Kush e tradhtoi Ramush Haradinajn? Ja çfarë thotë AAK-ja

Aktuale

Kush e tradhtoi Ramush Haradinajn? Ja çfarë thotë AAK-ja

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 janar 2017 Në ora: 09:21
Ramush Haradinaj duke hyrë në Gjykatë në Francë i rrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit

Ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze me një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ka nxitur reagime të ashpra të spektrit politik në Kosovë e më gjerë.

Më e zëshmja është partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është shprehur e zhgënjyer me komoditetin e institucioneve të Kosovës karshi rastit të Haradinajt, i cili ndodhet në paraburgim që nga 4 janari, shkruan “Bota sot”.

Lexo edhe këtë: Prapavija e vizitës së Thaçit në SHBA, pas arrestimit të Haradinajt në Francë!

Kryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë Avni Arifi, së fundmi ka thënë se Haradinaj në Francë nuk ka punë me drejtësinë, por me tradhtinë.

Lidhur me këtë, i pyetur nga gazeta “Bota sot” se kush e ka tradhtuar Haradinajn, Arifi nuk ka përmendur  emra, por ka thënë se për çdo njeri normal, sytë janë për të parë.

Ai ka theksuar se është e papranueshme që listat e Serbisë ende janë në sistem të Interpolit, dhe vetëm për disa emra ka pasur kërkesa për largim.

“Nuk e kam përmend asnjë emër, por për çdo njeri normal, sytë përdoren për të parë. Është totalisht e paakceptueshme që listat e Serbisë janë ende në sistem të Interpolit e vetëm për emra të përveçëm ka pas kërkesa për largim” ka thënë Arifi.

Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se institucionet janë duke u angazhuar për kthimin e Haradinajt në Kosovë.

Nitaj ka përmendur një takim me presidentin Thaçi në vitin 1999 në Londër, nga i cili ka treguar se kishte dalë i tmerruar pa e kuptuar "ç'kishte ai njeri"!

“Ka vite që e njoh Hashim Thaçin. E pata takur një herë në vitin 1999 në Londër, në një vizitë "sekrete" të tij! Mbaj mend të më pat thënë "do të ishte mirë sikur BBC të mos i transmetonte deklaratat e Komandantëve të Zonave të UÇK-së, psh Ramush Haradinajn". I habitur, i pata thënë "po ata po e bëjnë luftën, e posaçërisht Ramushi"! Biseda vazhdoj tutje, por e mbaj mend që unë pata dalë i tmerruar pa e kuptuar "ç'kishte ai njeri"!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Ai ka thënë se presidenti Thaçi duhet të tregojë se pse Ramush Haradinaj është "kompleksi i tij i pashëruar".

I pyetur nga “Bota sot” nëse në ndalimin e Haradinajt nga autoritetet franceze mund të ketë gisht presidenti Thaçi, Nitaj ka thënë se nuk mund të bëjë akuza të rënda, meqë nuk e di këtë.

“Nuk mund të spekuloj dhe të bëjë një akuzë të tillë, se nuk e di nëse ai ka gisht”, ka thënë Nitaj.

Ndryshe, Serbia ka dorëzuar sot tek autoritetet franceze kërkesën për ekstradimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në paraburgim në Colmar të Francës.

Bashkë me kërkesën për ekstradim, është dërguar edhe dokumentacioni përcjellës në gjuhën frënge në bazë të të cilit sistemi francez i drejtësisë do të vendos nëse janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Haradinaj është arrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 si i dyshuar për krime lufte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat