‘Përplasja’ Mustafa-Lekaj: Quhen rrugaç e gjel deti

Aktuale

‘Përplasja’ Mustafa-Lekaj: Quhen rrugaç e gjel deti

Nga: G.B Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 09:08
Pal Lekaj dhe Isa Mustafa

Dje, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka dhënë ultimatum përfaqësuesve të Listës Serbe që deri më 31 dhjetor ta kthejnë në Qeverinë e Kosovës ministrin Lubomir Mariq dhe njëkohësisht ta heqin nga detyra të sapoemëruarën, Mirjana Jetviq.

Përpos kësaj, në takimin e mbajtur mes tyre, ai poashtu u ka thënë që ta formojnë edhe Asociacionin e Komunave serbe.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka deklaruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon Bashkësinë e Komunave Serbe, atëherë serbët këtë do ta bëjnë vetë deri më 15 shkurt 2017. 

E pas kësaj ka reaguar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Gjuriq jep ultimatume, ndërsa kryeministri Mustafa rri si pulë e detit e as nuk i dëgjohet zëri.

‘Që Kosova të jetë e qëndrueshme, duhet të fuqizohen qytetarët Banditi Gjuriq me ultimatum, kërcënon me krijimin e Asociacionit sipas ligjeve të Serbisë, ndërsa kryeministri i Kosovës si pulë e detit që nuk i dëgjohet zëri. Nuk mund të gjesh zgjidhje për asnjë problem përderisa e mohon atë edhe përkundër ekzistencës së tij. Problemi ndër të shumtë për Kosovën është edhe Lista Serbe që më mend furnizohet në Beograd e veprat e dëmshmë, sipas direktivave të Vuçiqit, i realizon në Kosovë. Siç është rasti më Asociacionin dhe insistimin e tyre për ta bërë atë medoemos. Qëndrimet e vazhdueshme të kryeministrit Mustafa në favor të dy marrëveshjeve të dëmshme janë, lajme ogurzeza për Kosovën dhe dhënie zemër për njerëzit si puna e Vuçiqit, Gjuriqit dhe disa udhëheqësve të Listës Serbe për të vepruar ashtu si ua ka ëndja atyre dhe si është më se miri për fuqizimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë. Me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të konsiderohet nga Serbia si pronë e saj. Me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të jetë e ndikuar nga Serbia dhe s'do të jetë asnjëherë e pavarur. Që të ndryshohen këto duhet të fuqizohen qytetarët e Kosovës!’, ka shkruar Lekaj në Facebook, shkruan Bota sot.

Deputetit Lekaj i është kundërpërgjigjur kryeministri Mustafa, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Lekaj është i nivelit të Gjuriqit, me gjuhë rrugaçësh.

‘Çfarë deklaron Gjuriqi, është nivel i Pal Lekajt. Të dy këta shërbehen me gjuhë rrugaqësh’, ka shkruar Mustafa.

Nuk ka vonuar dhe Lekaj sërish i është kundërpërgjigjur kryeministrit Mustafa.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lekaj ka thënë se Mustafa është bërë dry i izolimit dhe të vetmen armë ka Facebook-un.

‘Isa Mustafa, me gjuhën e tij, se vetëm ajo i ka mbetë, po shihet që s'është i fuqishëm për të bërë asgjë për Kosovën, të vetmen "armë" e ka Facebook-un personal që e ka kthyer në portal zyrtarë të kryeministrisë prej ku ofendon kë do që ia thotë të vërtetën, s'ka si të jetë më keq e me rëndë për Kosovën.

Isa Mustafa, që është kthyer në një dry të izolimit të vendit, i dhëmb fortë kur ia kritikon qasjen ndaj "shokëve" të tij andej kufirit.

Me heqjen e këtij dryni, Kosovës i japim lirinë, mundësinë, vendin dhe vendimmarrjen për të ua kthejmë njerëzve të thjeshtë’, ka shkruar Lekaj.

E në këtë ‘valle’ ka hyrë edhe sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, cili ka thënë se kur Isa Mustafën e kap paniku, ai shan dhe ofendon kundërshtarët politikë.

“Kësaj radhe paniku është më i madh sepse i ka humbur edhe dy aleatët e fundit, Kadri Veselin (shefin e SHIK-ut që sipas tij “i ka duart me gjak të zyrtarëve të LDK-së”) dhe Listën Serbe e Vuçiqin që e mbanin në pushtet”, ka shkruar Molliqaj.

Tutje ai ka thënë se kur Lista Serbe bënte veprime kundër shtetit të Kosovës, Mustafa i dilte në mbrojtje.

“Vetëm pasi ajo e braktisi dhe po ia rrezikon pushtetin, Mustafa i ka nxitur si asnjëherë më parë shërbëtorët e tij të flasin kundër Listës Serbe. Ku ishin më herët?! Duke qenë krejt i vetmuar, sonte e paska keqpërdorur edhe LDK-në përmes së cilës lëshoi deklaratë në mbrojtje të vetes. Isa Mustafa po e ndjenë që viti i ri do të jetë vit i rënies së tij!”, ka shkruar në fund Molliqaj.

E pas kësaj, LDK reagoi me një komunikatë për media, duke thënë se Kosova është më e fortë se rrugaçi Gjuriq, injoranti komik Lekaj dhe krimineli ordiner Molliqaj

N'atën e sotme në ekranet televizive e nëpër portale na u shfaqën tre përfaqësues "të denjë" të politikës së rrugës. I pari foli Marko Gjuriq, i cili bëri një kërcënim të radhës, të cilin përveç disa ordinerëve në Prishtinë nuk e merr seriozisht askush. U gëzua shumë Pal Lekaj, imituesi komik i Donika Kadaj Bujupit, njeriu i cili mbahet mend vetëm për shkatërrimin e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Për t’i vënë kapakun nuk kishte si të mungonte ordineri i molotovëve, Dardan Molliqaj. Andaj, sot erdhi në shprehje “aleanca e rrugaçëve” të cilët i bashkon lufta kundër shtetit të Kosovës (Pali e bën nga injoranca), përmes formulës: Beogradi jep një deklaratë, Pali del e i bën jehonë dhe ordineri Molliqaj kërcënon në llogari të saj. “Aleanca e Rrugaçëve” në veprim.  Republika e Kosovës është më e fortë se një rrugaç nga Beogradi, një injorant komik dhe një kriminel ordiner! Fundi i fundit, këta dy tonët nuk do t’i njihte askush nëse nuk do të ishin deklaratat e Beogradit, që i mbajnë gjallë si plehu hithrat', thuhet në komunikatën e LDK-së./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat