Projektligji për paga radhit mësimdhënësit pas njerëzve me shkollë të mesme

Aktuale

Projektligji për paga radhit mësimdhënësit pas njerëzve me shkollë të mesme

Më: 13 janar 2017 Në ora: 13:07
Pamje nga takimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës

(E plotësuar) - Profesioni i mësimdhënësit është nënçmuar dhe degraduar nga Projektligji për Paga i Qeverisë së Kosovës..

Kështu kanë deklaruar sot përfaqësuesit e Sindikatës së bashkuar të Arsimit në një mbledhje të jashtëzakonshme.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se me këtë projektligj mësimdhënësit janë lënë para punëtorëve teknik, kopshtarëve dhe pastruesve.

Jashari:Projektligji për paga të arsimit, e nënçmon punën  e mësimdhënësit

“Ekspertët e SBASHK-ut, e kanë analizuar ligjin në tërësi veçmas shtojcën tabelare, ku ky ligj parasheh, gjegjësisht Qeveria e Kosovës parasheh t’ia dërgoj parlamentit. Me shtojcën e këtij projektligji janë paraparë 45 grada dhe 11 koeficiente. Duke filluar nga koeficienti 1 deri më i larti 11. Koeficiente këto që do të japin vlerën për paga, për këto 45 gradime...E konsiderojmë se ky projektligj dhe veçmas shtojca e tabelarit, e degradon, e nënçmon shumë  profesionin e mësimdhënësit dhe gradat e tij akademike shkencore, duke filluar nga universiteti e deri te çerdhet. Një analizë që kemi bërë duke përfshirë te 45 gradimet dhe duke i përfshirë edhe koeficientet kemi parë se koeficienti mesatar duhet të ishte 4.2. Fatkeqësisht, mësimdhënësit e Kosovës nuk janë tek kjo mesatare e koeficientit, por koeficienti për ta shihet të jetë 1.75, që është më pak se gjysma mesatare e koeficientit 4.2”, tha Jashari.

Në anën tjetër, menaxheri i Financave në SBASHK, Imer Imeri tha se arsimtarët janë radhitur në mesin e fundit sa iu përket pagave.

Sipas tij, një mësimdhënës i shkollës fillore është radhitur pas  një infermiere të kualifikuar  vetëm me shkollë të mesme.

Imeri: Arsimtarët radhitën në rangun e fundit, pas tyre janë ndihmësit teknik

“Vlera e një koeficientit ish dashtë diku të jetë 250 euro, me mbet reale. Ajo çka është me rëndësi këtu, pa marrë parasysh vlerën e koeficientit. Arsimtarët janë radhit në rangun e fundit, mbas punëtorëve që janë vetëm punëtorët teknik, ndihmës,  kuzhinier, kopshtar. Një mësimdhënës i shkollës fillore është radhitur mbas infermieres, që është me shkollë të mesme. Infermieria e lartë e ka koeficientin 1.95, ndërsa arsimtari në shkollën fillore e ka 1.75. Ndërsa, arsimtari në shkollën e mesme e ka koeficientin 1.9, infermieria e lartë e ka 1.95. Një nxënës i shkollës së mjekësisë, e kryen shkollën e mjekësisë, hyn në punë edhe e ka rrogën më të madhe se arsimtari i vet...Arsimtarët i kanë radhitur në mesin e fundit sa iu përket pagave”, tha Imeri.

Në anën tjetër, kryesinidikalisti Jashari tha se mësimdhënësi i Kosovës degradohet  me këtë vlerë të koeficientit.

Në të njëjtën kohë, Jasharaj paralajmëron se do të kërkojë nga shefat e grupeve parlamentare, që ta ndalojnë këtë ligj që  të mos shkojë në parlament.

Jashari: Paralajmërojmë edhe ndërprerje të arsimit

“Mësimdhënësi i Kosovës nuk guxon të gradohet më pak se koeficienti 2.6 dhe 2.5, në të kundërtën do të jetë degradim. Sepse pas këtij koeficienti që e ka për momentin, mbesin vetëm disa profesione që duhet vetëm arsimi fillor apo arsimi i mesëm. Gjatë javës së ardhshme SBASHK-u, do të kontaktojë me shefat e Grupeve Parlamentare të Parlamentit të Kosovës, të subjekteve politike që janë në parlament. Duke kërkuar që nëse qeveria nuk reflekton, por e nis këtë projektligj drejt parlamentit, komisionet parlamentare ai i arsimit, i buxhetit dhe komisionet tjera që ekzistojnë ta ndalojnë këtë ligj të mos shkoj në parlament, të mos votohet...Në shenjë të kundërshtimit të këtij projektligji që eventualisht të kthehet ne ligj, ne do të marrim masa të nevojshme sindikale dhe në tërë sistemin arsimor do ta ndërpresim arsimin, duke shpallur grevë në kohë të pacaktuar”, tha Jasharaj.

Kryesindikalisti Jasharaj tha se SBASHK-u, të hënën do t’i dorëzojë një letër, kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit qeveritar me kërkesën që ky projektligj të tërhiqet, sepse nuk është meritor për mësimdhënësit.

SBASHK-u kërcënon sërish me grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK-u), kërcënuan me grevë në rast që Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr diçka për rritjen e koeficientit të mësimdhënësve.

Në një konferencë siç e quajtën ata të jashtëzakonshme, SBASHK-u shprehu pakënaqësinë për projektligjin për pagat të cilin e ka bërë Qeveria e Kosovës, e që pritet të miratohet në Kuvend.

Shkak i shqetësimit të SBASHK-ut është se në këtë projektligj është një shtojcë në të cilën parashikohen 45 grada dhe 11 koeficient sipas të cilëve do t’i marrin pagat punëtorët e profileve të ndryshme në Kosovë.

Sipas tabelës në shtojcë, koeficienti për mësimdhënësit është 1.75 që i bie të jetë më i ulëti i cili i vë në barasvlerë pagat e mësimdhënësve bashkë me ato të profesioneve si punëtor teknik, infermierë dhe disa profesione të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat