Thaçi: Askush nga Kosova s’është i ftuar në inaugurimin e Trumpit - edhe pse disa po blejnë ftesa

Aktuale

Thaçi: Askush nga Kosova s’është i ftuar në inaugurimin e Trumpit - edhe pse disa po blejnë ftesa

Më: 8 janar 2017 Në ora: 20:26
Hashim Thaçi dhe Donald Trump

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan Donald Trump.

Kjo për faktin se sipas tij, asnjë zyrtar nga Kosova nuk ka marrë ftesë të jetë pjesë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan.

Madje, Thaçi i cili po qëndron në ShBA në një vizitë zyrtare, tha për televizionin publik se në ceremoninë e zgjedhjet së Trumpit president, nuk janë ftuar as delegacione nga vende të tjera të huaja.

“ Unë këtu jam në vizitë zyrtare dhe jo për inaugurim. Shtetet do të përfaqësohen vetëm nga ambasadorët dhe asnjë delegacion i huaj nuk ftohet të marrë pjesë – as nga Kosova, as nga vendet e tjera”, tha Thaçi.

Thaçi ka thënë për televizionin publik se askush nga Kosova nuk është ftuar në inaugurimin e Trumpit.

“Asnjë shtet nuk do të përfaqësohet nga bartësit e institucioneve, por vetëm nga ambasadorët në Uashington”, ka theksuar Thaçi.

“Në ceremonitë private mund të marrë pjesë kush të dojë. Disa janë të hapura, disa me bileta deri në 500 dollarë”, ka treguar presidenti.

Thaçi po ashtu ka zbuluar agjendën e tij të takimeve në Uashington.

Ai ka thënë se në ditët e ardhshme, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, do të takohet me zyrtarë të administratës së presidentit në largim, Barack Obama, duke përfshirë nënpresidentin Joe Biden, dhe me senatorë demokratë e republikanë.

Thaçi ka thënë se në Uashington do të vërë edhe kontakte me zyrtarët e administratës së ardhshme, që do të udhëhiqet nga miliarderi Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat