Veseli: Presim që shpejt ta transformojmë FSK-në dhe ta kalojmë demarkacionin

Aktuale

Veseli: Presim që shpejt ta transformojmë FSK-në dhe ta kalojmë demarkacionin

Më: 16 janar 2017 Në ora: 12:23
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se çështja e trenit serb nuk duhet të politizohet.

“Treni ka qenë provokim artificial i Beogradit. Kemi punë më të mençura sesa të bëhen provokime të tilla. Qytetarët duhet të kenë besim te institucionet dhe sovraniteti. Nuk do të lejojmë asnjë provokim. Nuk ka nevojë për trena me vizatime, por trena për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka thënë Veseli para gazetarëve.

“Falënderoj presidentin, kryeministrin për koordinim në këtë rast, por më së shumti punonjësit e shtetit që pa asnjë provokim dhe inat kanë treguar se Kosova është shtet”.

“Kosova nuk ka asnjë varshmëri nga politika e Serbisë. Dëshirojmë që Lista Serbe të kthehet sa më shpejt në Kuvend”, ka thënë Veseli.

“Shumë shpejt presim ta transformojmë FSK dhe ta kalojmë demarkacionin”.

“Demarkacioni e ka dëmtuar fuqinë politike të Kosovës dhe sovranitetin tonë. Duhet të përcaktojmë kufijtë dhe sovranitetin tonë. Kemi interes që pasi ta shënojmë kufirin me Malin e Zi të nisim të përcaktojmë edhe kufirin me Serbinë. Jemi duke e dëmtuar vetveten me demarkacionin”, ka shtuar Veseli.

“Demarkacioni po shndërrohet në favor për Serbinë në arenën ndërkombëtare, si pafuqi e jona për të ecur përpara”.

Në fund Veseli ka apeluar drejt qytetarëve të ta duan dhe të besojnë më shumë në shtetin e Kosovës.

“Ky shtet do të ekzistojë për jetë dhe nuk ka kush që e cenon”, ka përfunduar Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat