Sulmohet me granatë objekti qeveritar në Mitrovicë

Aktuale

Sulmohet me granatë objekti qeveritar në Mitrovicë

Më: 10 janar 2017 Në ora: 21:55
Mitrovica

Një mjet shpërthyes është hedhur sonte në Mitrovicën e Veriut në objektin e qeverisë së Kosovës, të përuruar dy javë më parë.

Lajmin e konfirmoi për kallxo, zëvendës komandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besm Hoti.

“Nga hedhja e një granate dore në veri të Mitrovicës janë dëmtuar xhamat e objektit qeveritar të Kosovës”, tha Hoti.

 

Objekti i sulmuar ishte përuruar dy javë më parë, më 28 dhjetor 2016, nga ministrja për dialog, Edita Tahiri.

Në ditën e përurimit, Tahiri kishte thënë se Kosova “po e shtrin sovranitetin e vet në pjesën veriore të vendit”.

Në këtë objekt është paraparë t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Gjithsejt do të punojnë 105 zyrtarë të punësuar në këto institucione.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat