Thaçi tregon arsyen pse bëri homazhe te serbët e vrarë gjatë luftës

Aktuale

Thaçi tregon arsyen pse bëri homazhe te serbët e vrarë gjatë luftës

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 12:13
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se arsyeja e themelimit të Gjykatës Speciale është mos arritja që të mbrohen dëshmitarët.

Ai ka thënë se në Kosovë dëshmitarët janë kërcënuar dhe vrarë dhe në këtë rast Kosova ka dështuar.

Ky është fjalimi i tij:

“Këtë herë shkova në Grackë të Lipjanit. Aty vendosa lule tek pllaka përkujtimore në qendër të fshatit që përkujton 14 qytetarë serbë, bujq e punëtorë. E theksova atje dhe po e them përsëri këtu se ky akt dhe aktet e tjera të dhunës kanë qenë vepra kundër lirisë dhe së ardhmes demokratike të Kosovës, dhe jo vetëm kundër viktimave dhe familjeve të tyre. Krimi është krim, kundër kujtdoqoftë të jetë bërë, apo nga kushdoqoftë që është kryer. Edhe sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat civile të të gjitha komuniteteve, të vrarë gjatë dhe pas luftës. Në muajin gusht përkujtova vrasjen e dy dhe plagosjen e katër fëmijëve serbë në fshatin Gorazhdec në afërsi të Pejës, që kishte ndodhur në vitin 2003.

Në qendër të fshatit u ndala me banorët vendas, serbë. Pas këtyre vizitave, filluan të shfaqeshin opinione të ndryshme. E dija se ende ka njerëz të lënduare të helmuar nga urrejtja ndërnacionale. Prandaj këtu menjëherë ftojë që të gjithë të ngrehemi mbi urrejtjen dhe jo-tolerancën. Dikush thoshte se është herët për gjëra të tilla, unë vlerësoja se jemi vonë. Fundja, viktimat ishin produkt i ferrit historik të raporteve serbo-shqiptare dhe atyre rajonale, që kurrë nuk u ushqyen me vullnet mirëkuptimi apo pajtimi, por vetëm me urrejtje dhe armiqësi.

Çuditërisht, sulmet kundër këtyre veprimevetakoheshin dhe bëheshin bashkë në ekstremet e tyre. U ngritën disa pyetje legjitime: pse po nderoja serbët kur ata na kanë vrarë, kur në pllakat përkujtimore shkruante në çirilicë: “viktima të terroristëve shqiptarë dhe të agresionit të NATO-s”. U tha se po cenoheshin vlerat e luftës së popullit të Kosovës për liri. Po fyheshin dëshmorët dhe lufta e shenjtë të UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Në anën tjetër vazhdonin akuzat e ster-vjetëruara tash e dekada kundër shqiptarëve në tërësi. Në tërë këtë, më i urti ishte reagimi i familjarëve të të vrarëve,shqiptar e serbë, të cilët edhe një herë patën vetëm një kërkesë, vetëm një dëshirë: ’’duam të vërtetën’’.

Prandaj të sakrifikojmë nga pak të gjithë për të vërteten. E vërteta nuk duhet ta pengoj dhe frikësoj askënd. Jam vetëdijshëm dhe i bindur se po bëja punën më të mirë për vendin. E dija se çfarë shkruante në pllakat përkujtimore në alfabetin çirilik. Nuk pajtohem me tekstin sepse është paragjykim dhe gënjeshtër. Por, kjo nuk duhet të na ndalojë t’i nderojmë viktimat. Me këtë nderim ne nuk cenojmë vlerat e lirisë sonë e as luftën e UÇK-së.

Vlerat e lirisë sonë e të luftës së UÇK-së i cenojnë mu ata që i kanë bërë këto krime dhe ata që sot i arsyetojnë këto krime. Përpjekja për t’i arsyetuar krimet duke thënë se janë bërë në emër të kauzës kombëtare, duhet të jetë arsye për brejtje të ndërgjegjes sepse po keqpërdoret çështja kombëtare, në dëm të intersit dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës.

Ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cenuar vlerat e lirisë dhe vetë luftën e UÇK-së.  Ne duhet t’i standardizojmë vlerat çlirimtare e të mos lejojmë që askush t’i degjenerojë ato. Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara. Nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për vendin. Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve. Unë besoj në Zot dhe vlera morale, ndërgjegje, drejtësi e pajtim, duke mos e akuzuar apo ofenduar askënd për asgjë. Por duke i ftuar të gjithë për drejtësi, solidaritet dhe pajtim ndëretnik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat