Miratohet Buxheti, që për herë të parë është 2 miliardë euro

Aktuale

Miratohet Buxheti, që për herë të parë është 2 miliardë euro

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 00:37
Kuvendi

(E plotësuar) -  Kuvendi i Kosovës shqyrtoi 30 amendamente, ku disa kanë marrë pëlqimin e Komisionit funksional dhe disa të tjera nuk janë votuar nga deputetët në seancën që u mbajt në orët e vona të natës së sotme.

Amendamentet si në vijim: Amendamenti 29, i propozuar nga deputeti Shpëtim Bulliqi nuk kaloi. Amendamenti 30 i propozuar nga Teuta Haxhiu për një projekt në Deçan rreth 100 mijë euro nuk kaloi. Amendamenti 32 i propozuar nga deputetja Tauta Haxhiu, për projekt në rrugën Deçan-Plavë, nuk ka kaluar. Amendamenti 33 deri 37 janë tërhequr nga Armend Zemaj. Amendamenti i 40 i propozuar nga Pal Lelak me dy projekte në vlerë 230 mijë euro nuk kaloi. Amendamentin 41 e ka tërheq Pal Lekaj. Amendamenti 42 i propozuar nga deputeti Bali Muharremaj është aprovuar, kurse amendamenti tjetër 44 nga deputeti Bali Muahrrimi nuk kaloi. Amendamenti 45 i Danush Ademit nuk ka marrë vota të mjaftueshme për votim. Amendamenti i 46 i propozuar nga Aida Dërguti nuk ka kaluar. Amendamenti 47 i propozuar nga deputeti Ali Berisha për spitalin e Pejës nuk ka kaluar. Amendamentet 48, 49 dhe 50 të propozuara nga Enver Hoti nuk morën votat e duhura nga deputet, kurse amendamentet 51 dhe 52 kanë fituar përkrahjen e Komisionit funksional. Amendamenti 53 i propozuar nga deputetët Nezir Çoqaj dhe Luljeta Veselaj, pa përkrahjen e Komisionit funksional, ku kërkoi edhe ministri Hoti të mos votohet, ku edhe shumica e deputetëve nuk e përkrahën. Amendamenti 54 i propozuar nga Time Kadrijaj pa përkrahjen Komisionit funksional ka kaluar, kurse amendamentet 55 dhe 56 deputetja i ka tërhequr. Amendamenti 57 i propozuar nga deputeti Hajdar Beqa, i cili ka treguar burimin e financimit, pa përkrahjen e Komisionit funksional nuk kaloi. Amendamenti 58, 59 i propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu kanë pasur përkrahje nga komisioni funksional. Kurse, amendamenti 60 i propozuar nga deputeti Haxhiu pa përkrahjen e Komisionit funksional nuk ka kaluar.

Ministri Avdulla Hoti propozoi financimin e ndërtimit të objektit të Doganës dhe ATK, i cili mori mbështetjen e deputetëve.

Deputetët e Kuvendit më 70 vota pro dhe 7 kundër, kanë miratuar Buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili për herë të parë është 2 miliardë euro.

Veseli detyron Qeverinë ta financojë kompleksin memorial “27 prilli” në Meje të Gjakovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka marrë një vendim të papritur gjatë seancës plenare ku po shqyrtohet buxheti i Kosovës për vitin 2017.

Ai ka votuar pro një amendament në buxhet, edhe pse kundër këtij amendamenti ishte Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Kreu i legjislativit kur e ka dëgjuar amendamentin e propozuar nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu i cili ka të bëjë me ndërtimin e kompleksit memorial “27 prilli” në Meje të Gjakovës, ka vendosur që ta mbështesë atë dhe insistimi i tij bëri që ky amendament të marrë shumicën e mjaftueshme të votave dhe të miratohet, pavarësisht kundërshtimit të Qeverisë.

Me këtë amendament parashihet investimi prej 300 mijë euro për rregullimin e memorialit për nder të viktimave të luftës, andaj Veseli insistoi që ky projekt të kaloj patjetër.

Mustafa: Ligjet duhet bërë mbi bazën e burimit

Gjatë debatit për amendamentimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2017, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se do të vijmë në një pozitë të pavolitshme nëse votojmë pa burime.

“Ne do të vijmë në një pozitë të pavolitshme nëse votojmë pa burime. Edhe ligjet duhet me i bërë mbi bazën e burimit. Iu kisha lut që të kemi kujdes, nëse bëjmë ndryshime duhet me burime, sepse pa burime e kemi vështirë me bë ligje. Me bë ligj pa mbulesë nuk mund të pajtohem”, tha ai

Osmani: Komisioni ka shqyrtuar 99 kërkesa

Naser Osamni, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa theksoi se Komisioni ka shqyrtuar 99 kërkesa, 32 kërkesa në formë të amendamenteve dhe nga kjo janë bërë 60 amendamente që përbejnë 150 ndryshime buxhetore.

“Megjithëse ka qenë mbledhje urgjente, janë bërë dy gabime, sepse janë dy përsëritje në projektbuxhetin e vitit 2017, të gjitha këto teknike. Shumë prej 9.6 milionë për RTK do të bëhet 11 milionë euro. Këto kisha dashur të evidentohen dhe të përmirësohen. 28 amendamentit e Komisionit të votohen në pako, duke përfshirë edhe këtë për RTK. Në shumicën e amendamenteve Komisioni i ka trajtuar dhe po ashtu edhe disa kërkesa të opozitës janë përfshirë”, tha Osamni.

Kurse Safete Haderxhonaj, nënkryetare e Komisionit ka thënë se edhe një plotësim ndryshim është gabim, te një emër i një projekti, për arritje sportive, në kategorinë salla sportive në Zhur, nuk është salla por stadium.

Deputeti Dauta Haradinaj theksoi është mirë që kryetari i Komisionit me i sqaruar  amendamentet. Kurse Naser Osmani theksoi se i kanë trajtuar dhe si amendament të aprovuara të Komisionit, jo të deputetëve. “Kemi bërë ndryshime të vogla të shumës që janë bërë”, tha ai.

Fillon shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin 2017

Pas më shumë se tre orë pritjeje, ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet për herë të dytë Projektligjit për Buxhetin e vitit 2017.

Miratohet buxheti 2017 në lexim të parë me shumë kritika nga pozita dhe opozita

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat