Miratohet buxheti 2017 në lexim të parë me shumë kritika nga pozita dhe opozita

Aktuale

Miratohet buxheti 2017 në lexim të parë me shumë kritika nga pozita dhe opozita

Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 11:03
Seanca e Kuvendit

(E plotësuar) - As pas më shumë se një orë pritjeje nuk ka filluar punimet seanca e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të shqyrtohet leximi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2017.

Në sallë shihen vetëm një numër i vogël i deputetëve, kryesisht të LDK-së.

***

Me shumë kundërshtime të mëdha deputetët miratuan buxhetin prej 2 miliardë eurosh për vitit 2017 në lexim të parë.

Ndër kritikët më të mëdhenj për buxhetin ishte, deputeti nga PDK, Shukri Buja, cili tha se ky buxhet do ta çojë vendin në shkatërrim. Ai përmendi disa nga këto shkaqet që sipas tij do ta falimentojnë shtetin sikurse që i ka ndodhur Greqisë.

Buja: Jemi duke shkuar rrugës së shtetit të Greqisë

“Atakohet Ligji për veteranët e luftës, me qëllim që të zvogëlohen pensionet e veteranëve, sepse 38 milionë euro janë të pamjaftueshme për pensionet e veteranëve. Ne po i quajmë pensione, e ato në fakt nuk janë as ndihma sociale. Në çështjen e dytë, rritja e buxhetit përmes hua marrjes , 1 miliardë e 725 milionë është buxheti real i të hyrave, ndërsa 300 milionë hua marrjes. Kemi parasysh edhe raportin e auditorit, i cili e jep se Kosova deri në vitin 2016 ka hyrë në borxh publik 750 milionë euro shtuar edhe 300 milionë që kalon me mbi 1 miliardë euro borxh publik. 1 miliardë euro borxh publik i bien për kokë banori rreth 500 euro në borxh, në rast se kemi parasysh edhe një çështje tjetër, rrezikshmërinë të fitohen konestet në Gjykatën e Arbitrazhit, të cilat rrezikshmëri janë deri në 500 milionë, 1 miliardë e gjysmë mund të jetë borxhi i Kosovës dhe ne me këtë trend jemi duke shkuar rrugës së shtetit të Gre qisë, drejt falimentimit financiar të shtetit. Buxheti është i shpenzimeve rrjedhëse, e jo i zhvillimit ekonomik”, tha  Buja.

Ai tha se nuk duhet të rrezikojnë, sipas tij, duhet t’iu tregohet qytetarëve se ky buxhet nuk është në të mirë të tyre dhe as në mbrojtje të shtetit.  

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli gjatë debatit për Buxhetin 2017, në lidhje me buxhetin për shëndetësi dhe veteranët, kërkoi që të hiqen kriminelët dhe llopovat prej sistemit të shëndetësisë dhe të pastrohen listat e veteranëve, sepse sipas saj para ka boll për shëndetësi dhe veteran të vërtet.

Tërmkolli: Hiqni kriminelët nga sistemi i shëndetësisë

“Te shëndetësia po thoni që nuk ka pare boll, unë po ju them veç hiqni  kriminelët edhe hiqni llopovat prej sistemit të shëndetësisë, pare ka mjaft. Ata që e kanë sëmurë edhe shtetin edhe popullin hiqni, se pare ka boll për shëndetësi. Edhe e dyta veteranët, na keni lodhë me veteranët, të ashtuquajturit veteran. hiqni  të ashtuquajturit veteran nga listat, edhe hiqni të vet shpallurit veteran, sepse për veteranët e vërtet, ata që për një mend janë veteran, të cilëve ju a keni marr bukën, pare ka boll edhe votoni buxhetin”, tha Tërmkolli.

Projektbuxhetin që u diskutua në Kuvend e kritikoi ashpër edhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi.

Ai tha se me buxhetin e vitit 2017 nuk do të ketë ushtri të Kosovës. Sepse Qeveria prapë është kujdesur me vetëm 5 milionë euro për ushtri sa një gjysmë kilometri autostradë. Po ashtu sipas Selimit ky buxhet nuk garanton rritje të kapaciteteve të Policisë.

Selimi: Nuk do të kemi ushtri në vitin 2017 me këtë buxhet

“Ky buxhet vetëm një gjë e garanton, që ne për vitin 2017 as nuk do të kemi rritje të kapaciteteve të sigurisë për Policinë e Kosovës dhe as nuk do të kemi ushtri të Kosovës, apo rrjedhimisht as Forcë të Armatosur të Kosovës”, tha Selimi.

Ai u ka bërë thirrje që këtë projektligj ta refuzojë edhe pozita, kështu sipas tij që të gjitha ato letra për këtë buxhet duhet të shkojnë në riciklim.

Këtyre kritikave iu është përgjigjur ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili tha se i vlerëson të gjitha komentet që janë dhënë për buxhetin 2017. Sipas tij, 380 milionë euro i kanë më shumë të hyra për të mbuluar shpenzimet. Kemi rritje të buxhetit për arsim, por cilësia sipas tij, është një problem tjetër. Rritja e borxhit publik është më e vogël se në rajon, ku Hoti tha se kanë klauzolën për projekte të rëndësishme për huazime me norma të interesit me 0.5 për qind, që janë mjaft të ulëta sipas tij.

Ai tha se ka një gatishmëri të madhe për financimin e projekteve nga institucionet financiare  ndërkombëtare. Rritja ekonomike Hoti tha se do të jetë mbi 4 për qind. Po ashtu ai tha se punësimi po rritet, mbi 18 mijë veta janë kontribuues të rinj në trust.

Ai siguroi deputetët se mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) 500 milionë euro që janë të deponuar në BQK, sigurohet ai, se që të gjitha këto shkojnë vetëm për investime kapitale.

Hoti: Buxhet që është i qëndrueshme nga aspekti i të hyrave

“Mendoj se me një fakt pajtohemi të gjithë që buxheti 2017 është shumë i ndryshueshëm nga buxheti i viteve paraprake, e para sepse bëjmë një kapërcim në totalin e shpenzimeve, në veçanti një rritje  e madhe e shpenzimeve kapitale prej 46 përqind, krahasuar me këtë vit që po lëmë pas dhe 77 përqind krahasuar me fillimin e mandatit të kësaj qeverie, dhe një buxhet që është i qëndrueshëm nga aspekti i të hyrave”, tha ministri Hoti, duke iu përgjigjur komenteve të disa deputetëve që kritikuan formësimin e këtij projektbuxheti.

Ai tha se ky buxhet është përgatitur me transparencën e plotë dhe i siguroi deputetët që mos ta kenë as një dyshim se Dogana nuk do të arrijë realizimin e të hyrave prej 1 miliardë e 100 milionë euro, sipas tij, pa dyshim kjo do të arrihet. Ai tha se shpërndarja e investimeve nëpër komuna është përgjegjësi e ministrive përkatëse. Ai i ftoi deputetët që ta aprovojnë këtë projektligj.

Ndërsa, pas shumë fjalimeve të deputetëve në orët e vona të pasdites me 73 vota për dhe 20 kundër, është miratuar në parim shqyrtimi i parë i Projektligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2017. Leximi i dytë i Projektligjit të Buxhetit do të vazhdojë në seancën e sotme që pritet të fillojë në ora 21:00.

Miratohet në parim Buxheti për vitin 2017

Pas shumë vërejtjeve që mori për Projektligjin për buxhetin ministri i Financave Avdullah Hoti doli edhe një herë në foltore për të thënë se buxheti për vitin e ardhshëm është i duhur.

Sipas tij 380 milionë euro kanë  më shumë të hyra për të mbuluar shpenzimet.

 “Kemi rritje të buxhetit për arsim, por cilësia është problem tjetër. Rritja e borxhit publik është më e vogël se në rajon. Kemi klauzolën për projekte të rëndësishme për huazime me norma të interesit me 0.5 përqind, të ulëta. Ka një gatishmëri të madhe për financimin e projekteve  nga institucionet financiare  ndërkombëtare . Rritja ekonomike kemi kapërcime reale me një rritje mbi 4.4 për qind. Ky buxhet e stabilizon zhvillimin ekonomik. Punësimi po rritet, mbi 18 mijë veta kontribuues të rinj në Trust”, tha Hoti.

Sipas tij të hyrat janë të larta edhe nga mbledhja e TVSH-së.

 Ndërsa Hoti tha se mjetet e AKP-së që janë të deponuar në BQK, duhet të sigurohen që të shkojnë vetëm për investime kapitale.

“Pajtohem që Kosova nuk është parajsë, është vet zhvillimi me plot  sfida për të luftuar korrupsion nga zbritja e TVSH-së ka ulje nga 16 në 8 për produkte esenciale. Nuk ka presione për rritje të taksave. Ky buxhet është përgatitur me transparencën e plotë. Mos ta keni as një dyshim se dogana do ta arrijë realizimin e të hyrave prej 1 miliard e 100 milionë eurove pa dyshim do të arrijë”, tha Hoti duke thënë se shpërndarja e investimeve nëpër komuna është përgjegjësi e ministrive përkatëse.

 “Ju ftoj që ta aprovoni këtë projektligj”, tha Hoti.

Miratohet në parim Buxheti për vitin 2017

Me 73 vota për dhe 20 kundër, është miratuar në parim shqyrtimi i parë i Projektligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Leximi i dytë i Projektligjit të Buxhetit do të vazhdojë në seancën e sotme që pritet të fillojë në ora 21:00

Termkolli: Hiqni kriminelët dhe llopovat prej sistemit të shëndetësisë

Deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli gjatë debatit për Buxhetin 2017, në lidhje me buxhetin për shëndetësi kërkoi që të hiqen kriminelët dhe llopovat prej sistemit të shëndetësisë, “pasi para ka boll për shëndetësi”.

“Veç hiqni kriminalët dhe llopovat, pare ka boll për shëndetësi. Na keni lodhe me veteranët, hiqni veteranët e rrejshëm, që të marrin pagën e merituar veteranët e vërtet”, tha shkurt Melhate Termkolli.

**

Shukri Buja nga PDK ka dhënë kritika të ashpra për buxhetin 2017.

Sipas tij ky buxhet do ta çojë vendin në shkatërrim. Ai përmendi disa nga këto shkaqe që sipas tij do ta falimentojnë shtetin sikurse që i ka ndodhur Greqisë.

 “Nuk ka investime  për qytetarët e Kosovës, pastaj ligji i veteranëve sepse 38 milionë euro janë të pamjaftueshme  për veteranet sepse nuk janë as pensione ato që i marrin.

 Kosova ka hyrë në borxh publik 700 milionë euro, rrezikshmëria e Gjykatës së Arbitrazhit mund të shtojë Kosovës në një  miliard e gjysmë borxhe dhe Kosova po merr rrugën e Greqisë drejt falimentimit”, tha Buja.

Buja tha se investimet nuk janë për 46 përqind rritje, por shpenzimet janë për paga dhe mëditje dhe transfere.  

“Ne si deputetë jemi të  Kosovës dhe nuk duhet të rrezikojmë, duhet t’iu tregojmë se ky buxhet nuk është në të mirë të tyre, dhe as në mbrojtje të shtetit. Ky buxhet nuk është në mirën e zgjedhjes së të miras së pensioneve të veteranëve”, tha Buja.

Ai bëri thirrje që ky projektligj të tërhiqet.

Haxhiu: Buxheti është ndarë më shumë për komunat e LDK-së?

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu pati kritika për kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmani, nga të cilët kërkoi që në buxhet të vitit të ardhshëm të futet edhe projekti i shtëpive muze në Kompleksin e Jasharëve në Prekaz, i cili sipas tij, kap shumën mbi 1 milion euro.

Ai kërkoi nga Komisioni për Buxhet dhe Financa që gjatë shqyrtimit ta fut këtë kërkesë të tij në projektligj.

Haxhiu po ashtu ka ngritur shqetësim edhe për ndarjen e buxhetit për shëndetësi pasi që sipas tij është  premtuar nga kryeministri Mustafa se këtë sektor do ta ketë në prioritet.

 Haxhiu tha se sigurime  shëndetësore nuk do të ketë edhe as që do të implementohet në vitin 2017.

Lista esenciale e barnave sipas tij, nuk është duke e trajtuar me prioritet këtë cështje. Një nga shqetësimet e deputeti Haxhiu është edhe mungesa e investimeve në spitalin e Prishtinës ndërsa tha se projekti për spitalin e Podujevës është për shkak të partisë së kryeministrit(LDK) që e ka këtë komunë.

Haradinaj: Ky Buxhet e diskriminon Rajonin e Dukagjinit

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se opozita në tërësi, por edhe ai personalisht, s’ka si të pajtohet me këtë buxhet të propozuar nga Qeveria për shkak se është i shpërndarë në mënyrë jo proporcionale dhe u shkon për favor vetëm atyre që janë në pushtet.

“Ky buxhet shkon vetëm tek interesat e pushtetit”, ka thënë Haradinaj duke folur direkt nga Kuvendi.

“Buxheti diskriminon perëndimin e Kosovës dhe është e pafalshme se si e trajton në këtë formë diskriminuese rajonin e Dukagjinin, rreth 600 mijë e më shumë banorë”.

“Prandaj, nuk kemi se si të pajtohemi me këtë buxhet. Po ashtu, është e pamundur që të ketë ridestinim të mjeteve kur flasim për projekte serioze”.

Haradinaj ka folur edhe për pajtimin që opozita po gjen me disa nga deputetë e pozitës sa i përket buxhetit.

“Deputetët e pushtetit që e kritikuan këtë buxhet nuk bënë asgjë tjetër pos që e thanë të vërtetën”.

 

***

Projektligji për buxhetin që po diskutohet në Kuvend e kritikoi ashpër edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Ai tha se ky buxhet nuk garanton formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Me buxhetin e vitit 2017 nuk do të jetë ushtri e Kosovës. Sepse Qeveria prapë është kujdesur me vetëm 5 milionë euro sa një gjysmë kilometri autostradë. Ky buxhet nuk garanton rritje të kapaciteteve të Policisë”, tha Selimi.

Ai u ka bërë thirrje që këtë projektligj ta refuzojë edhe pozita këtë, kështu sipas tij që të gjitha ato letra për këtë buxhet duhet të shkojnë në riciklim.

Image
Deputetja e AAK-së Time Kadriaj

Kadriaj: Buxheti rrit korrupsionin sepse është orientuar në autostrada dhe asfalt

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj duke diskutuar për buxhetin sot në Kuvendin e Kosovës tha se nuk ka investime për gjelbërimin e ambientit të Kosovës.

Ky buxhet sipas Kadriajt  rrit vetëm korrupsionin ngase është i orientuar në autostrada dhe asfalt.

 “Do të duhej të luftohej informaliteti  dhe të mos kërcënohen veteranët  e luftës për pension”, tha Kadriaj.

 Sipas saj investimet në rajonin e Dukagjinit janë të vogla. Kadriaj tha se me rreth 55 milionë euro nuk mund të ketë investime në bujqësi dhe të rimëkëmbet ky sektor mjaft i çmueshëm për vendin.

 Kadriaj tha se Doganat e Kosovës janë burim kryesor i arkës së shtetit, dhe për vitin 2017 mbetet një sfidë, ngase në vitin 2017 do të duhet të inkasojë 1 miliardë e 100 milionë euro.

 Edhe Kadriaj u shpreh e shqetësuar për buxhetin për  shëndetësi pasi sipas saj është i njëjtë dhe do të vazhdojë të përballet me shumë sfida.

Muja kërkon edhe një milion euro për Drenasin

Deputeti Shaip Muja ka deklaruar se sektori i shëndetësisë ka buxhet më të vogël për vitin e ardhshëm ndërsa sipas tij kërkohet kualitet më i madh.

“Unë nuk e e kam të qartë se si do të mblidhen sigurimet dhe si do të shpërndahen. Sistemi i informimit shëndetësor nuk është funksional, prandaj, ky nuk garanton sigurim shëndetësor. Unë po besoj  që shëndetësia në vitin e ardhshëm do të jetë në kaos. Mënyra e menaxhimit të shëndetësisë është shumë shqetësuese”, tha Muja.

Sipas tij një shtet që nuk investon në shëndetësi dhe arsim, ai shtet nuk mund të bëjë as polici as ushtri. 

Muja me këtë rast ka kërkuar që të ndahen edhe  1 milionë euro për komunën e Drenasit, ngase atje siç tha ai nuk ka pasur investime qe 70 vjet.

Image
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa

Mustafa: Me buxhetin prej 2 miliardë synojmë rritjen e investimeve kapitale

Pas pushimit të drekës ka vazhduar seanca e Kuvendit ku po diskutohet lidhur me projektligjin e buxhetit për vitin 2017.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se si qeveri ka arritur që Kosovës në vitin 2017, t’i ofrojë buxhet që siguron zhvillim dhe reflekton programin e koalicionit qeveritar për zhvillimin e vendit, rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Mustafa tha se këtë vit pret që rritja ekonomike të jetë 4.1 për qind që sipas tij  është mbi rritjen ekonomike në vendet në regjion dhe BE.

Mustafa shtoi se indikatorët flasin për normën e rënies së normës së papunësisë.

Sipas tij, ky buxhet është refleksion i reformave, i përmirësimit të ambientit të bërit biznes.

Kryeministri theksoi se përmes buxhetit që për herë të parë ka arritur vlerën prej 2 miliardë euro, qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale.

“Ky buxhet do të përcillet me efekte pozitive të MSA-së në buxhet”, tha Mustafa.

Image
Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri

Ymeri: Buxheti i Kosovës varfëron qytetarin e Kosovës

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se buxheti që prezantoi Qeveria e varfëron qytetarin e Kosovës.

Sipas Ymerit, fatkeqësia e këtij vendi është se asgjë nuk ndryshon politika qeveritare, karshi zhvillimit ekonomik.

 “E dëgjova kryeministrin Mustafa që tha se rritja ekonomike jo që është më e madhe në rajon por dhe në vendet e BE-së. Kështu e kemi fituar një lloj stabiliteti dhe qëndrueshmërie ekonomike, që Kosova do ta ketë një të ardhme të ndritur. Ndërkohë në realitet edhe po të jetë kjo rritje ekonomike, pra Kosova nuk është duke u zhvilluar, sepse ekonomia jonë është jashtëzakonisht e dobët”, tha Ymeri.

 Sipas tij këtu ka hapësirë për të mashtruar me numra dhe këtë hapësirë Qeveria zakonisht e përdor.

 Qëndrimin e deputetëve të PDK-së Ymeri e ka quajtur veprim përtej hipokrizisë.

 “Grupi i PDK tha se ky buxhet nuk vlen pesë pare dhe pastaj tha se do ta votojnë. Kjo është përtej hipokrizisë. Ky buxhet nuk meriton të kalohet, as kjo Qeveri të përgëzohet. Vazhdimi i kësaj situate në aspektin ekonomik, po e bënë Kosovën që interesimi për të ikur po rritet”, tha Ymeri.

Hoti prezanton para deputëteve “buxhetin e zhvillimit”

Ministri i Financave Avdullah Hoti i cili para deputetëve prezantoi projekligjin e buxhetit për vitin 2017 tha se ky buxhet adreson prioritetet zhvillimore, programin e reformave ekonomike dhe strategji tjera sektoriale.

Image
Ministri i Financave Avdullah Hoti

Sipas tij me  gjithë ecuritë pozitive, kanë  shumë sfida që të adresohen dhe se  kërkesa për financim është më e lartë se sa mundësitë.

“Parimet, janë ruajtja e qendrueshmërisë fiskale,rritjen e shpenzimeve kapitale dhe eliminimin e barrierave fiskale”, tha Hoti.

Sipas tij ky buxhet ka pajtueshmërinë e plotë të FMN-së dhe se duhet respektuar  dakordimin me ta.

“Parashikimet tona janë që në vititn 2017 do të ketë rritje ekonomike së paku 4.4 përqind”, tha Hoti.

Për sot është paraparë që të miratohet projekligji për buxhet.

Image
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje Visar Ymeri

Ymeri: Kontrata kriminale mes PTK-së dhe Z Mobile lidhet me Hashim Thaçin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje Visar Ymeri, ka folur për kontratën e nënshkruar në mes PTK-së dhe kompanisë Z mobile, duke e cilësuar atë kriminale.

Ai tha se me  licencimin e paligjshëm të telefonisë së Serbisë në Kosovë dhe zhvatjen e PTK-së është i lidhur Hashim Thaçi dhe klani pronto.

“Historia e kontratës kriminale mes PTK-së dhe Z mobile, teksa çdo kush me mendje normale do të priste shkëputjen e kësaj kontrate, ndodh e kundërta. Kjo kompani me eksponentë të pushtetit, duhet të hetohet, që përfundoi me një fitim me klanin pronto përfaqësuar nga kompania Devolli’, tha Ymeri.

Ai ka kërkuar hetime lidhur me këtë çështje.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur që leximi i dytë i projektbuxhetit për vitin 201, të bëhet sot në një seancë tjetër plenare.

Ky ishte propozimi i shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, i cili morri shumicën e votave të deputetëve.

Me kërkesë të Ismet Beqirit, me gjithë kundërshtimet e deputetëve të VV-së, Kuvendi ka hequr nga rendi i ditës debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë tjerë lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për heqjen e rendit të ditës kanë votuar 61 deputetë,  13 kundër dhe tetë kanë abstenuar.

Simiq kërkon që sa më shpejt të formohet Asociacioni

Deputeti Sllavko Simiq i cili dje është shkarkuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe sot me t’u kthyer në Kuvend kërkoi nga partnerët e koalicionit që të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe.

Ai arsyetoi edhe kthimin në seanca të Kuvendit pas disa muajsh mungesë duke thënë se kthimi i tyre është bërë me qëllim që vetëm në këtë mënyrë mund të realizojnë qëllimet e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

Simiq tha se Lista Serbe është kundër Ligjit për Trepçën dhe ligjeve tjera që sipas tij cenojnë interesat e qytetarëve serbë.

Kuvendi nesër diskuton për murin në Mitrovicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur për mbajtjen e një debati parlamentar për murin në Mitrovicë gjatë ditës së nesërme.

Me 83 vota pro deputetët kanë vendosur që të mbahet debati parlamentar për murin e Mitrovicës të iniciuar nga shefi I GP të LDK-së Pal Lekaj.

Image
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu

Haxhiu: Nuk e kuptoj logjikën e mbrapsht të mazhorancës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka kundërshtuar heqjen e pikave të rendit të ditës për seancën e sotme.

Ajo tha se është e palogjikshme që në këtë seancë po propozohet të hiqen pika të rendit të ditës, ndërsa po shtohen pika të tjera.

“Kjo seancë është dashur të fillojë në orën 10:00. Tani jemi afër orës 11:00 dhe ende s’kemi fillu me diskutu. Është e pakuptueshme si në këtë seancë po propozohen të hiqen pika që s’paskemi kohë. Ndërsa po shtohen pikat tjera. Nuk po e kuptojë këtë logjikë të mbrapsht të mazhorancës”, tha Haxhiu.

Pajaziti: Debati parlamentar për murin në veri të zhvillohet nesër

Kryetari i Grupit Parlamentar Zenun Pajazaiti ka përkrahur propozimin e atij të LDK-së Ismet Beqiri që në seancën e sotme të diskutohet vetëm çështja e buxhetit.

Kjo sipas Pajazitit do të ishte me më vend për shkak se deputetët do të kenë mundësi të fokusohen më shumë tek çështja e buxhetit.

Pajaziti tha se kërkesa e deputetit të AAK-së Pal Lekaj për debat parlamentar për murin në veri të Mitrovicës, të bëhet gjatë ditës së nesërme.

“Pajtohem me Beqirin, në mënyrë që deputetët të kenë kohë të fokusohen  për buxhetin”, tha Pajaziti.

Ymeri kërkon që çështja e buxhetit të diskutohet me vëmendje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri i tha kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli se nuk po di të drejtojë seancën.

“Qysh ende s’u mësove deri më tani”, i tha Ymeri, kryetari i Kuvendit.

Sa i përket pikës kryesore të rendit të ditës që është miratimi i buxhetit tha se nuk mund të diskutohet për një ditë pasi që është një çështje e rëndësishme. Buxheti sipas kryetarit të VV-së duhet të diskutohet me vëmendje.

Lidhur me kërkesën e deputetit Ismet Beqiri për shtyrjen e pikës ku do diskutohej për arrestimin e aktivistëve të VV-së Ymeri tha se shumë herë janë bërë shkelje.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me propozimin e shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri që në këtë seancë të diskutohet vetëm për buxhetin, në lexim të parë dhe në lexim të dytë.

Image
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri

“Propozoi mocion për shqyrtimin e dytë të buxhetit për vitin 2017, që  të bëhet me procedurë të përshpejtuar. Shqyrtimi  i dytë i projektligjit të bëhet po sot, pas kësaj seance, si dhe deklarimet jashtë rendit të ditës të hiqen dhe të shkojmë drejtpërdrejtë në buxhet”, ka thënë ai.

Ai po ashtu propozoi që pas buxhetit të diskutohet për ligjin për faljen e borxhit, i cili ka vetëm tri amendamente.

Beqiri kërkoi që pika 10 e rendit të ditës, e cila është paraparë të ketë debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 deputetë tjerë lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj

Lekaj kërkon që Kuvendi të diskutojë për murin e Mitrovicës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj kërkoi që në këtë seancë të futet si pikë e rendit të ditës çështja e murit të Mitrovicës.

Ai tha se kjo çështje është shumë e rëndësishme për ngjarjet që po ndodhin së fundi në Mitrovicë.

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit të Buxhetin të Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Në rendin e ditës, ndër të tjerash do të zhvillohet edhe debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 deputetë tjerë lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Deputetët serb në Kuvend

Deputetët serb janë kthyer në seancë. Sllavko Simiq, Sllobodan Petroviq dhe Sasha Milisavljeviq tashmë janë në seancë të Kuvendit të Kosovës.

Në Kuvend deri tash janë parë parë Sasha Milosavjleviq, i cili dje u emërua shef i grupit parlamentar, por që u demantua më vonë nga “Lista Serbe”. Aty është edhe shefi i deritashëm i Grupit Parlamentar, Sllavko Simiq.

“Srpska” kishte vendosur që të bojkotojë punën në Kuvendin e Kosovës që nga tetori kur ishte miratuar Ligji për Trepçën, e të cilin veprim përfaqësuesit e serbëve në Kosovë e cilësuan si veprim të njëanshëm të Kosovës e që sipas tyre nuk shkon në dobi të qytetarëve serbë të veriut të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat