Flet kryetari për kidnapimin e djalit, si po kërcënohet e çfarë po bën për ta gjetur atë

Aktuale

Flet kryetari për kidnapimin e djalit, si po kërcënohet e çfarë po bën për ta gjetur atë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 janar 2017 Në ora: 11:45
Shkelzim Murtezi me djalin

Kryetari i Asociacionit për mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës, Shkelzim Murtezi ka një vit që nuk di për vendndodhjen e djalit të tij.

Ai ka rrëfyer për gazetën “Bota sot” gjithë procedurën që nga fillimi për gjetjen e djalit të tij, sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe betejën që po vazhdon ende edhe pas 1 viti, për të gjetur djalin e tij.

“Nga data 03 Janari 2016 për mua vendndodhja e saktë e fëmijës është e panjohur, pasi që kam qenë duke pritur caktimin e seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e besimit të fëmijës sipas padisë, duhet theksuar së nga kjo datë në vazhdimësi kam qenë viktimë e tentimeve për komplote të ndryshme nga persona të cilët abuzonin me lidhjet e tyre në organet shtetërore për të tentuar komplote ndaj meje, mirëpo të njëjtit iu kam përgjigjur jo si ata duke abuzuar me lidhjet dhe ndikimin e tyre në organet e drejtësisë por kam ndjekur me disiplinë të lartë procedurat ligjore ndaj tyre  dhe ndaj çdo shkelje, pasi që nuk e kam parim të veproj në mënyra të tilla ulëta dhe të kundërligjshëm, edhe pse kjo çështje ishte mjaft e rëndë për mua si prind, kur kemi parasysh faktin që duhet të përballesh me një sistem të korruptuar që abuzon me të drejtat e të birit tënd ndërsa unë nuk kam reaguar në vetëgjyqësi si të tjerët por jam përmbajtur në mënyrë strikte me gjakftohtësi procedurave ligjore”, ka thënë Murtezi ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”.

Ai tregon se fillimisht kishte menduar se djali i tij ishte i regjistruar me mbiemrin e tij, duke e bërë atë baba legjitim, por e kundërta ka dalë kur ka provuar të nxjerrë certifikatë të fëmijës.

“Komploti i parë filloi me regjistrimin e të birit tim pa të dhënat e mia si prind, në certifikatën e tij të lindjes. Duhet theksuar së, deri në momentin e ngritjes së padisë në muajin mars 2016 për caktimin e besimit të fëmijës, nuk kam pasur dijeni që i biri im është regjistruar kundërligjshëm pa të dhënat e babait (të dhënat e mia) nga Ofiqaria e Prishtinës, konkretisht nga udhëheqësi i departamentit përkatës Fehmi Kupina, pra Komuna e Prishtinës ka shkelur rëndë të drejtat e fëmijës duke e lënë të regjistruar pa Babë një foshnje dhe konkretisht një shtetas i ri i Kosovës, edhe pse kjo bien në kundërshtim të plotë me nenin 147 paragrafi 2 të ligjit për familje pasi që zyrtarët e ofiqarisë e kanë pasur për obligim të domosdoshëm të lajmërojnë Organin e kujdestarisë kur gjatë regjistrimit të fëmijëve nuk dihet njëri ose të dy prindërit, por ketë veprim nuk e kanë ndërmarr”, ka shtuar tutje Murtezi.

Ai tregon se nëna e fëmijës thotë se djali ka qenë i regjistruar në emër dhe mbiemër të Shkelzim Murtezi, gjë që e tregojnë edhe dokumentet tjera.

Image
Image
Image

“Pra kjo nënkupton së nga momenti i lindjes së fëmijës me datë 11.09.2015 deri me datë 04.03.2016, kam qenë duke menduar që fëmija është i regjistruar me emër Ilirian Murtezi mirëpo kur kam tentuar që të nxjerri një çertifikatë të lindjes në QKUK më është thënë së fëmija nuk është i regjistruar si më lart por me mbiemër të nënës së tij, pastaj me kanë thënë së unë nuk mund ta nxjerri çertifikatën e lindjes pasi që nuk jam babai i fëmijës duke ju referuar faktit që fëmija është regjistruar pa atësi”, vazhdon tutje.

Tutje, kryetari Murtezi tregon se si gjyqtarët ia kishin fshehur faktin se e dinin se fëmija ishte jashtë vendit.

“Komploti i dytë vazhdojë sidomos nga ana e zyrtarëve të korruptuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë siç është nder tyre zv. Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë i inkriminuari z. Hasim Sogojeva, i cili nxori një vendim të jashtëligjshëm dhe bëri sjellje të pahijshme gjatë zhvillimit të procesit të montuar, madje sipas Ankesës sime Gjykata e Apelit shpalli ankesën time si të “Themelet” dhe vendimin të cilin e kishte nxjerr i lartëpërmenduri, -  Gjykata e Apelit e shpalli si tërësisht të jashtëligjshëm.  Njëherësh ndaj të njëjtit do ngris kallëzim penal për nxjerrjen e vendimit të kundërligjshëm gjyqësor sipas nenit 432 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Poashtu, i njëjti gjyqtar edhe pse kishte kuptuar me datë 21 Maj nga QPS në Gjilan që fëmija është larguar nga vendi, i njëjti nuk lajmëroi fare policinë edhe pse e ka pasur për obligim”, ka deklaruar për ‘Bota sot’ Murtezi.

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, gjyqtari i apostrofuar dhe i akuzuar nga Murtezi, Hasim Sogojeva është shprehur gatshëm për të dhënë detaje rreth çështjes. Ai ka ofruar dokumentacionin me të cilën arsyeton punën e tij dhe mohon akuzat e Murtezi.

Më tej, Murtezi rrëfen se si e kuptoi se fëmija i tij ishte jashtë vendit.

“Në mesin e Qershorit, kam vizituar QPS-në në Prishtinë ku kam kërkuar nga ata shkresat e lëndës në procedurë pasi që me nevojiteshin deklaratat e nënës së të birit tim rreth atësisë, mirëpo të inkriminuarit Inzxhane Halime (Zyrtare përgjegjëse) refuzonte të me jepte shkresat e lëndës dhe raportin edhe pse e ka pasur për obligim, mirëpo e njëjta tentonte që kësisoj me ngulm të fsheh provat siç është deklarata e nënës që me duhej si provë për ta regjistruar të birin tim edhe me emër tim, ngase i biri im kishte mbetur i regjistruar në Komunën e Prishtinës pa atësi. Mirëpo, unë kam vazhduar prapë duke ndjekur me disiplinë rrugën ligjore duke ju drejtuar organit administrativë të shkallës së dytë siç është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nga i cili jam njoftuar që Organi i Kujdestarisë në Prishtina – Dega Bregu i Diellit kishte kuptuar që me 21 Maj për largimin e fëmiut tim, jashtë vendit, por zyrtarja e lartpërmendur nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të lajmëruar policinë ose për të hetuar gjendjen e fëmijës duke bërë kështu veprën penale të parapa me nenin 8 paragrafi 2 të (për Mosveprim), nenit 386 paragrafi 2 (për mos kallëzim të krimit), nenit 208 paragrafi 2 (për cenimin e se drejtës sime për të ushtruar mjetin juridik) dhe sipas nenit 253 (Pengimi dhe mosekzekutimi I masave për mbrojtjen e fëmijëve) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për çka do ngris edhe kallëzim penal ditëve në vazhdim”, ka treguar kryetari i Asociacionit për mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës.

Ai shpjegon tutje se është njoftuar me datë 07.07.2016 me vendimin e Gjykatës së Apelit që fëmija është larguar jashtë vendit dhe procedura është mbyllur, ndërsa edhe Gjykata edhe Organi I kujdestarisë kanë qenë të njoftuar që me datë 21 Maj pra 2 muaj para tij si prind, por nuk kanë ndërmarrë asgjë.

“Mbrojtja e krimit nuk ndalet me kaq, edhe pse kam kërkuar nga QPS Bregu i diellit që të ndërmarrin masa të njëjtit në mënyrë të jashtëligjshëm refuzojnë të merren me ketë rast duke hedhur lëndën në Gjilan, edhe pse QPS Gjilan nuk ka asnjë kompetencë territorial ngase as nëna e fëmijës as fëmija nuk jetojnë në ketë Komunë dhe për ketë QPS Gjilan kishte njoftuar me date 21 Maj. Prandaj, QPS në Prishtinë në asnjë rrethanë nuk ka drejtë të largoj kompetencën nga vete ose të refuzoj të merret me një rast cilin e kishte trajtuar deri me datën 07.07. 2016 para gjykatës në Prishtinë. Ky organ e ka për obligim të domosdoshëm që të vazhdojë të merret me ketë rast deri të sqarohet vendndodhja e fëmiut, mirëpo ketë refuzon ta bëjë”, shpjegon ai tutje.

Image

Më tej rrëfen masat tjera që ka ndërmarrë.

‘Duke parë mos veprimin e QPS-së në Prishtinë dhe duke parë mos caktimin e seancës për padinë time, unë duke analizuar ligjin i jam drejtuar prapë organeve administrative duke kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të me mundësoj të drejtën time për dhënien e deklaratës për njohjen e atësisë sipas nenit 103 paragrafit 1 të ligjit për familje si dhe kam kërkuar që bazuar në deklaratat e nënës të cilat I ka dhënë para Gjykatës në Prishtinë, para Organit të Kujdestarisë dhe organeve të tjera ku këto deklarata janë plotësisht në përputhje  me nenin 104 paragrafit 1 dhe janë të parevokueshme sipas nenit 109 paragrafit 1 të ligjit për familje si dhe bazuar në provat siç është Aktvendimi I Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin obligohem që kujdesëm për të birin tim deri të shqyrtohet padia. Mirëpo në mënyrë tërësisht të jashtëligjshëm me është refuzuar kjo kërkesë nga Komuna e Prishtinës duke me shkelur përsëri të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmiut tim duke e lënë atë pa atësi duke me thënë së nuk e njohin vendimin e gjykatës as deklaratat e nënës dhe duke me thënë së unë nuk jam baba i të birit tim edhe pse ketë nuk e mohon vetë nëna e fëmiut.!!’, shpjegon Murtezi.

Pasi nuk ka gjetur zgjidhje, ai duke qenë banorë i Lipjanit, si i është drejtuar komunës së Lipjanit.

‘Duke parë këto bllokada i jam drejtuar organeve në Komunën e Lipjanit ngase jam banor i përhershëm i kësaj Komune dhe organet në Lipjan janë tërësisht të befasuar me veprimet e organeve në Prishtinë duke i quajtur ato si të jashtëligjshëm, pasi që po të kishte lindur fëmija në Lipjan të njëjtit pa asnjë pengesë do me lejonin dhënien e deklaratës sime sipas nenit 103 paragrafit 1 dhe do kishin regjistruar fëmiun me atësi sipas nenit 103 paragrafit 2, mirëpo pasi që fëmija ka lindur në Prishtinë, korrigjimet mund të bëhen vetëm në Komunën ku ka lindur fëmija.  Pas 10 muaj, me janë shteruar të gjitha mjetet ligjore pasi që edhe pse ligji e thotë në mënyrë të qartë, por organet të lartpërmendur në Prishtinë vazhdojnë bllokimin duke me mohuar që jam i ati I birit tim’, ka deklaruar ai për Bota sot, duke shtuar për paraqitjen në Polici që ka bërë, duke shpresuar se mund të bëhet diçka.

‘Pastaj i jam drejtuar Policisë së Republikës së Kosovës me shpresë që të njëjtit do ta luftojnë krimin dhe do fillojnë hetimin rreth zhdukjes, ku nga Policia kam kërkuar që fëmija të shpallet në kërkim si i zhdukur me INTERPOL – Yellow Notice. Policia fillimisht filloj në mënyrë profesionale dhe serioze që të merret me rastin por me njoftuan që nuk kanë të drejt të  hapin rast penal pasi që ketë ja kishte ndaluar Prokuroria.  Unë menjëherë i jam drejtuar Prokurorisë konkretisht Prokurores së çështjes Nehabate Salihu, por e njëjta me ka refuzuar 4 here në takim edhe pse bëra pastaj edhe kërkesë me shkrim por përsëri nuk me është përgjigjur’, ka thënë ai.

Kryetari Murtezi shprehet tejet i shqetësuar për djalin, pasi nuk e di se çka është bërë me të.

‘Ajo që është shumë shqetësuese është fakti që unë kam lajmëruar një fëmijë të zhdukur, për mu ende nga persona të panjohur, pasi që pa filluar hetimet zyrtare nuk mund të di se çka ka ndodhur me të birin tim, nëse është bërë viktimë i trafikimit ndërkombëtar, ose nëse është kidnapuar nga familjarët e nënës së tij, ose nëse është duke u abuzuar nga persona të tretë dhe në kësi raste do duhej të mobilizohej tërë shteti, Prokuroria, Ministria Drejtësisë, Policia, Gjykata, Interpoli, EULEX-I etj. Për të hetuar me urgjencë dhe 24h së çka ka ndodhur me te, por përkundrazi Prokuroria nuk lejon policinë as që të zhvilloj hetime dhe këtu shihet qartë që Prokuroria në Prishtinë është në duar të krimit dhe janë duke kryer krime anti njerëzore me ketë mosveprim. Sepse një qytetar i thjesht ka mundur të shpall cilin do fëmijë të zhdukur dhe policia e ka për obligim të fillojë hetime e lërë më kur unë personalisht shpalli të birin tim të zhdukur dhe Prokuroria ndalon hapjen e hetimeve dhe që është me absurde refuzon edhe takimin me mua’, ka përfunduar rrëfimin e tij Murtezi.

Ai thotë se ndaj tij janë bërë edhe kërcënime, por mohon të ketë pasur problem me dikë, që të mund të kërcënohet. Murtezi thotë se do të vazhdojë sipas ligjit që të zgjidhë këtë çështje dhe të gjejë djalin e tij dhe që të përfundojnë mbrapa grilave të gjithë zyrtarët të korruptuar si dhe kidnapuesit dhe ndihmësit e tyre./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat