Kuvendi plotësoi vetëm 32% të agjendës

Aktuale

Kuvendi plotësoi vetëm 32% të agjendës

Më: 1 janar 2017 Në ora: 19:49
kryetari i Kuvendit Kadri Veseli

Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjatë vitit 2016 vetëm 46 nga 140 ligje sa janë gjithsej të parapara në agjendën legjislative.

Sipas të dhënave të votaime.org, 24 ligje janë në procedurë, ndërsa 70 në pritje. Fajtori për realizimin e pakët të agjendës legjislative, është i ndryshëm për partitë e koalicionit qeverisës në njërën anë dhe për opozitën në anën tjetër.

Opozita konsideron se jo vetëm ky vit, po gjithë mandati po përcillet me probleme, për shkak të qasjes së Qeverisë karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë për Radio Kosovën  se Qeveria e ka shfrytëzuar gjithë potencialin e saj për negociata pa kushte dhe pa parime me Serbinë, gjë që ka ndikuar edhe në punën e Kuvendit të Kosovës. Të dështuar këtë legjislaturë e konsideron edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, duke thënë se edhe opozita është dashur shpeshherë  të përdorë metoda joparlamentare por që kanë qenë të domosdoshme për t’i ndaluar vendimet e dëmshme të koalicionit qeverisës. Por, për partitë në pushtet, është pikërisht opozita ajo që ka bërë që Kuvendi të jetë prapa në arritjen e objektivave.

Sadri Ferati i LDK-së, thotë se edhe për rrethana objektive, por edhe subjektive Kuvendi nuk e ka realizuar planin e vetë.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti e vlerëson vitin 2016 si më sfiduesin për Kuvendin e Kosovës që nga themelimi i tij. Megjithatë, Pajaziti thotë se në pjesën e dytë të vitit është normalizuar puna në Kuvend dhe është arritur mjaft mirë që të vazhdohet me agjendën normale të punës së Kuvendit. Përndryshe, sipas faqes Votaime.org, gjatë këtij viti Kuvendi ka mbajtur gjithsej 32 seanca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat