Pas deputetëve, edhe kryetarët e komunave kërkojnë rritje të pagave

Aktuale

Pas deputetëve, edhe kryetarët e komunave kërkojnë rritje të pagave

Më: 13 janar 2017 Në ora: 20:38
Ilustrim

Përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës, rritje të koeficientit për paga po kërkojnë edhe kryetarët e komunave.

Atyre nuk u ka pëlqyer aspak projektligji për pagat, i hartuar nga Ministria e Administratës Publike, e i miratuar ditë më parë në Qeverinë e Kosovës.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehur kundër këtij projektligji, i cili sipas kryetarit të këtij Asociacioni, nivelin lokal e trajton në mënyrë jo të drejtë.

Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, thotë se me këtë projektligj, koeficienti i pagës është bërë pa asnjë studim të mirëfilltë rreth vëllimit të punës së një kryetari të komunës, përgjegjësive ligjore dhe llogaridhënies që ka ndaj qytetarëve.

Ismajli gjithashtu ankohet se kryetarët e komunave më të mëdha nuk mund të kenë koeficientin dhe njëkohësisht edhe pagën e njëjtë me kryetarin e një komune më të vogël.

Por hartuesit e këtij projektligji thonë se e kanë bërë më të mirën e mundshme për të gjithë funksionarët publikë.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar, thotë se me këtë projektligj, i cili do të shkojë shumë shpejt për miratim në Kuvend, do të zgjidhet njëherë e mirë çështja e pagave.

Ministri Jagcilar thotë se ende ekziston mundësia që ky projektligj të ndryshohet, pasi ai do të kalojë nëpër komisionet parlamentare e më pas edhe për diskutim në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat