Policia: Veprimet tona në veri ishin konform Kushtetutës

Aktuale

Policia: Veprimet tona në veri ishin konform Kushtetutës

Më: 15 janar 2017 Në ora: 12:09
Policia

(E plotësuar) - Policia e Kosovës ka dhënë detaje për veprimet e djeshme në pikën kufitare Jarinje të Mitrovicës për ndalimin e trenit i cili vinte nga Serbia, si dhe ka mohuar lajmin se janë minuar hekurudhat e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Operativë, Naim Rexha në një konferencë për media, ka thënë se të gjitha veprimet e Policisë kanë qenë Kushtetutës.

Ai bëri të ditur se Policia e Kosovës ka pasur informacione paraprake lidhur me qarkullimin e trenit nga Serbia për në Kosovës dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka.

Rexha: Policia e Kosovës të gjitha veprimet i bënë konform kushtetutës

“Policia e Kosovës është një institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme dhe në rastin konkret për të parandaluar qarkullimin e trenit ilegal për në territorin e republikës së Kosovës. Policia e Kosovës ka pasur informacione paraprake lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës me datë 14.01.2017 dhe për këtë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operacionale policore konform autorizimeve ligjore që ka”, tha ai.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Operativë, Naim Rexha, ka demantuar të gjitha mediat serbe, sipas tij, të cilat kanë publikuar lajme dhe video incizime duke vendosur mjete shpërthyese në hekurudhë.

Rexha: Demantojmë mediat serbe për kinse dëmtim të hekurudhës

 “Me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë së plotë të përgjithshme, Policia e Kosovës me të gjitha njësite e saj relevante policore duke përfshi edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka zhvilluar operacionin policor i cili ka rezultuar me sukses dhe kanë ndërmarrë veprime të saja me qëllim të identifikimit, sqarimit të gjitha rrethanave të cilat e kanë përcjellë aktivitetin e djeshëm. Ne edhe njëherë demantojmë fuqishëm që në asnjë variant kinse qytetarët e Republikës së Kosovës ose zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë ndonjë veprim që ka të bëjë me përgatitjet për ndonjë dëmtim siç është paraqitë nëpër mediumet serbe të hekurudhës është i pavërtetë, është i pabazë, nuk qëndron. Përkundrazi ne kemi zhvilluar një operacion mjaftë kompleks të kontrollimit të gjithë gjatësisë 50 kilometërshe të binarëve të hekurudhës në operacioni n tonë policor”, tha ai.

Rexha bëri të ditur se operacioni i djeshëm është zhvilluar nga efektivat e Policisë së Kosovës.

Rexha: Operacioni i djeshëm është zhvilluar nga efektivat e Policisë

 “Ekskluzivisht operacioni i djeshëm është zhvilluar nga efektivat e Policisë së Kosovës, në rrafshin bashkëpunues të institucioneve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit ne kemi bashkëpunim edhe me EULEX-in edhe me KFOR-in, mirëpo siç e dini si EULEX-i, si KFOR-i, janë të renditur në aspektin strategjik të veprimeve si reaguesi i dytë dhe si reaguesi i tretë, ne jemi përgjegjës për sigurinë e qytetarëve tanë, ne jemi përgjegjës për territorin e Republikës së Kosovës dhe ne përpiqemi maksimalisht ta përmbushim përgjegjësinë tonë. Kjo nuk do të thotë që në rrethana të ndryshme nuk do të bashkëpunojmë edhe operacionalisht me reaguesin e dytë dhe të tretë, por rasti i djeshëm nuk ka qenë i tillë”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur asnjë problem gjatë realizimit të aksionit të djeshëm.

Policia jep detaje për veprimet në Jarinje 

Policia e Kosovës ka kontrolluar të gjithë zonën e binarëve në Veri dhe asnjë mjet shpërthyes  nuk është gjetur.

Kështu kanë thënë zyrtarë të Policisë së Kosovës në konferencën e mbajtur sot, ku u raportua në detaje rreth intervenimit të djeshëm që ka të bëjë me veprimet policore të realizuara në pikën kufitare Jarinje të Mitrovicës.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha si dhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, në konferencën e mbajtur konfirmuan se janë krejtësisht të pavërteta raportimet e mediave serbe se është përgatitur sulm terrorist dhe se ka mjete shpërthyese në binarët ku do të kalonte treni i nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.

Policia e Kosovës poashtu ka bërë të ditur që nuk ka pasur asnjë incident të mundshëm gjatë operacionit të djeshëm derisa pohuan se të gjitha veprimet policore të realizuara janë bërë vetëm nga policia dhe jo nga ndihma e KFOR apo Eulex.

‘’Kemi bashkëpunim me KFOR dhe EULEX, por ata janë reaguesit e dytë dhe të tretë, por që në rastin e djeshëm nuk qe e nevojshme ndërhyrja e tyre, të gjitha operacionet i ka realizuar Policia e Kosovës me njësitet e saj relevante’’.

Poashtu në përfundim Policia e Kosovës ka siguruar të gjithë qytetarët e saj se gjendja në mbarë vendin është stabile

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat