Policia e Kosovës demanton deklaratat për mjet shpërthyes

Aktuale

Policia e Kosovës demanton deklaratat për mjet shpërthyes

Nga: A.M. Më: 14 janar 2017 Në ora: 21:39
Forcat Speciale të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar për nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Policia e Kosovës demanton fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politik serb dhe mediumet serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS), ka ndërmarr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës.

Referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit, ka pasur deklarime dhe publikime të informacioneve të ndryshme në portalet dhe mediumet serbe, se është vendosur mjet shpërthyes (është minuar hekurudha) në territorin e RKS-se, ku për këtë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saja me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së.

Policia e Kosovës demanton fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politik serb dhe mediumet serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.

PK-ja falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës, që nuk kanë rënë pre e dezinformacioneve të ndryshme lidhur me këtë rast, duke treguar pjekuri dhe maturi qytetare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat