Ja çka përmban rekomandimi i PDK-së për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit

Aktuale

Ja çka përmban rekomandimi i PDK-së për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 07:44
Astrit Dehari

(E plotësuar) - Në seancën e jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit, me iniciativën e PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është votuar rekomandimi, ku familjes Dehari, në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse, mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit, nga cilido vend i BE-së dhe SHBA-së që ajo dëshiron.

Më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.

Vlen të theksohet se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka votuar këtë rekomandim të PDK-së.

Ja çka përmban rekomandimi i PDK-së për rastin e Astrit Deharit:

R E K O M A N D I M

Kuvendi i Republikës së Kosovës me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës dhe vlerave kushtetuese të Republikës së Kosovës edhe një herë shpreh përkushtimin e vet, që në Republikën e Kosovës të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe që secili individ të gëzojë të drejtën për jetë.
Vdekja e shtetasit të Republikës së Kosovës, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, e cila ka sjellë reagime deri në politizim të skajshëm, duhet të zbardhet në mënyrë transparente dhe të mos i lihet hapësirë manipulimeve politike.
Kuvendi fton të gjitha institucionet përgjegjëse që t’i marrin masat e duhura, në kuadër të kompetencave ligjore dhe të mos lënë asnjë pikë dyshimi në këtë rast.
Familja Dehari, në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse, mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit, nga cilido vend i BE-së dhe SHBA-së që ajo dëshiron. Më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë

Deputetët miratojnë rekomandimin e PDK-së për rastin Dehari

Kuvendi i Kosovës ka aprovuar rekomandimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet se nëse familja kërkon hetim të vdekjes së Astrit Deharit jashtë vendit, atëherë Qeveria e Kosovës, duhet t’ia mundësojë këtë duke hequr edhe shpenzimet.

Në ndërkohë është votuar edhe një projekt-rezolutës të propozuar nga Levizja Vetëvendosje, i cili morri më pak vota se sa rekomandimet e PDK-së

Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme, ku ka debatuar lidhur me vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. Deputetët e VV-së dhe në këtë seancë thanë se Astrit Deharin e vrau shteti, duke kërkuar hetim ndërkombëtar për këtë rast.

E përfaqësues të koalicionit qeveritar, kërkuan që në këtë debat të ketë deklarime të matura, pasi që ky është rast i ndjeshëm.

Zenun Pajaziti, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kërkoi që rasti i Deharit, të mos trajtohet politikisht. Ndërsa tha se partia të cilës ai i takon, u beson ekspertëve dhe institucioneve të vendit dhe se duan drejtësi  lidhur me rastin në fjalë, i cili duhet të ndriçohet, pasi që konsiderohet një nga rastet më të vështira. Ndërsa tha se janë të gatshëm dhe  për një super ekspertizë nga institucionet kredibile ndërkombëtare,  që njëherë e mirë të sqarohet rasti Dehari.

Pajaziti: Rastin të mos e trajtojmë politikisht

“Ne jemi këtu dhe sot i ftoj të gjithë që të jenë sa më korrekt, sa më të bashkuar rreth trajtimit të këtij rasti që është shumë i ndiejshëm. Një rast,  i cili më shumë se gjithçka tjetër na duhet të ndriçohet, të ketë drejtësi, të trajtohet nga institucionet e drejtësisë dhe sa më pak ne këtu të trajtojmë politikisht ose për më tepër të shfrytëzohet për  motive dhe agjenda politike. Fatkeqësisht sot në Kuvend duhet të debatojmë për Astrit Deharin,  për një qytetar të Kosovës, i cili në një fazë të jetës së tij gjendej në një nga institucionet e shtetit  dhe sipas ekspertizës së fundit vdekja atë e gjeti në burg. Besoj që sot  dhimbjen e familjes dhe të dashurve të viktimës, nuk duhet ta lëndojmë më shumë”, tha Pajaziti.

E Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se të gjithë  janë të interesuar që të dihet e vërteta për vdekjen e  Astrit Deharit. Por tha se me këtë rast u abuzua shumë për përfitime politike.

Beqiri: U abuzua me rastin Dehari

“Askush nga ne nuk duhet shfrytëzuar rastet e tilla  të rënda, për çfarëdo përfitimi politik. Më vjen rëndë ta them këtë por nëse si vjen rëndë ta bëjnë ose të sillen kësisoji dikush tjetër, atëherë ne si LDK duhet ta themi qartë.  Në asnjë rrethanë nuk  guxojmë dhe nuk duhet politizuar rasti i vdekjes së të riut Dehari. Në asnjë rrethanë nuk duhet linçuar njerëzit, gjykuar  dhe aktgjykuar ndaj atyre dhe individëve nga cilido subjekt politik. Kjo është totalisht e papranueshme si është bërë në momente të caktuara nga subjekti Vetëvendosje. Askush prej nesh jo me bajrak partiak dhe militantizëm, jo të flasim nga fundi i barkut por të flasim me arsye. Fatkeqësisht partiak. Sepse është rast i rëndë dhe tragjik. Ne si LDK kemi kërkuar  edhe për shumë raste tjera të ndodhura ndër vite në rrethana dhe kohë të ndryshme, që çdo vrasje edhe vetëvrasje humbje jete  të shumë veprimtareve të LDK-së , për të përsëritur  të vërtetën. Duam ta dijmë për të gjitha jetërat e humbura. Ne kem të drejtë të dijmë për çdo rast..... Ne kërkojmë dhe duam ta dijmë dhe kush ka tentuar me vra Ibrahim Rugovën dhe shumë zyrtarë të tjerë të LDK-së. Por këto i kërkojmë nga organet kompetente”, tha Beqiri.

Por akuzat e deputetëve të opozitës ndaj koalicionit qeverisës ishin të rënda duke fajësuar ata për vdekjen e Deharit.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje  tha se Astritin e vrau pushteti dhe strukturat kriminale të tij.

Konjufca: Astritin e vrau pushteti që e shpalli terrorist

“Unë e di që ky pushtet është i profesionalizuar në kidnapime. Por se kam besuarkurrë që do të vij një ditë në Kosovë kur do të fillojnë të kidnapohen dhe seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit. Një vend ku mafia i hyn në shpi kryeporokurorit dhe ia terrorizon familjen, e pushteti del e vajton për vjedhje të telefonave, këtu gjithcka mund të ndodh. Kjo seancë e jashtëzakonshme për Astrit Deharin,  u kidnapua nga PDK dhe LDK.... Astritin nuk e ka vra shteti. Astritin e ka vra mungesa e shtetit, e kjo do të thotë e ka vra pushteti. Sepse pushteti në Kosovë e ka zhduk shtetin....Atë e vrau kjo makineri që strukturat e shtetit që duhet me të mbrojt, i kthen në struktura kriminale që ta marrin jetën. Fytyra e kësaj makinerie janë tre njerëz këtu në Kosovë. Këta tre njerëz e kanë kthyer shtetin në këtë gjendje Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli. Kurse argatët e tyre që shpik in provat dhe i montojnë proceset, do ta marrë përgjegjësinë edhe ministrja Hoxha, ministri Hyseni, kryepolici Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Fatos Makolli, Abdurrahim Islami e gjithë të tjerët.  Astrit Dehari nuk është vra me 5 nëntor. Astrit Dehari është vra në momentin që e keni bërë terrorist”, tha ai.

Ndërkaq Pal Lekaj nga AAK tha se rastit duhet t’i shkohet deri në fund dhe se me këtë duhet të merret FBI-ja.

Lekaj: FBI  të ftohet për ekspertizë

“ Prej kur ka ndodhur ky rast, është shndërruar në kauzë të përfitimeve politike nga të gjitha taborët. A është vrasje  apo vetëvrasje kjo duhet të vërtetohet deri në fund. Dhe besojmë që më së miri do të ishte të ftohet FBI për ekspertizë”, tha Lekaj.

Një fjalim në lidhje me rastin ka mbajtur ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha. Ajo tha se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe përkundër faktit që ka pasur deklarime nga më të ndryshme.  Ndërsa tha se është përpjekur që të rezervohet për faktin që mos të ndërhyjë në këtë rast dhe organet kompetente, ta kryejnë punën e pavarur dhe në mënyrë profesionale.  

Hoxha: Jam thellësisht e shqetësuar

“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime, të cilat vetëm sa kanë nxituar opinionin publik, duke u  nxituar në përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria. Por dhe pas daljes së prokurorisë me raportin zyrtar. Me këtë rast iu bëjë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet, që paragjykojnë punën e institucioneve të Kosovës dhe shfaqin mos besim ndaj kësaj pune. Ne gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie. Konsideroj që tu besojmë institucioneve tona, është më e pakta. Konsideroj që këtë ia kemi borxh dhe të ndjerit Astrit Dehari. Iu garantoj që ministria ka bërë çdo gjë për të siguruar transparencë të plotë, për zbardhjen e rastit... Çdo ndërhyrje e imja apo e MD  pas kalimit të rastit te Prokuroria, është në ndë rhyrje në pavarësinë e këtij institucionet... Dua të bëjë thirrje që veprimet tona, për aq sa është e mundur dhe deklarimet tona, veçmas  të personave me përgjegjësi dhe që ushtrojnë funksione publike, të bëhen në pajtim me ligjet në fuqi dhe të mos tentojnë që të përfitojnë politikisht në çfarëdo forme në tragjedi të tilla”, tha ajo.

 Por edhe  kësaj radhe në seancë u kërkua dorëheqja e saj. Deputetja Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha ministres Hoxha se para të shpif para deputetëve të Kuvendit, do të duhej të jap dorëheqje.

Haxhiu:Hoxha që shpall Astritin të vetëvrarë, duhej të jap dorëheqje

“Para se ministrja e Drejtësisë të bëjë paragjykime, që kërkonte nga ne që të mos paragjykonim rastin. Pastaj e njëjta e shpalli të vetëvrarë Astritin. Para se e njëjta të mbajë konferenca qesharake, të bëjë shpifje para deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve apo të mbajë fjalime patetike, do të duhej ta shqyrtonte seriozisht dorëheqjen. Jo vetëm dhurata hoxha por dhe ministri i punëve të brendshme Skender Hyseni”, tha ajo.

Seanca e jashtëzakonshme për rastin Dehari është iniciuar me kërkesë të PDK-së e mbështetur edhe nga LDK-ja.

"Kadri Veseli kontrollon Kuvendin, deputetët s’janë të interesuar të kërkojnë drejtësi për Astritin"

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në seancën e jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, ka akuzuar Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, se më shumë kanë qenë të angazhuara për propagandën mediale se sa në zbardhjen e rastit.

“Përgjegjësia e shtetit është e pashmangshme. Deputetët nuk janë të interesuar për të kërkuar drejtësi për Astritin. Kjo për shkak se Kadri Veseli po kontrollon edhe Kuvendin, dhe për këtë arsye po pengon një seancë të kërkuar sipas shoqërisë civile”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se familja Behari vazhdimisht ka insistuar që të ketë drejtësi, e cila nga krerët politik transmetohet si përfitim i VV, por gabojnë sepse me drejtësi përfitojnë qytetarët e Kosovës, përveç klanit Pronto, i cili i frikësohet drejtësisë.

“Shumë vonë kanë dal në sipërfaqe, vepra e Kadri Veselit shumë vonë ka dal në publik edhe pse vepra e tij është që nga viti 1999”, tha Ymeri.

Sipas tij, raporti i autopsisë nuk e përmend termin vetëvrasje por është keqpërdorur nga Sylë Hoxha.

Image
Rexhep Selimi e Ismet Beqiri

Hetimet për vrasjet politike – Selimi e Beqiri përplasen në Kuvend

Kur deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, doli në foltoren e Kuvendit për të folur rreth rastit të Astrit Deharit, nuk harroi ta përmendte rastin e atentatit ndaj ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Por kjo si akuzë ndaj deputetëve të LDK-së.

“Ju dëgjova t’u thanë se nuk duhet të diskutohet rasti i Deharit në Kuvend sepse është rast politik. Po vetë ju e përmendet rastin e Ibrahim Rugovës. A nuk qenka kjo politike?”, ka thënë Selimi.

Kjo ka ngjallur reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili gjatë fjalimit të tij në këtë seancë, përmendi edhe rastin e atentatit ndaj ish-presidentit Rugova.

Beqiri i ka thënë Selimit se kurrë nuk ka iniciuar apo përmendur hetimin për atentatin ndaj ish-presidentit Rugova apo të vrasjeve të anëtarëve të LDK-së pasluftës.

Deklarata e Beqirit nuk kaloi pa replikën e Selimit. Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, ia dha fjalën.

Selimi i ka kërkuar Beqirit që ta vë nënshkrimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar rreth hetimin e këtyre rasteve. Por, një gjë të tillë, sipas Selimit, asnjëherë nuk e ka bërë Beqiri.

Ai konsideron se Beqiri nuk po arrin ta bëjë këtë për shkak se është në koalicion me ata (PDK), të cilët i ka akuzuar për këto vrasje.

“Qite atë copë nënshkrimi në letër, për Komisionin Hetimor, që dy mandate po ta kërkojmë, ndoshta nesër edhe do të nënshkruash, por sot s’e bën këtë, pasi je në qeveri me ata që vetë i ke akuzuar për vrasjet e aktivistëve të LDK-së”, ka theksuar Selimi.

Por nuk arriti të duronte – Ismet Beqiri kërkoi replikë, e cila hasi në mirëkuptim te kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Beqiri i tha Selimit se nuk e vë nënshkrimin sepse Komisioni Hetimor Parlamentar nuk mund t’i hetojë këto raste, por janë organet e drejtësisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka hedhur sërish dyshime se shteti mund të ketë gisht në vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

Kjo pasi sipas Kurtit, të gjitha raportet mjekësore kanë treguar se Astrit Dehari nuk ka qenë përdorues i ndonjë droge, medikamenti,  dhe as nuk ka pasur probleme psikike për të ardhur deri tek vetëvrasja.

 Madje, Kurti thotë se Dehari nuk ishte as i dënuar as i akuzuar, por vetëm një i paraburgosur, gjë që sipas tij nuk mund të çojë një njeri të kryejë vetëvrasje, përveç se në Rusi.

 “Njerëzit e shëndoshë nuk bëjnë vetëvrasje, këto raste ndodhin në Rusi pa e prit gjyqin”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se në kohën kur po dështonte procesi sipas tij i montuar,  kundër Deharit dhe aktivistëve të VV-së , ndodhi rasti i vdekjes së Astritit.

Ai ripërseriti fjalët e kryeparlamentarit Kadri Veseli drejtuar deputetëve të opozitës: ‘Kujdes se po e vrani vetën”.

Image

Debati për rastin Dehari, përplasje të ashpra mes deputetëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i ka quajtur hipokrizi fjalimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht ata të PDK-së.

Selimi tha se ngushëllimi më i mirë për familjen Dehari do të ishte sjellja e së vërtetës së rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

Selimi e ka quajtur koalicionin aktual qeverisës “të poshtër”, duke thënë se rasti i Deharit është politik, ashtu siç ishin edhe tentim atentatet ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Kosova ka pasur qeveri e pushtete të ndryshme, por qeveri ma të poshtër si kjo, Kosova nuk ka pas asnjëherë deri më sot”, u shpreh Selimi.

Pas fjalimit të tij, pati edhe replika nga shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, por edhe nga ai i PDK-së, Zenun Pajaziti.

Beqiri e akuzoi Selimin se nuk ka kërkuar asnjë debat parlamentar e as seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e aktivistëve të LDK-së e as për atentatin e dështuar ndaj ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Selimi, pasi mori sërish fjalën e tij, kërkoi nga Beqiri ta vendoste nënshkrimin e tij në kërkesën për të debatuar për këto çështje.

“Kemi disa vite që kërkojmë nga ju që ta vendosni nënshkrimin për të debatuar dhe formuar komision për hetimin e këtyre vrasjeve. Por ju, z. Beqiri, nuk e keni vënë atë nënshkrim pasi që keni bërë koalicion qeverisës me PDK-në”, ka thënë ndër të tjera Selimi.

Kurteshi: Vetëm hetimi i pavarur heq dyshimet për lidhjen e shtetit me vdekjen e Deharit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës Ismail Kurteshi, ka thënë se nëse shteti dëshiron që të heqë dyshimet për lidhje të mundshme me vdekjen e Astrit Deharit, atëherë le të lejojë hetim të pavarur ndërkombëtar.

“Vetëm aprovimi me kohë i kërkesës së familjes dhe qytetarëve për hetim të pavarur do të hiqte dyshimet për lidhjen e shtetit me këtë rast”, tha Kurteshi.

Sipas tij, nëse nuk zbardhet e vërteta për vdekjen e Deharit, shteti përveç se e merr barrën e përgjegjësisë për vdekjen e tij në burg,  ai ngarkohet edhe me barrën se është organizatori i vdekjes  së Astritit.

Haxhiu: Të ndërpriten menjëherë hetimet në rastin Dehari

eputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të hetimeve për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ajo ka thënë se kjo kërkesë bëhet në emër të Familjes Dehari dhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kërkoj, në emër të Familjes Dehari dhe në emër të Vetëvendosjes, që hetimet në Rastin Dehari të ndërpriten menjëherë”, ka thënë Haxhiu. Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se ata nuk i besojnë institucioneve kompetente të hetuesisë vendore.

Hadërgjonaj: Me viktimizimin e Astritit, po mundoheni të ndërtoni kauzë politike

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se duke përdorur viktimizimin e Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje është munduar ta ndërtojë një kauzë politike.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, vetëvrasjen e Astritit janë munduar ta shndërrojnë në një pretekst për mobilizim politik me synim të vetëm përmbysjen e qeverisë në çfarëdo mënyre”, ka thënë ajo.

Hadërgjonaj ka thënë se për shumë të rinj në këtë subjekt politik, ligji i Lëvizjes Vetëvendosje është më i rëndësishëm se ligjet e shtetit, prandaj edhe identifikimi me ligjet e lëvizjes është detyrë absolute e çdo aktivisti aty.

Selimi: Qeveria më e poshtër që ka pasur ndonjëherë Kosova

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, i ka quajtur hipokrizi fjalimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht ata të PDK-së.

Selimi tha se ngushëllimi më i mirë për familjen Dehari do të ishte sjellja e të vërtetës së rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

Selimi e ka quajtur koalicionin aktual qeverisës të poshtër, duke thënë se rasti i Deharit është politik, ashtu siç ishin edhe tentim atentatet ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova.

Kosova ka pasur qeveri e pushtete të ndryshme, por qeveri ma të poshtër si kjo, Kosova nuk ka pas asnjëherë deri më sot”, u shpreh Selimi.

Kadaj-Bujupi: Ju i keni ditët e numëruara

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj- Bujpi e ka quajtur të turpshme krahasimin që iu bë vdekjes së Astrit Deharit me ata që kanë vdekur në Siri.

Sipas saj kryeministri Isa Mustafa urdhëroi arrestimin e studentëve të Vetëvendosjes në mënyrë që t’ua pamundësojë rezistencën atyre që ia pamundësuan veprimet e tij antikushtetuese që i solli nga Beogradi.

Kadaj-Bujupi tha se këta orkestruan ngjarjen e Kuvendit dhe me deklaratat e tyre erdhi edhe dita kur u arrestuan aktivistët e VV-së.

 Sipas saj pushteti u përpoq që me këto arrestime ta shpallin Vetëvendosjen si  organizatë terroriste.

Kadaj-Bujupi seancën e sotme e quajti farsë ndërsa tha se përgjegjës për këtë janë krerët e shtetit.

Ajo në fund u tha se ata i kanë ditët e numëruara.

Edhe deputetja Osmani kërkon hetim ndërkombëtar për rastin Dehari

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani, thotë se qytetarët nuk u besojnë institucioneve të vendit, me theks të veçantë atij të drejtësisë.

Osmani ka thënë se është i domosdoshëm një hetim i pavarur ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit, meqë sipas saj shteti nuk ka bërë mjaftueshëm në këtë drejtim.

“Është e papranueshme të themi që shtetit ka bërë gjithçka, është e papranueshme tu besohet institucioneve. Ne kemi kërkuar themelimin e një gjykate speciale, kemi kërkuar përgjigje nga EULX-i për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë. Të mohohet një hetim i pavarur ndërkombëtar është e pafalshme”, tha Osmani.

Osmani u ka tërhequr vërejtjen kolegëve të saj deputetë, që të mos përdorin gjuhë diplomatike për rastin e aktivistit të VV-së Astrit Deharit, por të flasin si qytetarë, prindër dhe përfaqësues të popullit.

Besa Gaxherri i përgjigjet nënës së Astrit Deharit

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës Besa Gaxherri i është kundërpërgjigjur akuzave të Xhemile Deharit, nënës së Astrit Deharit, e cila kishte kërkuar nga deputetja Gaxherri që të tregojë arsyet se pse e ka quajtur djalin e tij terrorist.

Në përgjigjen e saj, Gaxherri ka thënë se asnjëherë nuk e ka akuzuar asnjë aktivist të Vetëvendosjes për ndonjë veprim, por se sipas saj ka kërkuar nga kjo lëvizje që të distancohet nga aktet e dhunshme.

Ja përgjigja e Gaxherrit drejtuar nënës së Astrit Deharit, Xhemile Dehari:

Zonja Dehari më drejtohet me pyetjen

Shumë e nderuara zonja Dehari,

Po e shfrytëzoj rastin që të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta si një nënë që kupton dhimbjen e një nëne.

Unë nuk e kam njohur birin tuaj Astritin pas vdekjes, as pesë të dyshuarve nuk ua kam ditur as emrat.

Në asnjë rast nuk kam akuzuar askënd nga VV, sepse nuk kam asnjë qëllim personale me asnjë qytetar të Kosovës.

Unë i jam drejtuar kryesisë dhe GP të VV-së që të distancohen nga veprimet e dhunshme.     

Kam kërkuar që VV duhet të jetë parti apo lëvizje demokratike, ose duhet të thirret me një emër tjetër, fjalë këto që qëndroj sërish prapa tyre.

Hoti: Pushteti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për vdekjen e Deharit

Deputeti i NISMA për Kosovën, Enver Hoti gjatë seancës së jashtëzakonshme për Astrit Deharin ka thënë se pushteti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për vdekjen e Deharit.
“Dehari ishte në duart e pushtet dhe cila do që të jetë e vërteta pushteti nuk mund të hiqet nga përgjegjësia që e ka që nga burgosja e tij e deri te vdekja e tij”.
 
“Duhet të dihen rrethanat pse Astrit Dehari ka shkuar në burg dhe ai është arrestuar me një aktakuzë të rëndë”.
 
“Çështja duhet të ndiçohet sa më shpejt dhe të mos lëndohen edhe më shumë familjarët”, ka thënë Hoti.

Çaushi: Raporti shtetëror i autopsisë së Deharit film fantastiko-shkencor

Deputeti i Vetëvendosje, Driton Çaushi ka thënë se janë 45 ditë nga vdekja, që kur qytetarët nuk rreshtin së kërkuari drejtësi për humbjen tragjike të një bashkëqytetari të çmuar të tyre.

“Për këtë kohë kemi një pushtet që përdori gjitha mjetet për ta mjegulluar rastin”.

“Kur Grupi Parlamentar i Vetëvendosje kërkoi seancë të jashtëzakonshme, pushteti reagoi me presion ndaj deputetëve që të tërheqin nënshkrimet”, ka pohuar Çaushi.

Ai shton se arsyetimi ishte nga koalicioni qeverisës ishte që nuk guxohet të ndërhyhet në procesin e hetimeve.

“Ky proces i hetimeve as sot nuk është i përfunduar. Shikoni se ku shkon pafytyrësia e tyre për një rast si ky që po e  trajtojmë sot”.
“Më përgjegjësi për këtë farsë është Syla Hoxha – kryeprokuror i prokurorisë së Prizrenit”, shton ai.

“Ai konkludoi se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje. Në Kosovë nuk ka sistem të pavarur të drejtësisë”.

“Është e pabesueshme se si një ekip mjeko-ligjor mund të përpilojë një raport të tillë autopsie”.

“Aty thuhet se vdekja vjen si pasojë e asfiksisë, e më tej thuhet se mund të ketë qenë një ndalje e zemrës. Ky është një skenar i një filmi fantastiko-shkencor”.

“ Kurse raporti i ekspertëve të pavarur ka konstatuar se në vdekjen e Deharit, ka elemente të vetëmbrojtjes”.

“Institucionet shtetërore kanë përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit”, ka përfunduar Çaushi.

Deda: Vrasje apo vetëvrasje, Astriti vdiq në duart e shtetit

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës Ilir Deda i është bashkuar kërkesës së kolegëve të tij deputetë për një hetim ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit.

Deda tha se është tragjike se si një aktivist politik vdes në duart e shtetit, qoftë ajo vrasje apo vetëvrasje.

Ai tha se duhet të ndëshkohen bartësit e institucioneve përkatëse, duke dhënë dorëheqje.

Kërkesa normale në situatën jo normale është involvimi ndërkombëtar në rastin e Deharit.

“Përgjegjësia e bartëseve të institucioneve është dorëheqja”, u shpreh deputeti Deda

Tërmkolli e quan pallavër seancën e sotme

Deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli ka akuzuar partitë në koalicion PDK-në dhe LDK-në për thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

Këtë seancë ajo e ka quajtur pallavër, ndërsa tha se nuk ka se si të jetë e jashtëzakonshme kur e thërret shumica.

 Tërmkolli tha se ka përpjekje që nga ky rast të ketë përfitime politike ndërsa tha se i vjen rëndë që në Kuvend dëgjon patetizma.

“Kuvendi nuk është me kajtë. Dilni kani jashtë sa të doni. Kuvendi është me zgjidh probleme e jo me kajt”, tha Tërmkolli.

Sipas saj pika ku duhet të gjendet e vërteta dhe drejtësia për Deharin duhet të fillojë nga dita kur është arrestuar dhe është mbajtur me muaj në burg.

Tërmkolli më tej tha se këtij vendi i duhet  një pushtet  e edhe një opozitë me fytyrë njeriu.

Hoxha e shqetësuar për tendencën e manipulimit me rastin Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në seancën e jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, ka ngritur si shqetësim tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin, duke thënë se janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria, si dhe edhe pas daljes së Prokurorisë me raportin zyrtar.

Hoxha tha se ministria ka ndërmarrë të gjitha hapat për zbardhjen e këtij rasti. Ajo tha se është përpjekur që mos të ndërhyjë në këtë rast për t’i dhënë hapësirë institucioneve përgjegjëse që të hetojnë vdekjen e Astritit.

“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik duke u nxituar me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria, si dhe edhe pas daljes së Prokurorisë me raportin zyrtar. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë punën e institucioneve dhe që shfaqin mosbesim ndaj kësaj pune. Ne gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie. Konsideroj, se të besojmë në institucionet tona është më e pakta që duhet të bëjmë në këto rrethana”, ka thënë ministrja Hoxha.

Si Ministre e Drejtësisë, Hoxha ka garantuar se ministria që ajo drejton ka bërë çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit, por me kujdes që të mos dëmtohet procesi dhe të mos ndërhyhet në punën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura.

Ajo përmendi raportin e inspektoratit, ku është thënë se ka pas negligjencës së stafit, me çka ministria ka ndërmarr masa ndaj zyrtarëve në këtë burg.

Bajrami kërkon dorëheqjen e ministrave Hoxha dhe Hyseni

Shefja e Grupit Parlamentar të Nisma për Kosovën Valdete Bajrami ka ngritur shqetësimet për gjendjen ne burgjet e Kosovës.

Duke folur për rastin e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, Bajrami ka kërkuar dorëheqjen e ministres se drejtësisë Dhurata Hoxha, si dhe atij të punëve të brendshme Skënder Hyseni.

“Çdo jetë aty brenda është përgjegjësi e juaja dhe institucioneve”, u shpreh Bajrami.

Konjufca: PDK dhe LDK e kanë kidnapuar seancën

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se kjo seancë që po mbahet për Astrit Deharin është kidnapuar nga PDK dhe LDK.

Konjufca dha edhe arsyet pse tha se po kidnapohet  është se kjo po ndodh që të shmanget peticioni me nënshkrime të qytetarëve.

 Sipas tij ky peticion nuk kërkon vetëm debat, por kërkon edhe adresime të përgjegjësisë siç është droëheqja e ministres Dhurata Hoxha dhe ministrit Skënder Hyseni.

 Deputeti i VV-së tha se pas 5 nëntorit dita edhe kur vdiq Astrit Dehari në burg Kosova nuk mund të jetë e njëjta.

 Ai tha se Astrit Deharin nuk e ka vra shteti por pushteti ndërsa tha se ky pushtet po dëshiron që Vetëvendosjen ta shpall organizatë terroriste.

 Konjufca tha se Astrit Dehari nuk është vrarë më 5 nëntor por ditën kur është arrestuar si i dyshuar për terrorizëm.

 Konjufca më tej tha se duhet të japin dorëheqje presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, drejtori i Policisë Shpend Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Fatos Makolli, Abdurrahim Islami, etj.

“Kam besim të plotë që një ndryshim rrënjësor që i nevojitet vendit e kërkon fundin e kësaj makinerie. Nëse nuk çmontohet ky mekanizëm ajo çka mund të them është  ‘mjerët ne ku po jetojmë’”, tha Konjufca.

AAK propozon që FBI të hetojë rastin Dehari

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, gjatë seancës së jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, ka propozuar që FBI-ja të ftohen në zbardhjen e rastit të vdekjes së Deharit.

Lekaj tha se a është vrasje FBI-ja për ekspertizë si në rastin e Dino Hasanaj, pasi ata dinë më së miri këtë punë.

“AAK asnjëherë nuk ka tentuar nga rastet tragjike të askujt, nuk kemi përfituar ne refuzojmë të jemi pjesë e çfarëdo debati për këtë çështje pasi kështu siç është organizuar nuk i kontribuon zgjidhjen e rastit””, tha ai.

Beqiri: Rasti i Deharit u keqpërdor nga Vetëvendosja

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, gjatë seancës së jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, ka deklaruar se është abuzuar dhe keqpërdorur ky rast në forma të ndryshme.

Ai ka thënë se si LDK nga momenti i vdekjes së Astritit kanë qenë të interesuar të dinë të vërtetën për vrasjen e tij por asnjëherë nuk kanë dashur të marrin rolin e prokurorit dhe gjyqtarit.

 “Akush nga ne nuk do të shfrytëzojë rastin për përfitime politike, në asnjë rrethanë nuk duhet liçuar njerëzit dhe kjo është e papranueshme si është bërë nga VV”, tha ai.

Sipas tij, LDK është i interesuar të zbulohet dhe të dihet e vërteta për çdo rast. 

Pajaziti: Duam saktësisht të dimë se çfarë ka ndodhur me Astrit Deharin

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën plenare për vdekjen e ish aktivistit të LVV’së, Astrit Dehari, i cili muaj më parë ndërroi jetë në qendrën e Paraburgimit në Prizren. Shefi i Grupit parlamentar të PDK’së, Zenun Pajaziti, ka thënë se e mbështesin mbajtjen e kësaj seance. Ai ka shprehur besimin tek organet kompetente që të punojnë në zbardhjen e këtij rasti.

"Grupi Parlamentar i PDK’së e mbështetë nismën e deputeteve për të bërë debat për rastin Dehari. Edhe nga LVV është kërkuar një debat i tillë por ne atë kohë kemi hezituar që të kemi një debat të tillë. I ftojmë të gjithë që të jenë sa më korrekt në trajtimin e këtij rast", ka thënë Pajaziti.

Seanca e jashtëzakonshme për Astrit Deharin ka filluar.

Në këto momente është duke folur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti me iniciativën e të cilëve edhe po mbahet kjo seancë.

 PDK dhe LDK kanë mbledhur 40 nënshkrime për të mbajtur një seancë për Deharin i cili ka vdekur më 5 nëntor në burgun e Prizrenit në rrethana ende të paqarta.

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin

Kuvendi i Kosovës, sot mban seancë të jashtëzakonshme, ku do të debatohet për rastin e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit.

Seanca është thirrur pas nënshkrimit të 40 deputetëve të pozitës. Për mbajtjen e një seancë të tillë, kishin bërë thirrje më parë edhe deputetët e opozitës, por që nuk kishin arritur të mblidhnin nënshkrimet e nevojshme.

Astrit Dehari ka humbur jetën në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat