Formimi i qeverisë në duar të shqiptarëve, ja kushtet e partive shqiptare për maqedonasit

Aktuale

Formimi i qeverisë në duar të shqiptarëve, ja kushtet e partive shqiptare për maqedonasit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 dhjetor 2016 Në ora: 08:01
Selia e Qeverisë së Maqedonisë

Kanë kaluar pothuajse dy javë që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në Maqedoni, ndërsa rivotimi i bërë të dielën në Tearcë, ka dhënë rezultatet të qarta që VMRO DPMNE-ja është fituesja e zgjedhjeve duke siguruar kështu 51 mandate në përbërjen e ardhshme parlamentare.

Se me cilën parti shqiptare do të bëjë koalicion VMRO DMNE-ja në mënyrë që ta krijojë qeverinë ende nuk dihet.

Është raportuar se partia BDI është në bisedime edhe me OBRM-PDUKM-në edhe me LSDM-në, duke arritur me një vendim përfundimtar varësisht prej kërkesave të tyre.

Se çfarë kushte do t’i bëjë BDI-ja në mënyrë që të formojnë koalicionin dhe nëse do të formojnë koalicion me VMRO-në e Nikolla Gruevksit apo me Zoran Zaevin nëse do t’iu ofrohej oferta, i kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, deputeti Artan Grubi nuk ka dashur të flas detajisht.

Grupi tha për “Bota sot” se ata nuk kanë ndonjë vendim akoma, mirëpo sipas tyre me rëndësi është platforma e përbashkët me partitë politike shqiptare.

“ Ende nuk kemi ndonjë vendim nëse do të formojmë koalicion me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, apo me Zaevin nëse do të na ofrohej oferta, për ne në këto momente është me rëndësi platforma e përbashkët me partitë politike shqiptare” shprehet Grubi.

Tri kushtet e Lëvizjes Besa

Kurse, Lëvizja Besa thotë se ata nuk do të hyjnë në koalicion me ndonjë parti krerët e të cilëve dyshohen nga Prokuroria Speciale Publike.

“Ne si Lëvizje BESA edhe më tej ngelim në qëndrimin se nuk mund të hyjmë në koalicion me ndonjë parti krerët e të cilëve dyshohen nga Prokuroria Speciale Publike. Thënë shkurt, me këtë lidership të VMRO-së është e pamundur të bëjmë koalicion qeveritarë” ka thënë zëdhëndësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani.

Murtezani thotë se ata kanë tri parakushtet themelore për krijimin e qeverisë.

“Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA ka vendosur tre parakushte themelore që BESA të diskutojë për mundësinë e përfshirjes në qeveri: se BESA pranon të marrë pjesë në qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike, se BESA pranon të jetë e pjesë e bisedimeve për qeverisje vetëm nëse pranohet diskutimin për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe se BESA do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes vetëm nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar” shprehet Murtezani për “Bota sot”.

Ai thotë se Lëvizja Besa ende nuk ka marrë ndonjë ofertë nga Zaevi për krijimin e qeverisë, mirëpo pavarësisht çdo gjëje ata do të shikojnë interesin e shqiptarëve dhe interesin e shtetit.

“Fillimisht duhet të themi që deri tek Lëvizja BESA ende nuk ka arritur asnjë ofertë për formimin e qeverisë. Në parim Lëvizja BESA do të përkrahë gjithçka që është në interes të shqiptarëve dhe në interes strategjik të shtetit, ndërsa nuk do të përkrahim asgjë që është në kundërshtim me këto parime. Ne tanimë i kemi bërë publike tre parakushtet tona për fillim të bisedimeve, dhe do të qëndrojmë konsekuent në ato parime. Nuk është me rëndësi nga cila parti maqedonase mund të vijë oferta, me rëndësi janë parimet që ne i kemi vendosur” pohon Murtezani.

Koalicioni me Gruevskin, koalicion i dështuar

Kurse, politologu shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani thotë se partitë shqiptare nuk duhet as ta mendojnë koalicionin me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, sepse një koalicion i tillë është dështues për shqiptarët.

“Partitë shqiptare nuk duhet as ta mendojnë koalicionin me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, sepse ky i fundit fushatën e ka pasur tërësisht antishqiptare, madje ka kërkuar që të ketë 63 deputetë, kështu duke siguruar shumicë për të mos qenë i kushtëzuara, nga ana e shqiptarëve, që do të thotë se ka propaganduar politikë përjashtuese për shqiptarët. Çdo tentim për të biseduar për qeveri të ardhshme me Gruevskin është dështuese për shqiptarët” shprehet Sulimani.

Ai thotë se për kushtet dhe për koalicion partitë shqiptare duhet të negociojnë me LSDM-në e Zaevit.

Sipas tij, shqiptarët  duhet të kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivelin republikan.

“Për kushte dhe një përbërje qeveritare të ardhshme shqiptarët duhet të negocionojnë me liderin e LSDM-së Zoran Zaev. Zaev ka qenë më liberal në retorikën e tij dhe më gjithëpërfshirës. Ai së fundmi është shprehur se është i gatshëm të negociojë me partitë shqiptare.  Megjithatë edhe në një qeveri me Zaev, shqiptarët duhet të shkojnë me një agjendë politikë të mirëfilltë, me ç’rast nuk duhet t’i përsërisin gabimet e së kaluarës kur koalicionet u bënin pa kushte dhe pa afate. Shqiptarët nuk guxojnë të harrojnë, se në Maqedoni po udhëhiqen procese gjyqësore të montuara. Përfaqësimi ende nuk është adekuat. Gjuha shqipe nuk është e zyrtarizuar në nivel republikan. Andaj, theksi duhet të bie te këto gjëra. Shqiptarët duhet të kërkojnë me çdo kusht rigjykimin e lëndëve që dyshohen si të montuara, zyrtarizimin e gjuhës shqipe, e kështu me radhë” thekson Sulimani.

Ishte raportuar në media që partia Aleanca për shqiptarët, kishin vendosur më herët për kushtet e tyre në mënyrë që të formojnë koalicion.

Sipas tyre për formimin e një qeverie gjuha shqipe duhet të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, buxheti duhet të jetë i drejtë, duhet të ketë decentralizim të mirëfilltë dhe zgjidhje të proceseve të montuara politike.

Sipas rregullave kushtetuese lideri Nikolla Gruevski më 11 janar do ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re dhe më 31 janar duhet t’ia propozojë kuvendit përbërjen e re të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat