Dështimi i gjyqtarëve për krime lufte, ka amnistuar kriminelët serb

Aktuale

Dështimi i gjyqtarëve për krime lufte, ka amnistuar kriminelët serb

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 janar 2017 Në ora: 08:09
Masakra e Reçakut

15 janari i vitit 1999 do të shënonte një ndër ngjarjet më të tmerrshme që ndodhën gjatë luftës në Kosovë, por e cila njëkohësisht i`a hapi sytë gjithë botës për gjenocidin dhe dhunën që Serbia po ushtronte ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës.   45 shqiptarë të pafajshëm, ndër ta edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë e u masakruan në mënyrën më të tmerrshme

Është përvjetori i tetëmbëdhjetë të cilin banorët e fshatit Reçak të Komunës së Shtimes e presin në dhimbje. 15 janari i vitit 1999 do të shënonte një ndër ngjarjet më të tmerrshme që ndodhën gjatë luftës në Kosovë, por e cila njëkohësisht i`a hapi sytë gjithë botës për gjenocidin dhe dhunën që Serbia po ushtronte ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës.   45 shqiptarë të pafajshëm, ndër ta edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë e u masakruan në mënyrën më të tmerrshme.   

Por, ndonëse kanë kaluar 18 vite, kjo masakër nuk është zbardhur ende, për shkak se dëshmitarët nuk kanë arritur t`i identifikojnë kriminelët.  Këtë e ka pohuar për gazetën “Bota sot”, Behgjet Shala, kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. “Për masakrën e Reçakut, janë bërë hulumtime, janë mbledhur materiale dhe ka qenë një proces gjyqësor kundër disa serbëve të dyshuar se kanë marr pjesë në masakër, mirëpo, gjatë identifikimit të dëshmitarëve, ata të cilët kanë qenë të fshehur në ahur, nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë ata të cilët kanë kryer krime dhe për këtë arsye nuk janë shqiptuar dënimet”, ka potencuar Shala. Më tej, ai ka potencuar se do të ishte shumë e rëndësishme që të dënoheshin pjesëtarët e njësisë komanduese të kësaj masakre.

“Mirëpo, ka qenë e rëndësishme të dënohen pjesëtarët e njësisë komanduese politike dhe komanduese politike dhe ushtarake, sepse hetuesit e Gjykatës për krime lufte, kryesisht i dënojnë pjesëtarët e njësisë komanduese në radhë të parë politike dhe pastaj ushtarake, por nuk merren me ushtarët e thjeshtë që mund të kenë kryer krime”, ka nënvizuar ai.  Shala ka thënë, se e kanë dërguar në Gjykatë materialin e plotë, për aq sa kanë pasur deklarata të dëshmitarëve që kanë mbijetuar, fotografi etj, mirëpo, sipas tij,  ka munguar identifikimi i atyre që kanë kryer krime dhe në mungesë të asaj nuk ka pasur dënime.   

“Nuk është pse nuk ka pasur dosje, por dëshmitarët nuk kanë mundur t`i njohin ata që kanë kryer krime, pasi ata mund të kenë ardhur nga një republikë tjetër e ish-jugosllavisë dhe ka qenë e pamundur të identifikohen, mirëpo është dashur të dënohen në bazë të përgjegjësisë komanduese. Sikurse tanët që po arrestohen, jo ushtarët e thjeshtë por udhëheqësit e njësiteve komanduese”, është shprehur ai.

Amnistimi i kriminelëve serbë

Në këtë mënyrë, Shala shprehu shqetësimin për faktin se vetëm 24 % e të dënuarve janë serbë, ndërsa të tjerët janë shqiptarë. Kjo, sipas tij, nuk është në proporcion me numrin e viktimave ku mbi 90% e tyre janë shqiptarë, ndërsa të tjerët u përkasin komuniteteve tjera, duke përfshirë edhe Serbinë. “Sa i përket dënimit për krime lufte në Kosovë, 23-24% prej të dënuarve janë serbë, ndërkaq të tjerët janë shqiptar. Ndërkaq, numri i viktimave është mbi 90% viktima shqiptare ndërkaq 5-6 % janë viktima serbe apo jo shqiptare. Është një s’përputhje e madhe, e atyre që kanë kryer krime dhe atyre të cilët janë të dënuar, e ky rast nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në botë, qoftë në Afrikë, qoftë në Amerikën e jugut, qoftë në Bosnje, pra nuk ka pasur vullnet që të dënohen serbët.

Për shkaqe politike më tepër ka shkuar me një baraspeshim të të dënuarve dhe për këtë arsye e kemi një situatë ku shumica e atyre që kanë kryer krime kanë mbetur të pandëshkuar”, ka theksuar ai.  Ndërkaq, sipas analistit Islam Krasniqi, institucionet e Republikës së Kosovës kanë pasur zero veprime në zbardhjen e krimeve të luftës.  “Regjimi i Millosheviçit u mundua ta shfaros ketë popull, duke kryer gjenocid mbi popullatën civile, gra, pleq dhe fëmijë, dhe u pajtuan vetëm me faturimin e Milloshoviqit, që ai të mban terë përgjegjësin për krimet e luftës”, ka thënë Krasniqi.  Ai potencoi faktin se, për masakrën e Reçakut, e cila tronditi botën, institucionet heshtin dhe nuk kërkojnë zbardhjen e saj.    

Image

“Tash është përvjetori i masakrës së Reçakut, masakër që tronditi boten demokratike, dhe që e bindi NATO-n të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, dhe institucionet e vendit vetëm kanë heshtur, dhe pa ndonjë arsye nuk kanë kërkuar asnjë herë  të vetëm për zbardhjen e këtij gjenocidi mbi popullatë civile,  dhe këto viktima i kujtonin vetëm në fushat zgjedhore apo në përvjetorët e tyre, ku përmes sajë bota e pa tyren e vërtet të Serbisë”, ka nënvizuar ai.  Sipas analistit Krasniqi, Serbia për ta mbrojtur vetën shpif gjithmonë për qytetarët e Kosovës së kinse kanë kryer krime, ndaj popullatës civile serbe, ku ndërton akuza të rrejshme dhe shqiptaret maltretohen nëpër vende të Evropës me akuza të tyre. 

“Këto akuza  na erdhën edhe si pasojë e kësaj klase politike të cilët janë të varfër nga mendja, që për  një votë të minoriteteve serb na sollën në këtë gjendje”, ka përfunduar analisti Krasniqi. E për gjithë gjenocidin e ushtruar mbi qytetarët e Reçakut, ishte njoftuar për së afërmi, Ushtaraku dhe ish-Ambasadori Amerikan William Walker.  “Nuk duhet guxim për ta thënë të vërtetën. E tëra që kam bërë unë , ka thënë atë që kam parë. Besoj se Masakra e Reçakut, dhe mendimi im për të ka bërë që të vijë Konferenca e Rambujesë dhe NATO të bombardojë Serbinë”, ka thënë ai në një prezantim televiziv këtyre ditëve sa po qëndron në Kosovë. Mirëpo, Ambasadori Walker, ka shprehur zhgënjimin e tij për gjendjen e krijuar në vend./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat