Walker: Është turp për Francën që zbaton ende fletarrestet serbe

Aktuale

Walker: Është turp për Francën që zbaton ende fletarrestet serbe

Më: 10 janar 2017 Në ora: 13:43
Ambasadori Walker

(E plotësuar) - Arrestimi i liderit të Aleancës për Ardhmërinë Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj , nga autoritetet franceze, e ka pikëlluar shumë mikun e Kosovës nga Amerika, William Walker.

Ish-shefi i OSBE-së gjatë luftës në Kosovës ka qëndruar në seancë  për të dëgjuar se çfarë po diskutohet ku deputetët sot janë mbledhur të diskutojnë në seancën e jashtëzakonshme për rastin e arrestimit të Haradinajt.

Walker ka dhënë edhe një deklaratë për media në lidhje me Haradinajn për të cilin thotë se e njeh tash e 16 vjet.

Walker: Jam i hutuar , autoritete franceze implementojnë një urdhër arrest të Serbisë 

“Se pari, unë jam këtu sepse ky është një Parlament i cili duhet t’i prezantoj popullit të Kosovës dhe dua të shoh se çfarë thuhet për rastin e z. Haradinaj dhe për arrestimin e tij.  Pra kjo është arsyeja pse unë jam këtu.  Tani, ajo çfarë mendoj për z. Haradinaj. Unë mendoj se është turp.  Unë e njoh Ramush Haradinajn tashmë qe 15-16 vite. E  kam njohur kur ai ka qene kryeministër i Kosovës , kur ka qenë në Hagë në gjykimin e tij të parë dhe kur është liruar nga akuzat për krime lufte. Dhe ja ku jemi 10 vjet më  vonë. Ai  udhëton në Basel të Zvicrës dhe krejt papritur ka një tjetër urdhërarrest të Beogradit nga Interpoli. Dhe unë jam i hutuar se pse në këtë moment, krejt papritur autoritetet franceze janë duke implementuar një urdhër arrest nga Serbia. Për të cilin francezet duhet të dinë se është një akt plotësisht politik nga Beogradi dhe jo për atë se çfarë Haradinaj ka bërë ose jo në të kaluarën.  Kështu që, unë jam sinqerisht i pikëlluar jo vetëm me Beogradin, i cili vazhdon të bëjë këto akte politike por edhe nga Parisin që vazhdon të bëjë gjëra në emër të Beogradit të cilat janë të pa venda”, tha Walker.

Ai është shprehur optimist  që në Kosovë gjërat do të  përmirësohen, ani pse në disa raste shpreh dëshpërimin me zhvillimet në vend.

Walker: Nuk u realizuan pritet e popullit

“Sinqerisht, ndonjëherë  jam i dekurajuar dhe ndonjëherë i dëshpëruar që gjërat nuk kanë shkuar aq mirë sa duhet. Unë kam qenë këtu në çlirimin e Kosovës. Kam qenë këtu në pavarësinë e Kosovës dhe e di se populli i Kosovës ka pritshmëri të mëdha dhe mendoj se ato pritshmëri nuk janë realizuar. Njëra nga arsyet pse mendoj se Parlamenti këtu ka një punë të vështirë në bazë të Kushtetutës që te bëjë atë që shumica e popullit të Kosovës donin që Parlamenti të bënte , e cila është që ata të mbajnë  gjërat në lëvizje . Unë vij shpesh aq sa mundem dhe gjithmonë shpresoj se gjërat do të përmirësohen por për mendimin tim gjërat nuk janë përmirësuar. Kështu që këtë herë jam këtu ta shënoj përvjetorin e masakrës se Reçakut  pra pjesëmarrja ime atje. Do të doja të thosha më shumë gjëra pozitive që të përgjigjem në pyetjet tuaja por jam i zhgënjyer “, tha Walker.

William Walker ka qenë shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë në kohën kur ndodhi masakra e Reçakut.

Këtë masakër ku u vranë më shumë se 50 shqiptarë civilë Walker e quajti gjenocid. Pas kësaj ngjarje fuqitë perëndimore u vunë në lëvizje për t’u mbledhur në Rambouillet të Francës pas së cilës edhe pasoi sulmet ajrore të NATO-s në caqet serbe.

Walker i zhgënjyer me çka po sheh në Kosovë

Ushtaraku dhe diplomati amerikan në pension, William Walker, është shprehur i zhgënjyer me zhvillimet politike në Kosovë.

Ish shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së të vitit 1998- 1999 i cili denoncoi masakrën e forcave serbe ndaj popullsisë civile në Reçak të Shtimes, tha sot se dëshiron të shohë zhvillime më pozitive në Kosovë.

I kthyer në Kosovë në vigjilie të përvjetorit të kësaj masakre, Walker sot ishte edhe në Kuvendin e Kosovës për ta përcjellë për disa çaste një seancë të jashtëzakonshme.

“Jam i dëshpëruar që gjërat nuk kanë shkuar më mirë. Isha këtu në kohën e çlirimit, isha këtu në kohën e pavarësisë, dhe besoj pritjet ende nuk janë kryer”, tha ai para gazetarëve në Kuvend.

“Shpresoj që gjërat do të shkojnë më mirë, por jam i dëshpëruar”, tha ai shkurt.

Walker komentoi edhe arrestimin e ish komandatit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti serb të lëshuar në vitin 2004.

“Jam konfuz se si autoritetet franceze ende zbatojnë urdhërarrestet e Serbisë. Francezët duhet ta dinë se këto janë akte politike që vinë nga Beogradi. Jam hidhëruar si Beogradi vazhdon të bëjë këso gjërash politike, por poashtu edhe me Parisin”, tha Walker.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat