Ja pse Serbia nuk po arreston Thaçin dhe Veselin

Aktuale

Ja pse Serbia nuk po arreston Thaçin dhe Veselin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 janar 2017 Në ora: 10:40
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, skicë nga protestat e opozitës

Serbia ka lëshuar në vitin 2004 rreth 170 fletarreste përmes Interpolit për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bazë të një fletarresti të tillë u ndalua të mërkurën edhe ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit.

Haradinaj akuzohet nga Serbia për krime lufte kundër civilëve serbë dhe aleatëve të tyre, krime këto për të cilat qe gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe kishte vërtetuar pafajësinë e tij.

Flearreste të njëjta sikur të Haradinajt, ekzistojnë edhe për presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Përderisa për ish-komandantin e UÇK-së për Zonën e Dukagjinit kjo është hera e dytë që u arrestua për të njëjtat akuza, Thaçi e Veseli shëtisin lirshëm kudo nëpër botë pavarësisht fletarresteve.

Analistët politikë, kanë thënë se është e habitshme se si Haradinaj nuk u ndalua në Francë në muajin qershor kur ishte atje për të ndjekur ndeshjen futbollistike të Kombëtares Shqiptare, por pikërisht tani kur u ftua në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas tyre, në gjithë këtë proces është i përfshirë presidenti Hashim Thaçi, i përfolur si ish-agjent i Francës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka thënë se me urdhër-arreste të Serbisë nuk do të duhej arrestuar asnjë qytetar i Republikës së Kosovës, kushdo qoftë ai.

Por, sipas tij, arrestimi i Haradinajt, është një indikacion se ky arrestim në mënyrë selektive bëhet për agjenda politike.

“Ramushi ka udhëtuar shumë shpesh nëpër botë, e në veçanti nëpër të gjitha shtetet e BE-së. Por arrestimi i tij dhe mbajtja nga policia franceze, është një rast që duhet parë më shumë seriozitet”, ka thënë deputeti Selimi për gazetën “Bota sot”.

Duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë çështje analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se qëllimi i Serbisë është që të deheroizojë heronjtë e shqiptarëve dhe jo të krijojë heronj.

Ai ka theksuar se Ramushi është hero i certifikuar, ndërsa po të arrestohen Hashimi e Veseli, do të ishte veprim për t’i krijuar ata si heronj, që gjë siç ka thënë ai, është më e vështirë se e vështirë.

Sipas tij, ndalimi i Haradinajt në Francë është aktivizim i një koalicioni kundër tij, nga shkaku që ishte i vetmi që u ftua në inaugurimin e presidentit amerikan, Trump.

“Gjithsesi, fama punon për Ramushin. Ai është komandanti më komandant i luftës për Kosovën, sepse ai ka qëndruar e luftuar në Kosovë dhe në Kosovë është bërë luftë e nuk ka pasur mbrëmje vallëzimi”, ka thënë Shahu.

Edhe politologu Faton Mehmeti, ndalimin e liderit të AAK-së e lidh me ftesën për ceremoninë e inaugurimit të Donald Trumpit, që do të mbahet më 20 janar.

Ai ka thënë për “Bota sot” se nervozizmi i shprehur nga Thaçi me rastin e ftesës bërë nga Trumpi për Haradinajn, shpreh më së miri frikën e tij që e karakterizon forcimi i Haradinajt si faktor nga SHBA.

“Teoritë konspirative në politikën e Kosovës kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë, dhe kush është më profesional se Thaçi në këtë drejtim?! Pasi ia bëri kurthin Ramushit me t’u kthyer nga Haga, duke e djegur potencialin e tij për të qenë kryeministër i vendit, tani ka shumë mundësi që të jetë pikërisht i përfshirë në ndalesën e tij në Francë”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka theksuar se është e habitshme se si Ramushi nuk u ndalua në Francë kur ishte në qershor për të përcjellë Kombëtaren Shqiptare dhe se shumë pikëpyetje kanë veç një emër: Hashim Thaçi.

“I përfolur ai agjent francez sigurisht se lidhjet e tij përmes kanaleve anonime vazhdojnë edhe sot. Gjithsesi, asgjë s’mund ta ndalojë Ramushin të shkojë në inaugurim të zyrtarizimit të Trumpit për president të SHBA-ve, prandaj edhe po duket se viti 2017 do të jetë vit i rënies së Thaçit”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, stuhia e Trumpit dhe e Gjykatës Speciale, ia kanë futur frikën në palcë presidentit Thaçi, për të cilin ka thënë se do të përdor çdo mekanizëm që këdo të dërgojë në qeli, por veten jo.

“Si duket, koha e Ramushit po vjen…rrjedhimisht fundi i Hashimit!”, ka shtuar Mehmeti për “Bota sot”.

Edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së Muhamet Kelmendi, ndalimin e Haradinajt në shtetin francez e lidh me Thaçin dhe shërbimin e fshehtë të Francës. Ai poashtu përmend faktin “agresiv të shtetit serb tash në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale për Kosovën”.

Sipas tij, fajin për këtë që po i bëhet ish-kryeministrit të Kosovës e ka edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka dështuar në procesin e ndërtimit të parimeve ndaj Brukselit dhe shtetit serb.

“Kosova ka më shumë se një dekadë që shkon në Bruksel pa parime dhe nuk e din fare çka do. Këndej kërkohet të ndërtohet një platformë e bisedimeve mbi bazën e reciprocitetit në marrëdhënie ndërshtetërore. Shtetit serb duhet treguar se ku e ka vendin. Kjo fillon me largimin e të gjithë vartësve të shtetit serb në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës. Vazhdon me njohje reciproke të shteteve dhe çështja nuk ecë përpara pa parime. Koha nuk pret. Rreziqet janë të mëdha”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Kjo nuk është hera e parë që ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit arrestohet në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Edhe në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në aeroportin e kryeqytetit slloven, Lublanë, në bazë të një mandat-arresti të lëshuar nga Serbia më 2004.

Haradinaj, i cili më 2005 kishte lënë postin e kryeministrit të Kosovës për t’u dorëzuar në Hagë, më 2012 ishte shpallur për herë të dytë i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat