Zyrtari i MTI-së dhe një pronar kompanie akuzohen për korrupsion

Aktuale

Zyrtari i MTI-së dhe një pronar kompanie akuzohen për korrupsion

Më: 12 janar 2017 Në ora: 15:14
Prokuroria e Shtetit

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: Xh.S. zyrtar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe L.D. pronar i kompanisë “Menagment Development Association” (MDA), për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje

Sipas aktakuzës, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit sipas projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vlerë prej dy milionë euro, gjatë vitit 2013  kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me tenderin në fjalë, duke i përshtatur kushtet dhe kriteret  e tenderit  interesave të kompanisë së të pandehurit L.D.

Me të njëjtën aktakuzë, i pandehuri Xh.S. është akuzuar edhe për veprën penale: Keqpërdorimi i informatës zyrtare i cili ka keqpërdorur informatën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, në atë mënyrë që në tenderin e përmendur, si anëtarë i komisionit për vlerësimin e ofertave edhe pse kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, sipas së cilës është obliguar që ta ruaj rreptësishtë fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në procesin e prokurimit, i njëjti në kundërshtim me atë deklaratë ka dërguar tek L.D. drejtor i kompanisë ofertuese MDA, informacione në lidhje me vlerësimin e ofertave, duke e njoftuar për përparësitë e kësaj kompanie krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ngritja e kësaj aktakuze është rezultat i hetimit të përbashkët të një prokurore vendëse të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit ( OLAF). 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat