Partitë që do t'i "dridhë" Gjykata Speciale!

Aktuale

Partitë që do t'i "dridhë" Gjykata Speciale!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 janar 2017 Në ora: 13:04
Selia e Gjykates Speciale

Gjykata Speciale është një nga temat më të diskutuara që kur filloi të flitej për formimin e saj, më pas me themelimin dhe tani kur pritet të fillojë punën.

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve në vend kanë dhënë versionet e tyre në lidhje me këtë Gjykatë, ku disa janë shprehur pro e disa kundër saj, të tjerë kanë dhënë emra të ndryshëm të cilët do të mund të akuzohen e të tjerë kanë thënë se presion të shohin se çfarë do të bëhet kur të fillojë puna e saj.

Lidhur me këtë, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo Gjykatë ka ardhur si pasojë e paaftësisë së klasës politike.

“Pikë së pari duhet cekur që Gjykata Speciale na erdhi nga paaftësia e kësaj klase politike, e cila në vend se gjykatat ndërkombëtare  për krime lufte t’i mbushin me akuza për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, Serbia nuk fjeti por me akuza të llojllojshme për gjoja krimet e shqiptarëve ndaj serbëve, luajti rolin e viktimës dhe shqiptarët i nxori si agresorë. Sidoqoftë, nuk besoj se Gjykata Speciale do ta destabilizojë Kosovën, sepse qëllimi i kësaj Gjykate nuk është destabilizimi i Kosovës por barazimi i krimeve serbe të kryera ndaj shqiptarëve dhe gjoja krimet e shqiptarëve ndaj serbëve”, ka thënë Islami.

Tutje, ai flet për atë se kush mund të preket më shumë nga kjo Gjykatë.

“Kjo Gjykatë do ta godas gjarprin nga bishti e jo nga koka, prandaj nuk pres që ndonjë subjekt i caktuar politik do të goditet më së shumti edhe pse PDK është përmendur si caku kryesor i kësaj Gjykate, të padrejtë për Kosovën”, është shprehur Islami për Bota sot.

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se nuk pret që Gjykata Speciale ta destabilizojë Kosovën, pasi do të ‘prekë’ persona që kanë qenë të përfshirë në krime lufte.

“Krijimi i të ashtuquajturave 'dhoma të specializuara' vjen pasi Task Forca Hulumtuese Speciale e BE-së në korrik të vitit të kaluar publikoi rezultatet e hetimit të saj mbi akuzat e bëra fillimisht nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili pretendoi se krime kundër civilëve si për shembull rrëmbim, torturim dhe trafikim organesh janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë konfliktit të Kosovës. Kjo Gjykatë nuk do ta destabilizojë situatën në Kosovë sepse shteti i Kosovës dhe vet politika e di mirë se shteti do të funksionojë normal në kohën e veprimit të Gjykatës pa u prekur, pasi ajo do t’i prekë vetëm ata persona që dyshohen se kanë qenë të involvuar në krimet e luftës”, ka thënë Hertica.

Ai shton se shumë vende jo mike e duan destabilizimin e Kosovës me anë të kësaj Gjykate.

“Edhe gjyqi i Hagës ishte një gjyq i rangut më të lart por Kosova nuk u trazua e as me këtë Gjykatë nuk do të ketë trazira e as destabilizim, sepse këtë e duan shumë vende jo mike të Kosovës, si Serbia dhe aleatët e saj së bashku me Dick Marty që mbledh fakte gënjeshtër, që tenton nga miqësia me Serbinë që ta humbin imazhin e dhe luftës së UÇK-së”, ka shtuar ai.

Hertica më tej flet për partitë politike që mund të jenë të prekura nga Gjykata Speciale.

“Të gjitha subjektete politike do të kenë nga një dridhje të pakënaqshme brenda nga kjo Gjykatë sepse në disa parti do të merren edhe bashkëpartiakë, ndaj të cilëve do të fillojë një gjyq për dyshime për vepra të kryera, por partitë nuk duhet të rebelohen dhe të nxjerrin situatën jashtë kontrollit por duhet të vazhdojnë politikën siç e kanë paraparë ata me moton e tyre”, ka deklaruar ai për Bota sot.

Në anën tjetër, profesori Riza Smaka mendon se Gjykata Speciale do të sjellë diskontinuitet për Kosovën.

“Pashmangshëm do të shkaktojë diskontinuitet me institucionet në qoftë se ato do të binin persona të caktuar nën akuzë në masë të konsiderueshme, edhe ashtu e kemi Qeverinë e dobët, tepër të dobët dhe do të shkaktonte diskontinuitete tash kur edhe koalicioni ka mjaft fërkime kur janë në pyetje pozicionet, funksionet e postet, kështu që do të krijohej një gjendje relativisht kaotike. Edhe ashtu pritet rënia e Qeverisë që do të ishte një faktor plotësues për dështimin e saj dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Smaka për agzetën Bota sot.

Sa i përket mundësisë se partive apo personave që mund të hetohen nga Specialja, Smaka thotë se nuk duhet askush të paragjykojë e të ngrit hipoteza.

“Nuk më takon mua as askujt që të hipotezojmë dhe të bëjmë paragjykime sepse fundi fundit këto aktakuza janë hipoteza juridike të rrëzueshme sepse mund të akuzohen por mund të ndodh që aktakuza nuk provohet, nuk argumentohet dhe dështon. Prandaj, sidomos juristëve nuk ju takon të flasim për këtë, por gjithsesi pritet që nga krerët e partive politike se do të jenë goxha persona që do të akuzohen”, ka përfunduar Smaka.

Ndryshe, Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000. Ajo do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat