Enver Hoxhaj, Ministri më i dështuar i Qeverisë “Mustafa”

Aktuale

Enver Hoxhaj, Ministri më i dështuar i Qeverisë “Mustafa”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 janar 2017 Në ora: 18:10
Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj

Viti 2016, ishte vit shterpë në aspektin e njohjeve diplomatike të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo pasi, gjatë 2016-ës, Kosovën e kanë njohur vetëm dy shtete: Surinami, më 22 korrik dhe Singapori më 1 dhjetor. Analistët politikë thonë se ngecja me njohjet i adresohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila nuk ka lobuar sa duhet në shtimin e njohjeve të reja.

Ata poashtu kanë cekur se mos stabiliteti i vendit dhe mos suksesi i autoriteteve të Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ka qenë imazh i keq për vendin tonë.

Sipas analistëve, nëse do të kishte vetëm pak demokraci, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, do të duhej të jepte dorëheqje sot, ose të shkarkohet nga kryeministri, për t’i hapur rrugë një ekipi më profesional dhe më me integritet që karvani i njohjeve të ecë më tutje. 

Gazeta “Bota sot”, ndonëse ka pritur rreth një javë për një përgjigje nga MPJ-ja lidhur me atë se a është ky institucion i kënaqur me njohjet e pavarësisë së Kosovës gjatë vitit 2016 dhe se a mund të konsiderohet ky vit i stagnimit të njohjeve apo e kundërta, por përgjigje për këtë nuk ka marrë.

“Përrallat” e politikës

Rexhep Shahu, analisti politik, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se gjatë vitit 2016, askush nuk u mor me Kosovën dhe me shtimin e njohjeve, pasi sipas tij, politika në Prishtinë kishte ‘përralla” të tjera për t’u marr me to dhe politikanët me veten e tyre. “Më shumë se sa puna për shtimin e njohjeve, politikanët e harxhuan kohën duke u zgjedhur, konsoliduar postet dhe funksionet e tyre dhe duke dhënë shfaqje në Kuvendin e Kosovës, herë me dhunë e herë pa të”, ka thënë Shahu, i cili ka theksuar se viti 2016, ishte shtërpë për njohjet e Kosovës. 

Analisti tjetër Faton Mehmeti, mendon se viti që lamë pas u karakterizua me një sërë dështimesh të Kosovës, ndër to edhe mungesa e njohjeve. 

Ai ka thënë,, për “Bota sot” se kjo ka ndodhur për shkak të mos lobimit të duhur nga ana e autoriteteve të Kosovës, dhe për shkak të lobimit më aktiv serb, i cili ka reflektuar më shumë pa njohje. Mehmeti ka përmendur edhe shkaqet si mos stabilitetin e vendit dhe mos suksesin e autoriteteve të Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të cilat sipas tij, kanë qenë imazh i keq për vendin tonë. 

“Kjo mandej vetëm sa e ka argumentuar tezën e serbëve, se Kosova është vend i krimit dhe trazirave. Largimi masiv i qytetarëve nga vendi, pastaj gazi në Kuvend dhe raportet negative të organizatave të huaja për vendin tonë, kanë qenë poashtu arsye të forta për mos njohje. Pra gjatë vitit 2016, Kosova ka stagnuar shumë në njohje, derisa përgjegjësi për këtë nuk ka dhënë askush”, ka thënë Mehmeti.  Ai ka theksuar, se nëse do të kishte vetëm pak demokraci, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, do të duhej të jepte dorëheqje sot, ose të shkarkohet nga kryeministri, për t’i hapur rrugë një ekipi më professional dhe më me integritet që karvani i njohjeve të ecë më tutje.  “Kosova nuk guxon të mbetet peng i dështimit të ndonjë ministri apo edhe të ndonjë qeverie. Vendi ka nevojë për njohje, zhvillim dhe prosperitet. Qoftë i mbarë viti 2017!”, ka shtuar Mehmeti për “Bota sot”.

Stagnimi i Kosovës

Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare Riza Smaka, ka thënë se gjatë vitit 2016, është treguar një stagnacion irritues përkitazi me hezitimet për njohjen e Republikës së Kosovës, shtet Sovran, të pavarur e të denjë për shtetësi.  Ai ka thënë se për të dhënë opinion objekt për situatën e tillë, si kurdoherë, duhet kërkuar shkaqet tek vetvetja e rrjedhimisht gjithandej. 

“Mjerisht, shkaqet, jo të pakta, të gjitha, ndodhen tek ne. Ndër të tjera, Qeveria aktuale kuantitavisht është inflatore me një numër enorm të ministrive, ministrave, zëvendësministrave, ndihmësministrave, këshilltarëve të ndryshëm, të kushtueshëm për buxhetin e vendit, por aspakt eficient, përkundrazi. Në anën tjetër, Qeveria në fjalë mbase qëllimisht nuk e financon në nivelin e duhur dhe sipas standardeve as prokurorinë dhe gjykatat, në të cilat aktualisht ka shumë vende pune të paplotësuara. Së andejmi, edhe nga insuficienca numerike e prokurorëve dhe gjykatësve, atje, në Gjyqësorin e Kosovës, një numër i madh i lëndëve juridike, është i pakryer’, ka thënë Smaka. Sipas tij, në këtë mënyrë, në vend të destimulimit të korrupsionit edhe nëpërmjet masave adekuate e eficiente gjyqësore, i njëjti stimulohet e kurajohet skajshmërisht. 

Smaka ka theksuar, se Qeveria aktuale, as për së afërmi, nuk i ka përmbushur obligimet themelore në sferën e arsimit e edukimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe pylltarisë. Ai ka thënë, se ambienti shkatërrohet pamëshirshëm e në anën tjetër, nuk pasojnë masa legale të ndërmarra nga Qeveria.“Administrata publike është e stërmbushur me persona partizanë militantë, por jo edhe me profesionalistë, për shkak se e njëjta është inefikase dhe ineficiente dhe tejet panevojshëm e kushtueshme. Korrupsioni e krimi, pothujse nga Qeveria nuk luftohet dot së paku jo seriozisht. Në vend të sigurimit të konstitucionalizimit e të legalitetit konform dispozitave e neneve 93 dhe 94 të Kushtetutës, përkundrazi, Qeveria nuk e përfill Kushtetutën. Vetëm kryeministri Isa Mustafa, në rastin e përafërimit të Marrëveshjes për Asociacionin, edhe sipas Kushtetueses, e ka shpërfillë mbi 20 herë Kushtetutën, por deri më sot nuk ka pasur e sipas gjasave nuk pritet të pasojë përgjegjësia juridike as sëpakut përgjegjësia morale e tij”, ka theksuar Smaka për “Bota sot”. 

Sipas tij, fajtorë për stagnimin e njohjeve, rezulton edhe fusnotimi irritues e nëpërkëmbës i shtetit tonë me defektet, lëshimet e huqjet e theksuara e shumë të tjera të Qeverisë.

Skandalet politike

Analisti politik Ismet Haziri, ka thënë se Kosova gjatë vitit 2016 është përfshirë në skandale politike, si “Demarkacioni”, “Asociacioni”, “Dehari” e së fundmi edhe “Muri”. Ai ka thënë se të gjitha këto janë çështje politike që opozitën e ngritën në këmbë duke krijuar edhe veprime të tilla që për faktorin ndërkombëtar janë papjekuri politike, me ndikime në politikat e jashtme.  Haziri ka thënë, se vështirë futemi në rendin e ditës në diplomacitë kineze, indoneziane apo braziliane, pasi sipas tij, mungesa e një tradite diplomatike për Kosovën, është një hendikep, ngase përballë e ka një Serbi që edhe në Mbretërinë SKS dhe ish RSFJ, janë fusha që i ka pas të rezervuara për vete.  “Poashtu, edhe finaciarisht nuk kemi hapësirë që ta mbështesim mjaftueshëm MPJ-në, që të bëjë lobim edhe me kosto të lartë. Si përfundim apo konkluzion, mund të konstatojmë se ngecja i adresohet edhe MPJ-së, por barrën e përgjegjësinë brenda rrethanave të lartëpërmendura e bart edhe opozita me veprimet e veta që për politikën e brendshme ka pasur rezultate relative, por që në politikën e jashtme gjithesesi ka ndikuar negativisht”, ka theksuar Haziri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat