gjitha këto pengesa janë duke u bërë nga individët e klaneve të caktuara politike, ku edhe gjykatat nuk kanë guxim të merren me këto afera, që janë bërë nga shkelës të ligjit dhe kushtetutës. Andaj, lindin probleme tjera dhe më pas afera të tilla harrohen dhe mbyllet e tëra, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera”, ka përfunduar analisti Hertica./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat