Prokuroria e Shtetit deklarohet për arrestimin e djalit të gjykatëses në Deçan

Aktuale

Prokuroria e Shtetit deklarohet për arrestimin e djalit të gjykatëses në Deçan

Më: 13 janar 2017 Në ora: 20:13
Ilustrim

Prokuroria e Shtetit gjatë ditës së djeshme ka kuptuar për informacionet e publikuara në platformën kallxo se familjarë të përgjegjëses së Gjykatës në Deçan janë përfshirë në një kërkesë për ryshfet, me qëllim të përshpejtimit të një lënde në gjykatë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve dhe kontakteve të marra me dëshmitarët e mundshëm të këtij rasti, është bërë e mundur që gjatë ditës së sotme, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës të arrestohet shtetasi F.T.

Gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore të prokurorisë dhe Policisë, e me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fillimisht është shoqëruar e më pas edhe është ndaluar edhe gjyqtarja mbikëqyrëse e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, S. T. dhe Prokuroria në pajtim me dispozitat ligjore të KPP-së do të kërkojë nga gjykata kompetente zbatimin e masave adekuate ndaj të dyve për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurë penale.

Prokuroria e Shtetit inkurajon qytetarët që në vazhdimësi të denoncojnë raste të korrupsionit e po ashtu shpreh gatishmërinë dhe vullnetin, që ashtu sikurse ka ndodhur disa herë deri më tani, që të bashkëpunojë me media dhe organizata të cilat kanë informacione për aktivitete kriminale në shoqërinë tonë duke siguruar zbatimin e barabartë të ligjit penal për të gjithë”, thuhet në njoftim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat