Skandalet e vëllezërve të Thaçit, nga ‘plagosja’ e Ganiut deri te kërcënimi i Nazmiut

Aktuale

Skandalet e vëllezërve të Thaçit, nga ‘plagosja’ e Ganiut deri te kërcënimi i Nazmiut

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 dhjetor 2016 Në ora: 11:35
Hashim Thaçi

“Një shtet normal do duhej arrestuar vëllai i kryetarit  dhe kryetari do duhej  të jepte dorëheqje. E kujtojmë edhe rastin e vet plagosjes të  vëllait të madh të presidentit kur u plagos Gani Thaçi nga pakujdesia e tij dhe tentoj ti jepte kaheje tjetër kinse ishte viktimë e një atentati pasi njëjtën ditë kinse sulmohet edhe shtëpia e Hashim Thaçit  sulm i kurdisur nga një mik i vjetër i Hashim Thaçit...”, ka thënë Miftari.

Ditë më parë është raportuar se Nazmi Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte ndalur nga Polica e Kosovës në muajin nëntor në rrugën "Sami Hoti" te rrethi në dalje të Prishtinës, i cili ishte në gjendje të dehur dhe ishte i armatosur. Po ashtu ai nuk kishte pasur  patentë shofer e as leje për armë të tipit HS kalibri 9x19mm.

Ndërsa, gjatë shoqërimit për në stacion, Nazmi Thaçi e kishte kërcënuar zyrtarin  e Policisë së Kosovës, se “unë jam vëllau i Hashim Thaçit dhe nesër në mëngjes kam me shku në zyre të Shpend Maxhunit dhe kam me e njoftu që të marrë masa ndaj jush për arsye se ju e keni ndalë vëllain e Presidentit pa arsye”.

Kjo sjellje e vëllait të Presidentit Thaçi, nga analistë dhe ekspertë cilësohet e pa pranueshme. Ekspertet e sigurisë kanë thënë se pa marrë parasysh se kush është personi në fjalë, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se çdo person që kërcënon policinë duhet të arrestohet për kërcënimin e personit zyrtarë.

Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar  se funksionimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë në kushte të barabarta të gjitha të drejtave të qytetarëve të saj, është kusht i zhvillimit të demokracisë dhe lirisë e të gjithë qytetarëve të saj.

“Nëse duam të ndërtojmë një shtet ligjor me të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve të saje, dhe ti përmbahemi Kushtetutës,  që qytetarëve të saj që ja garanton këtë të drejte të barabartë. Funksionimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë në kondita dhe kushte të barabarta të gjitha të drejtave të qytetarëve të saj, është kusht i zhvillimit të demokracisë dhe lirisë e të gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë Tërnava.

Sa i për ketë rastit të vëllait të presidentit Thaçi, Tërnava ka thënë se  duhet të merren masa ligjore nga ana e policisë së Kosovës, duke mos përjashtuar  edhe burgosjen si kusht i kërcënimit.

 “Në rastin konkret të vëllait të presidentit Thaçi, që ka kërcënuar policin e Kosovës,  apo para një kohe që djemtë e parlamentarit Grabovci që e patën sulmuar policin e Kosovës, gjithsesi duhet në mënyrë ligjore,  nga ana e policisë ti përdorin autorizimet e veta që ja garanton ligji, dhe nëse është e paraparë në ligj,  edhe burgosja si kusht i kërcënimit” ”, ka theksuar Tërnava.

Ai ka thënë për “Bota sot” se duhet të burgoset vëllai i Thaçit dhe jo vetëm ai, por secili që kërcënon qoftë edhe funksionarët shtetëror nëse kërcënojnë.

 “Gjithsesi që duhet të burgoset vëllai i Thaçit dhe jo vetëm ai, por secili që kërcënon qoftë edhe funksionarët shtetëror nëse kërcënojnë. Vetëm në këtë mënyrë të funksionimit të ligjit dhe përdorimeve kompetencave të plota nga ana e policisë që ja garanton ligji, mund të themi se Kosova është shtet ligjor,  e jo si në të kundërtën,  që kush donë mund çfarë dhe kur të donë të banë pavarësisht ligjeve. Nëse do të funksiononte ligjshmëria në fuqi, besoj se Kosova do ta fitonte liberalizimin e vizave, në të kundërtën do të vazhdohet me geotizimin e saj si deri me tani”, ka thënë Tërnava.

Kurse ish pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë se para ligjit të gjithë janë të barabartë, por kjo nuk vlen në vendin tonë për  zyrtarë të shtetit dhe as për pjesëtar të mafies që janë të lidhur me shtetin.

“Po sipas ligjit të gjithë janë të barabartë para ligjit po fatkeqësisht jetojmë në Kosovë ku ligji vlen vetëm për të varfëritë dhe për qytetaret e rëndomtë pasi ligji nuk vlen për zyrtar të shtetit dhe as për pjesëtar të mafies që janë të lidhur me shtetin dhe policia është e pafuqishme dhe e frikësuar të respektoj ligjin pasi do përjashtoheshin nga puna apo edhe ma keq do rrezikonin jetën e vet për ligjin”, ka thënë Miftari.

Për rastin e vëllait të Thact, Nazmiut, Miftari ka thënë se ai duhet të arrestohet nga Policia e Kosovës. Miftari ka kujtuar edhe një rast tjetër, ku sipas tij vëllai tjetër i Presidentit, Ganiu ishte vetëplagosur dhe ka tentuar ta fsheh të vërtetet për këtë rast.

“Një shtet normal do duhej arrestuar vëllai i kryetarit  dhe kryetari do duhej  të jepte dorëheqje. E kujtojmë edhe rastin e vet plagosjes të  vëllait të madh të presidentit kur u plagos Gani Thaçi nga pakujdesia e tij dhe tentoj ti jepte kaheje tjetër kinse ishte viktimë e një atentati pasi njëjtën ditë kinse sulmohet edhe shtëpia e Hashim Thaçit  sulm i kurdisur nga një mik i vjetër i Hashim Thaçit...”, ka thënë Miftari.

Ndërsa, në lidhje me rastin në fjalë, Policia e Kosovës, për gazetën “Bota sot”, kanë thënë që njësitet relevante policore i kane realizuar te gjitha detyrat konform autorizimeve ligjore që kanë.

“Njësitet relevante policore i kane realizuar te gjitha detyrat konform autorizimeve ligjore qe kane, ndërsa sa i përket çështjes se armës i njëjti ka sjelle/prezantuar lejen e armës”, thuhet në përgjigjen e dërguar  nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat