“Të zbulohet se pse treni serb deshi të futej në Kosovë (kur 'e dinte' se s'do të futej)”

Aktuale

“Të zbulohet se pse treni serb deshi të futej në Kosovë (kur 'e dinte' se s'do të futej)”

Nga: P.R Më: 15 janar 2017 Në ora: 23:15
Treni serb

Publicistja Kimete Berisha, përmes një postimi në facebook ka komentuar situatën e krijuar se fundi në Kosovë, ku Serbia tentoi trenin me simbole provokuese serbe ta fus brenda territorit të Kosovës.

“Pasi i lexova të gjitha komentet, analizat dhe sintezat, humoreskat dhe poezitë për trenin, pasi s'lash gjë pa lexuar, i bashkangjitem komentit të Kryeministrit shqiptar, i cili mirë e ka që e përshkruan gjestin serb me trenin fantazmë si "marrëzi", pra kjo është një marrëzi. I pari që e kuptoi rrezikun e trenit fantazmë është Presidenti Hashim Thaçi, i cili urdhëroi të ndalohet treni në Rashkë, dhe vendimit të tij menjëherë iu bashkangjit Kryeministri i Serbisë, i cili e ndaloi trenin në Rashkë!”, shkruan Berisha, përcjellë “Bota sot”.

Ja postimi i saj i plotë:

Duke pritur çka ka për të thënë Edi Rama, u vonova me statusin tim për trenin serb, anipse me trup vazhdimisht kam qenë në Mitrovicë, në gjendje gatishmërie, kuptohet.

Pasi i lexova të gjitha komentet, analizat dhe sintezat, humoreskat dhe poezitë për trenin, pasi s'lash gjë pa lexuar, i bashkangjitem komentit të Kryeministrit shqiptar, i cili mirë e ka që e përshkruan gjestin serb me trenin fantazmë si "marrëzi", pra kjo është një marrëzi.

I pari që e kuptoi rrezikun e trenit fantazmë është Presidenti Hashim Thaçi, i cili urdhëroi të ndalohet treni në Rashkë, dhe vendimit të tij menjëherë iu bashkangjit Kryeministri i Serbisë, i cili e ndaloi trenin në Rashkë!

Presidenti s'ka harruar që kur e ka nënshkruar marrëveshjen me Ivica Daçiçin, është paraparë aty në marrëveshje Autonomia e serbëve brenda Asociacionit të komunave serbe, ku sipas asaj marrëveshje, pra, ata do të jenë të lirë të financohen nga qeveria e Serbisë, dhe do të vendosin vet për "mjetet e transportit" me të cilat do të enden, dhe për çështjet e sigurisë dhe policisë.

Pra, sikur të ishte Asociacioni i komunave serbe, do të këndohej tjetër këngë për trenin.

Serbët e kishin vizatuar trenin e tyre me ikonat e tyre fetare, madje edhe dera e ËC-së së trenit ishte pikturuar me portretet e ikonografisë ortodokse.

Kryeministri ynë, i veshur zi, si pop i pensionuar, i trishtuar sa s'ka, dukej si i arratisur nga treni.

Në tren nuk këndohej Bajaga me "Ruski voz", një këngë me një tekst të bukur (dreqi e marrtë), kur thotë se "Pikëllimi im është më i madh se Rusia", sepse dashurinë time të shkruar në letër dhe të futur në zarf, askush nuk mund ta çojë me tren deri në Rusi, as me fotografinë e Leninit ngjitur në pullë postale.

Ne jemi gjallë. 
Kështu u ndjemë mbrëmë. Të gjallë. U desht të dalim në shesh e të festojmë, pse jo të shkrepim edhe ndonjë rafal lumturie.

Sa herë që Serbia pauzon me provokimet e saj, shqiptarët harrojnë menjëherë se Serbia është armiku numër një i lirisë së shqiptarëve.

Që do të thotë se këto provokime "neve na bëjnë mirë", shkaku se kemi ardhur deri në atë shkallën, ku asgjë në Kosovë nuk ndodh më pa lejen e Serbisë.

U bë e madhe që në tren shkruhej "Kosova është S". 
Për neve, më keq është që në atë autobus laraman shkruhet ajo rren, sesa në Kushtetutën e Serbisë, e cila Kosovën e konsideron pjesë të saj.

"Kosova është S" shkruhet në të gjitha muret e shtëpive të fshatrave me banorë serbë të Lipjanit. Ne kalojmë përditë atyre rrugëve, ku lexojmë në muret e shtëpive serbe fjalët më të mira për Sheshelin dhe për Sllobodan Milloshevicin.

Pra, s'qe puna për t'u habitur aq shumë me atoo mbishkrime të neverisë mbi trenin e Beogradit, kur këto mbishkrime i kemi midis midisit të Kosovës, dhe askujt nuk i pengojnë, se sikur t'u pengonin shqiptarëve, do t'i mbulonin me bojë.

Derisa të zbulohet se pse treni serb deshi të futej në Kosovë (kur 'e dinte' se s'do të futej), në Kosovë hyjnë e dalin përditë këmbë, me vetura, me autobusë e me bicikleta, paramilitarë, policë, kriminelët më të mëdhenj serbë. Kriminelët serbë janë këtu, brenda Republikës së Kosovës, me apo pa tren.

Treni është vetëm një anektodë. Sikur të mos ishte një anektodë, nuk do të bëhej objekt qesharak.

Dua të them "Prosao voz kroz kukuruz", atëherë kur u nënshkrua marrëveshja mes H.Th. dhe I.D. për Asociacionin, përkatësisht për Autonominë e serbëve në Veriun e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat