SPERTK: Miratojeni ligjin e ri për RTK-në, mos jepni leksione gazetarie

Aktuale

SPERTK: Miratojeni ligjin e ri për RTK-në, mos jepni leksione gazetarie

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 12:30
Radio Televizoni i Kosoves

Sindikata e punëtorëve të RTK-së në një reagim ka kërkuar miratimin e ligjit të për RTK-në duke theksuar se nuk e kuptojnë se po zvarritet kjo çështje.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin.

 Sindikata e Punëtorëve e RTK-së

Kryesia e SPERTK-së

Reagim

Po bëhen gati 18 vjet nga themelimi i mediumit të vetëm publik RTK, i cili për tërë këto vite ende nuk ka të përcaktuar pronën e tij, nuk ka të miratuar ligjin e ri për RTK-në, nuk e ka të zgjidhur çështjen e financimit të përhershëm dhe të pavarur, si dhe nuk e ka kryer digjitalizimin ende, procese këto që janë jetike për të ardhmen e RTK-së.

SPERTK nuk e kupton pse po bëhet tërë kjo zvarritje e miratimin e ligjit të ri për RTK-në. SPERTK ka kërkuar vazhdimisht që të miratohet ligji i ri, të zgjidhet çështja e pronës dhe ajo e financimit të përhershëm dhe të pavarur nga shteti. Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, është momenti i fundit për ta ndihmuar RTK-në, me miratimin e ligjit të ri, objektin e përhershëm dhe adekuat dhe çështjen e digjitalizimit.

Në vende të leksioneve se si do të duhej të zhvillohej puna e gazetarisë dhe raportimit, e presioneve të ndryshme, ju do t'i ndihmonit RTK-së duke ia miratuar ligjin dhe zgjidhur çështjen e pronës e financimit. Të nderuar deputetë ju jeni çdo ditë mysafirë të ftuar nëpër emisione të ndryshme në RTK, dhe si nuk ju bën përshtypje se ku zhvillohet puna e kolegëve tanë në objekte që më se paku u ngjajnë TV-ve dhe po ashtu të rrezikshme për shëndetin e kolegëve tanë.

Të nderuar deputetë, shumica e këtyre objekteve, në mungesë të hapësirës, janë të shndërruara nga garazhe në studio, dhe si rrjedhojë këto studio të improvizuara nuk kanë as dritare për ajrosje të ambientit ku punojnë kolegët tanë. Të nderuar deputetë, përveç objektit dhe kushteve jo të mira, ju e keni parë edhe rrugën e cila të dërgon për në kanalin RTK-3 dhe RTK-2 që është e prishur që sa kohë. Një shi i rrëmbyeshëm gjatë muajve të verës i ka vërshuar të gjitha studiot e RTK-së, duke rrezikuar jetën e kolegeve tanë. A nuk janë këto argumente të mjaftueshme që ju ta miratoni ligjin e ri për RTK-në.

Të nderuar deputetë, SPERTK kërkon nga kuvendi i Kosovës, dhe qeveria derisa të gjejë një zgjidhje të përhershme dhe të pavarur të financimit, ta rrisë përqindjen e buxhetit për RTK-në, të marrë parasysh rekomandimet e EBU-së rreth financimit të RTK-së, dhe urgjentisht ta zgjidhë çështjen e pronës dhe digjitalizimit. Ndryshe, nëse këto ditë nuk miratohet ligji për RTK-në, SPERTK shumë shpejt do ta bëjë publike datën kur do të dalim në protesta.

Sinqerisht,

Kryesia e SPERTK-së

                           Prishtinë, 21.12.2016

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat