“Paralajmërimi qesharak” i Kurtit për luftën dhe “kërcënimi serioz” i Nikoliqit

Aktuale

“Paralajmërimi qesharak” i Kurtit për luftën dhe “kërcënimi serioz” i Nikoliqit

Më: 15 janar 2017 Në ora: 20:27
Kurti, Thaçi e Nikolic

Kur ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nga Tirana, shtatorin e vitit të kaluar, paralajmëroi se “mund të ketë luftë në mbrojtje të kufirit”, presidenti i vendit Hashim Thaçi e kishte quajtur këtë deklaratë qesharake.

Kurti kishte paralajmëruar luftë duke folur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, teksa kishte folur para shqiptarëve të Shqipërisë.

“Ballkani po rrezikohet prej stuhive të reja, për bindjen time, dhe nëse nuk ndryshon diçka, atëherë, në 4 -5 vitet e ardhshme, më shumë ka gjasa që të ketë luftë, sesa që të mos ketë luftë. Nuk po them që do të ketë luftë, mirëpo nëse nuk ndryshohet diçka, nëse nuk fuqizohemi e organizohemi, nëse nuk i zmbrapsim këto apetite, atëherë dobësia jonë do të shndërrohet në një magnet për apetitet e shtuara të të tjerëve, dhe asisoj ne rrezikojmë që edhe një herë të ndodhemi para konflikteve të përgjakshme”, kishte thënë Kurti.

Thaçi një ditë më vonë kishte thënë se “zëra të tillë të vetmuar që kanë humbur arsyen ka edhe në Kosovë”.

“Prandaj konsideroj se pretendimet dhe thirrjet e tyre për luftë dhe konflikt aq sa janë qesharake, absurde, ato janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, kishte thënë Thaçi.

Ai madje kishte ftuar qytetarët e Kosovës që “mos të bien pre e deklaratave dhe thirrjeve të tilla luftë nxitëse”.

“Kosova ka institucionet e veta shtetërore që së bashku me NATO-n kujdesen për lirinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës”,shkruan insajderi, kishte thënë Thaçi, shtatorin e vitit të kalaur.

Por katër muaj më vonë, një kërcënim për luftë në Kosovë ka ardhur nga vet presidenti serb, Tomisllav Nikoliq.

Nikoliq, pengimin e trenit rus për të hyrë në Kosovë e ka cilësuar si provokim për të nxitur luftë nga ana e Prishtinës, dhe ka kërcënuar se nëse edhe një herë ndodhë kështu, Kosova do ta pësojë keq.

Presidenti Thaçi e mori seriozisht këtë kërcënim.

Tha se kërcënimet e Serbisë se janë të gatshëm për luftë dhe për të dërguar forcat ushtarake në Kosovë, flasin qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta.

“Këto kërcënime për luftë janë të papranueshme, në kundërshtim me dialogun për normalizim të marrëdhënieve dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar presidenti në Facebook.

Përkundër kësaj gjuhe që Thaci e quajti “të vjetër kërcënuese dhe provokuese “ që vjen nga Serbia, ai bëri thirrje që të vazhdohet me “rrugën e deritashme të dialogut, bashkëpunimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve”.

Në fund bëri thirrje që të së Serbia dhe Kosova duhet të punojnë së bashku për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat