Rexhep Selimi flet për akuzat e Speciales, ja kush e krijoi këtë gjykatë

Aktuale

Rexhep Selimi flet për akuzat e Speciales, ja kush e krijoi këtë gjykatë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 janar 2017 Në ora: 14:32
Rexhep Selimi

Duke folur rreth asaj se gjatë muajit janar Gjykata Speciale do të fillojë punën për krimet e supozuara të UÇK-së, dhe se a ka qenë e pastër apo jo lufta e UÇK-së, deputeti Rexhep Selimi, ka thënë për “Bota Sot” se këtë Gjykatë e ka krijuar vet pushteti i tanishëm dhe mazhoranca e pushtetit në Kuvend.

Sipas tij, me këtë pushtet të shitur nuk kemi se si të presim që t’i përmirësojë dëmet që vetë i ka shkaktuar.

“Gjykata Speciale nuk ishte një aksident, por një plan i holluar për ta dëmtuar Kosovën, luftën e saj dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Secili deputet që e ka votuar atë gjykatë e ka dëmtuar Luftën e drejtë të shqiptarëve për liri dhe secili deputet që i ka thënë “ PO “ me votën e tij kësaj Gjykate e ka marrë përsipër gjenocidin që kurrë se kemi bërë si popull. Prandaj vetëm një qeveri e drejtë dhe e mirë mund të bëjë diçka që ta mbrojë Kosovën dhe UÇK-në nga vota e deputetëve që e votuan atë gjykatë”, ka thënë deputeti Selimi.

Ai ka vlerësuar se të gjithë deputetët që e votuan atë gjykatë, por në veçanti ata deputetë që dikur ishin luftëtarë apo pjesëtarë të UÇK-së, me votën e tyre, e kanë tradhtuar luftën e tyre, shokët e tyre luftëtarë dhe mbi të gjitha e kanë tradhtuar idealin e dëshmorëve të UCK-së.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë dhe të pastër në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftën. UÇK-ja nuk ka bërë krime, përkundrazi, ajo ka luftuar kundër atyre që kanë bërë krime në Kosovë, kundër atyre që kanë vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, kundër atyre që kanë dhunuar rreth 20 mijë femra, kundër atyre që kanë dëbuar mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova, kundër atyre që kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi të shqiptarëve. Ushtria Çlirimtare ka luftuar kundër të cilëve ka luftuar edhe NATO dhe shtetet perëndimore aleate”, ka thënë deputeti Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat