Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili ka thënë për Reuters se Serbia po tenton ta aneksojë veriun e Kosovës, si Rusia Krimenë.
Berisha ka shtruar pyetjen se a për këtë bëri gjithë ato lëshime ekipi negociator i Kosovës, dhe së dyti në konfliktin eventual, a do të përfshihen vetëm qeveritarët që morën vendime krye në vete apo të gjithë ne.
“Thaçi për Reuters: Serbia po tenton ta aneksojë veriun e Kosovës, si Rusia Krimenë
Pyetje: E çka tash me deklaratën tënde të vitit 2014, për marrëveshjen - të cilën e vlerësove historike?
Përpjekjet, të themi ashtu edhe dashamirëse, që në procesin e normalizimit të raporteve Serbi-Kosovë, të mirret model i pajtimit franko-gjerman, ka qenë jo vetëm i pasaktë por në gjykimin tim edhe naiv.
Ndonëse presidenti e ministri i jashtëm z. Thaçi e z. Hoxhaj janë historian, ata sikurse nuk kanë kuptuar asgjë nga historia evropiane, historia e popullit francez e gjerman, dhe hiç asgjë nga historia e shqiptarëve dhe serbëve.
Konstatime e tyre, prej vitit 2013 e deri me tani, se Kosova nga marrëveshjet me Serbinë do të mundësohet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, është duke rezultuar, siç i tha Thaçi Reutersit, në qëllimin e Serbisë që sipas modelit të Krimesë, të anëksoj pjesën veriore të Kosovës.
Konstatimet e z. Thaçi në vitin 2014 se marrëveshjet me Serbinë janë historike, ishin politikisht të papërgjeshme ndërsa optimizmi i tij se kjo do të sjellë pajtimin, një naivitet i palejueshëm i një historiani.
Ankesat e tij, sidomos vitin e kaluar, se opozita nuk përfill thirrjet e qeverisë për përfshirje në dialog, jo vetëm që nuk ishin korrekte, ngase nuk u krijua një ekip i përbashkët, por nuk u morën parasysh kërkesat tona për kujdes në bisedime.
Tash, kur vet Thaçi i thotë Reuters-it se Serbia ka plane aneksimi, pyetjet logjike që shtrohen janë: a për këtë bëri gjithë ato lëshime ekipi negociator i Kosovës, dhe së dyti në konfliktin eventual, a do të përfshihen vetëm qeveritarët që morën vendime krye në vete apo të gjithë ne?!”, ka shkruar Berisha në Facebook./BS