Hoxhaj njofton për pranimin e UP-së në Agjencinë Universitare të Frankofonisë

Aktuale

Hoxhaj njofton për pranimin e UP-së në Agjencinë Universitare të Frankofonisë

Më: 10 janar 2017 Në ora: 21:15
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar me Sekretaren e Përgjithshme të Frankofonisë, Michaëlle Jean dhe me drejtorin e kësaj Agjencisë Universitare të Frankofonisë, Abdellatif Miraoui në Madagakar, në kuadër të Samitit të Frankofonisë

Universiteti i Prishtinës është anëtari më i ri i Agjencisë Universitare të Frankofonisë. Pranimi i UP-së në këtë agjenci është një hap shumë i rëndësishëm që do t’i hapë mundësi të reja profesorëve dhe studentëve të tij.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Jashtëzakonisht i lumtur që edhe zyrtarisht u njoftuam për pranimin e Universitetit të Prishtinës në Agjencinë Universitare të Frankofonisë, dy vite pas pranimit në Frankofoni. Një anëtarësim shumë domethënës që krijon mundësi të shumta për profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës për shkëmbim të përvojave dhe dijes me universitetet frankofone”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Anëtarësimi i Universitetit të Prishtinës në Rrjetin e Universiteteve Frankofone vjen pas lobimit të Kosovës në të gjitha nivelet. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar me Sekretaren e Përgjithshme të Frankofonisë, Michaëlle Jean dhe me drejtorin e kësaj Agjencisë Universitare të Frankofonisë, Abdellatif Miraoui në Madagakar, në kuadër të Samitit të Frankofonisë.

Me anëtarësimin në këtë organizatë, Universitetet e Kosovës, profesorët dhe studentët kosovarë do të kenë mundësi të komunikojnë me universitetet frankofone, t’u qasen dhe të aplikojnë për programe studentore si bursa, programe shkëmbimi etj.

Njëkohësisht, Kosova është ftuar në Asamblenë e Përgjithshme e cila do të mbahet në maj, 2017, në Marok.

Kosova u pranua në Organizatën e Frankofonisë në nëntor të vitit 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat