Arianit Koci: Ja kënd do e mbroj nga akuzat e Gjykatës Speciale

Aktuale

Arianit Koci: Ja kënd do e mbroj nga akuzat e Gjykatës Speciale

Më: 1 janar 2017 Në ora: 14:24
Arianit Koci

2016-ta ishte një vit shumë i suksesshëm për avokatin Arianit Koci. Mirëpo sipas tij, suksesi personal dukshëm zbehet kur gjendja ekonomike në Kosovë degradon.

“Kosova kurrë nuk ka qenë më keq. Ekonomia është në gjendje të rëndë dhe liberalizimi i vizave që aq shumë është premtuar nuk ka ndodhur. Brengosëse është se askush nuk ka dhënë dorëheqje, së paku për garantimin që na është bërë për liberalizimin e vizave. Ky është argument, se me këtë klasë politike, pozitë dhe opozitë, agonia do të vazhdojë”, ka thënë Koci për lajmi.

Rasti më interesant me të cilin është marrë Koci ka qenë Aktgjykimi në rastin e Grupit të Drenicës.

“Mendoj që në këtë rast, Gjykata e Apelit ka marrë vendim të qëndrueshëm juridikisht. Sidoqoftë kam bazë të fortë për ankesë dhe pres që gjykata ta kthej këtë aktgjykim në rigjykim”, është shprehur ai.

Sa i takon punës së EULEX-it përgjatë këtyre viteve funksionim, avokati ka thënë se ky mision ka bërë një punë të mirë.

“Duhet ta kemi parasysh, se kjo strukturë ka punuar në një ambient të huaj dhe jo shumë miqësor. I kanë trajtuar disa raste të profilit të lartë dhe padyshim se ka rezultate. Ato po shihen edhe pse ka pasur vend edhe për më shumë rezultate. Në kuadër të EULEX-it ka individ që nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe mu këta e kanë zbehur apo dëmtuar imazhin e këtij misioni”, ka theksuar Koci.

Viti që po vjen është viti kur pritet të ngritën aktakuzat e para dhe do të fillojnë arrestimet eventuale nga Gjykata Speciale. I pyetur nga lajmi se a do të mbroj ndonjë të akuzuar nga kjo gjykatë, Koci ka thënë se ende nuk ka vendosur.

“Në këtë fazë të gjithë kemi pak informata rreth Gjykatës Speciale dhe kjo situatë krijon ambient të përshtatshëm për spekulime. Nuk dua të spekuloj. Nuk e di se kush do të akuzohet dhe besoj që askush prej vendorëve dhe as prej zyrtarëve të EULEX-it nuk e din. Sa i përket angazhimit tim në cilësinë e avokatit, ende nuk kam vendosur se a do të mbroj dikë në Gjykatën Speciale”, ka thënë Koci.

Tutje, ai ka theksuar së është në dilemë nëse në këtë fazë të jetës dëshiron të jetoj jashtë Kosovës.

“Nëse eventualisht akuzohet ndonjë prej miqve të mi, atëherë më duhet të shkoj”, ka përfunduar avokati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat