“Ligji i veteranëve i shfrytëzuar nga matrapazët dhe hajdutët”

Aktuale

“Ligji i veteranëve i shfrytëzuar nga matrapazët dhe hajdutët”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 dhjetor 2016 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Qeveria kishte thënë se do të ndryshojë ligjin për pensionet e veteranëve të UÇK-së, duke qenë se nuk mund t’i përballojë pensionet e përmuajshme të 28.00 ish- luftëtarve – më shumë nga sa ishte përllogaritur më parë.

Kundër ndryshimit të ligjit është shprehur përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhavit Jashari.

Jashari thotë se nuk ka nevojë për ndryshim të ligjit, por ajo se çfarë duhet ndryshuar është pensioni i ulët i veteranëve.

 “Nuk ka nevojë për ndryshim të ligjit sepse ne tani më e kemi një ligj, por ajo se çfarë duhet të ndryshohet duhet të kërkohet që pensioni i veteranit të ngritet. Veteranët nuk duhet të marrin këso pagë minimale” shprehet Jashari.

Sipas tij është e pakuptimtë që të ndryshohet ligji, sepse nëse ndryshohet do të bëhet në disfavor të veteranëve dhe kjo nuk duhet lejuar.

“ Si njëri prej hartuesve të ligjit unë kërkojë ngritje të pensioneve të veteranëve, është e pakuptimtë nëse insistohet të ndryshohet ligji e aq më keq që ne i dijmë qëllimet e Qeverisë së Kosovës që mund të jenë hartimi i një ligji që është në disfavor për veteranët e kjo nuk duhet lejuar. Nuk duhet lejuar që të luajnë me një kategori që kanë bërë shumë për vendin dhe për këtë ligji nuk duhet ndryshuar por vetëm aktet nënligjore të ndryshohen në mënyrë që veteranëve t’i rritet pensioni sepse përmes pensioneve ata kanë ekzistencën e tyre prandaj me këtë pension në shumë prej 170 eurove nuk është gjë tjetër përveç një sociali” pohon Jashari.

Ai mohon se ky ndryshim ligji mund të jetë si shkak i listave të fryera.

“Unë nuk e di që janë listat e fryera.  Verifikimi është bërë nga komandatët e zonave dhe mendoj se procesi si proces i verifikimit ende nuk ka përfunduar, prandaj kur përfundon mund të flasim për ndonjë rast, kurse tani për tani komisioni per verifikim nuk ka pasur ndonjë ankesë që iu është fryer lista apo i është bërë ndonjë e padrejtë” thekson Jashari.

Pyetur nëse veteranët do të organizojnë protesta për të kundërshtuar ligjin e ndryshuar nga Qeveria, Jashari nuk tregoi, mirëpo vetëm është shprehur se ndryshimi nuk është i mirë.

“Do të shohim cili është insistimi dhe ndryshimi i qeverisë, mendoj se ligji për ndryshimin e pensioneve të veteranëve nuk është fare e i mirë për veteranët, arsyeja e qeverisë është shkaku i buxhetit mirëpo nuk ka implikime buxhetore dhe qeveria duhet të jetë e kujdesshme kur është në pyetje veterani i luftës. Është e pamoralshme, e pandërgjegjshme, jo e mirë kjo ndërhyrje për minimizimin e asaj shume, prandaj kërkesa jonë është të ngritet pensioni se vetëm atëherë qeveria do t’iu bëjë jetën e dinjitetshme veteranëve” përfundon Jashari.

Kurse, ish- ushtari i UÇK-së e tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha, thotë se normalisht që duhet ndryshohet ligji i veteranëve.

Sipas Berishës, duhet ndryshuar një ligj që është formuar nga njerëzit që e kanë shfrytëzuar për qëllimet e tyre.

“Është mëse i domosdoshëm ndryshimi i ligjit. Unë që nga fillimi nuk jam pajtuar me ligjin që është  “kopje past” i një shteti tjetër e që nuk përputhet me rrethanat e luftës që janë zhvilluar në Kosovë. Ligji duhet ndryshim  rrënjësor sepse matrapazet dhe hajdutët i kanë shfrytëzuar  të metat e ligjit për interesa meskine ku për fat të keq para opinionit çlirimtarët e vërtetë i kanë nxjerrë shkatërrimtar të shtetit që nuk është kështu” pohon Berisha.

Ai  thotë se qeveria duhet t’i punësojë veteranët sepse kështu është zgjidhja më e mirë.

“ Duhet një zgjidhe me u bë, qeveria më mirë duhet të mendojë që veteranët e vërtetë t’i punësojë dhe do t’i kushtojë më lirë se të jep kështu para. Por mungesë e dijes dhe vizionit të qeverisë ka sjellë ketë kaos në vende lidhur me veteranët” shprehet Berisha për “Bota sot”.

Berisha pohon se ekziston mundësia që të dëmtohen të gjithë veteranët shkaku i listave të fryera pasi që të ketë ndryshime në ligj.

“Sigurisht se do të dëmtohen të gjithë veteranët mirëpo kush me bë? Ata që vetë i kanë bërë  dallaveret nuk munden me zgjidhë këtë lëmsh. Demantimi dhe nxerrja para përgjegjësisë për falsifikatorët është përgjegjësi  ligjore por edhe morale, nuk bën të lejohet që lufta për liri të njelloset skajshmërisht siç ka ndodhur në këtë proces që është udhëhequr  nga matrpazë e hajdutë që s’kanë asgjë me luftën për liri, luftën e kanë pa vetëm në televizion” deklaroi Berisha.

Përkundër raportimeve për ndryshimin e ligjit të veteranëve nga ana e Qeverisë, ish-eprori i UÇK-së, Shkumbin Demalijaj thotë se ai nuk ka njohuri për një ndryshim të ligjit pasi që askush nuk ia ka bërë ndonjë propozim.

“Nuk jam në dijeni për diçka të tillë, strategjia legjislative i takon qeverisë, e pastaj nëse kërkohet ndonjë ndërhyrje e ndihmojmë në procedim apo japim vërjetjet tona. Përderisa nuk kam propozim ndryshim, nuk mund të japë asgjë konkrete në raport me ndryshimet me ligjin” thotë Demalijaj.

Kurse analisti politik, Islam Krasniqi thotë se nuk ka mbetur ndonjë gjë që të ndryshohet në ligjin për veteranët pasi që pagat e tyre nuk i plotësojnë as kushtet elementare.

“Nuk e di se a ka mbetur diçka që të ndryshohet lidhur me ligjin e veteranëve, sepse pagat e tyre nuk i plotësojnë  as kushtet elementare, të cilat të ngjajnë  me ndonjë social, mirëpo qeveria duhet ta zbatojë ligjin, ashtu siç është ratifikuar” thotë Krasniqi.

Ai shprehet se marrëveshja që mund të arrihet në mes të qeverisë dhe veteranëve është punësimi i tyre.

“Marrëveshjet që mund të arrihen në mes të veteranëve dhe qeverisë është vetëm për punësimin e veteranëve, të atyre që mund të punojnë. Qeveria mund të arrijë marrëveshje me kompani private për punësimin e veteranëve, që do ja lehtësonte barrë sa do pak asaj” pohon Krasniqi.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë me zëdhëndësit e qeverisë për t’i pyetur se çfarë konkretisht do të ndryshohet në këtë ligj dhe nëse do të mund të arrijnë ata të bëjnë një marrëveshje me veteranët, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat