Radikalizmi fetar që po dëmton imazhin e Kosovës

Aktuale

Radikalizmi fetar që po dëmton imazhin e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 dhjetor 2016 Në ora: 16:06
Hetuesia kishte konstatuar në bazë të njohurive të deritanishme se vëllezërit me origjinë nga Kosova nuk kanë lidhje as me të dyshuarin për sulmin në Berlin Anis Amri, i cili është vrarë në Milano të Italisë.

Arrestimi i dy vëllezërve nga Kosova të dyshuar për terrorizëm në Gjermani, e të cilët u liruan në mungesë provash, ka ngjallë dyshime se kjo do të dëmtojë imazhin e shqiptarëve në Gjermani e Evropë e më gjerë, pasi shqiptarët deri më tani nuk janë parë si kërcënim i mundshëm për këto lloj sulmesh terroriste.

Analistët dhe njohësit e kësaj fushe, vlerësojnë se ky rast nuk guxon t’i vë në dyshim marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ka Kosova me popullin gjerman. Sipas tyre, kjo nuk duhet të ndodh meqë miqësia gjermano - shqiptare është shembull më i mirë i bashkëpunimit të popujve.

Njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili pohuar se, arrestimi i dy vëllezërve nga Kosova të dyshuar për terrorizëm në Gjermani, nuk duhet ta dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, meqë ato janë raste individuale që dënohen nga të gjithë autoritetet e Kosovës si dhe nga populli i Kosovës.

“ Qeveria e Kosovës është deklaruar edhe ka vepruar në raste konkrete në luftën kundër terrorizmit. Këto raste në Kosovë dhe të shqiptarët në përgjithësi janë të izoluara dhe do të luftohen vazhdimisht. Ky rast nuk guxon ti vënë në dyshim marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ka Kosova me popullin Gjerman. Miqësia Gjermano - shqiptare është shembull më i mirë i bashkëpunimit të popujve “, është shprehur Xhelili.

Ndryshe njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka pohuar se me dyshime, hipoteza dhe paragjykime nuk mund as të ndërtohet dhe as të prishet imazhi i askujt.

Sipas tij, rasti i arrestimit  të dy vëllezërve shqiptar nga Kosova në Gjermani nuk do të duhej të krijojë as averzion politik dhe as të besueshmërisë të shteti dhe popullit gjerman ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

“Ne si shqiptar duhet të jemi të lumtur se djemtë janë në liri dhe kompetenca gjermane për këtë fushë i ka pushuar hetimet, ngase sipas informacioneve nuk kanë gjetur asnjë bazë se te njëjtit kanë bërë veprimtari terroristë. Gjermanët kanë respekt të veçantë për komunitetin shqiptar nga Kosova dhe për shqiptarët në përgjithësi ngase janë qytetar të vyeshëm, mirë të integruar dhe në afërsi gjaku me kombin gjerman që e vlerësojnë gjithsesi. Gjermania duke qenë shtet i veçante i sundimit të ligjit dhe të së drejtës- heton, arreston dhe burgosë edhe gjerman nëse dyshohet, por gjithherë pastaj duke vendosur drejtësinë në bazë të ligjit dhe fakteve”, është shprehur Haziri.

Ai ka thënë se 1 milion shqiptarë të Kosovës gjithandej, janë shembull i  mirë i qytetarisë shqiptare duke qenë kontribut dhënës në shoqëritë ku jetojnë dhe duke qenë konkurs në fushat shoqërore dhe politike dhe besa edhe duke u zgjedhur deputet e kryetar komunash, sikur rasti i Dëshira Vrajollit e cila na bëri krenar këtyre ditëve duke u zgjedhur e para e një komune suedeze me mbi 40.000 banorë.

“Pra ky është imazhi i jonë, e sa i përket fajësisë së radikalizmit fetar në Kosovën e pasluftës unë  do të elaboroja në  atë mënyrë  duke i përfshirë dhe potencuar të gjithë misionaret fetar që u lëshuan si milingonat për të përfituar në numër që të ngrinin fonde për përfitime të pista. Pra pa hezituar do të theksoja se rrugët e Kosovës u vërshuan në qendra e kthina me materiale propagandistike joshëse, financiare dhe favore tjera që ishte lehtë të veprohet me një popull të lënë stuhisë së pasluftës i terrorizuar, i djegur i masakruar. Në veçanti të atakuar nga këta misionar kanë qenë të rinjtë  me të cilët nuk u morr askush. UNMIKU,  përgjegjës për siguri e kishte brishtësinë e vet me gjithë atë llumin e sjellë për këtë çështje nga e gjithë bota”, është shprehur Haziri.

Ai ka vlerësuar se  politika e Kosovës e paformuar dhe e etur për favore materiale e politike as që ka vrarë vëmendjen për kujdesinë dhe kontrollin se si misionet dhe shërbimet po i sjellin Kosovës.

“Si pasojë e kësaj e kemi ikjen e të rinjve ku si vullkane shpërthyen dhe u gjenden në ISIS, ku më së paku është dashur, të shkojnë, Pra fajtorë për këtë radikalizëm janë më së shumti strukturat ndërkombëtare deri në vitin 2007 të cilët u sollën si sheik me plot favore dhe siguri, duke mos përfunduar asnjë punë e hairit dhe partitë politike të cilat shijuan ‘karotën’ e ëmbël të pushtetit duke qëndruar inferior dhe servil ndaj të huajve”, është shprehur Haziri.

Ndryshe, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se arrestimi i dy shqiptarëve në Duisburg të Gjermanisë, të dyshuar që kishin në plan të bëjnë aktin terrorist në qendrën tregtare Centro të Oberhausenit,  gjithsesi e dëmton shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Në këtë situatë është e kuptueshme se imazhi i ynë po vjen në dyshim dhe shumë kush po pyeten nga kjo? Ne si shtet i ri dhe i pa fuqishëm, e sidomos ky shtet në zhvillim e sipër, është kapur për fyti nga njerëzit që erdhën në pushtet, që pas çlirimit e deri më tani, e qe nuk patën kurrfarë eksperience për udhëheqje të shtetit, përpos që patën qëllimin e pasurimit të tyre, sepse ishin në të vërtet të varfër, i shfrytëzuan propagandat e pas luftës, dikun iu futen friken qytetareve me vrasje e kërcënime, duke rrahur gjoksin se "ju kemi çliruar nga armiku", dhe me veprimet e tyre u konsoliduan dhe e morën pushtetin që sot e kësaj dite nuk e lëshojnë”, është shprehur Tërnava.

Sipas tij, këta pushtetarë u morën me shumë të këqija dhe u lidhen përmes hoxhallarëve tonë edhe me fundamentalistë ndërkombëtar sepse patën përfitime.

“Sikur udhëheqja e shtetit që e kanë kapur shtetin, ashtu edhe udhëheqja islame e ka kapur pjesën tjetër të shtetit islam, dhe përmes shkeljes kushtetutare e kanë ri zgjatur mandatin e tyre edhe për satën herë dhe gjithnjë të lidhur mirë me udhëheqësit e shtetit dhe pushtetar të saj, e për përfitime të tyre në mënyra të ndryshme i kanë rekrutuar fundamentalistët islam. Në një numër i konsiderueshëm i tyre ishin pjesëmarrës në luftërat fetare që i zhvillojë ISIS-i, si ne Siri e gjetiu. Edhe këta si pushtetarët e Kosovës që marrin detyra nga BE, që ta luftojnë krimin e organizuar si kusht për liberalizimin e vizave, në të kundërtën pushtetarët burgosin kriminel të kundërvajtjeve si në rastin e policive tani prandaj vështirë se do të arrihet liberalizimi i vizave pa u burgosur të mëdhenjtë e krimit të organizuar që gjinden në poste të larta shtetërore” është shprehur Tërnava.

Ai ka pohuar se sikur të burgoseshin prijësit që e prunë në këtë gjendje popullin fetar të Kosovës dhe që e futën Kosovën në një rrugë të pa kthim me gjithë këta anëtarë të ISIS-it, e tash jo vetëm në Kosovë por gjithkund sikur në rastin në Gjermani e gjetiu, nuk do të kishim raste të tilla.

“E njëjta situatë, duhet që prijës fetar që kanë gisht në këto organizata, të burgosen pavarësisht se çfarë poste të larta në udhëheqjen fetare kanë. Si është e mundur me një rrogë çfarë i kanë hoxhallarët e Kosovës, të bëhen aq të pasur,  dhe tani disa prej tyre janë milioner. Prandaj nuk është çudi kur e kemi situatën kështu siç e kemi në çdo aspekt të strukturave udhëheqëse të shtetit tonë. Pa luftimin e krimit të organizuar në të gjitha strukturat, aty ku ka krim, e sidomos pa burgosjen e kokave të krimit, nuk do të kemi asgjë siç thotë populli: “gjarprin duhet në kokë për ta goditur e për ta vrarë”, është shprehur Tërnava.

Politologu, Kushtrim Kadriu ka thënë se imazhi i jonë është dëmtuar shumë që nga koha e ekzistimit të shtetit islamik, ku shumë shqiptare ju bashkuan kësaj organizate.

“Përgjegjësinë në këtë çështje e kanë institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare të cilat Kosovën vetëm e çliruan dhe nuk u morën me fare me të. Këtu ka përgjegjësi familja institucioni bazik i shoqërisë, dhe mos civilizimi i tyre”, ka thënë politologu Kadriu. 

Kujtojmë se dy vëllezërit të lindur në Kosovë, që ishin të dyshuar për përgatitje të sulmit në njëren prej qendrave më të mdha tregtare në këtë vend, për shkak të mungesës së provave, janë liruar nga policia gjermane.

Të dy personat, të moshës 28 dhe 31 vjeçare, me origjinë nga Kosova, janë arrestuar, derisa Gjermania ishte në gjendje të lartë alarmi pas sulmit xhihadist në Tregun e Krishtlindjeve në Berlin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat