Miliona të harxhuara, me njohje të dështuara

Aktuale

Miliona të harxhuara, me njohje të dështuara

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 17 janar 2017 Në ora: 14:03
Hashim Thaçi dhe Enver Hoxhaj

Në kontratën e publikuar më 5 prill të vitit 2016 në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhet se  Ministria e Jashtme procedon bileta për zyrtarët e MPJ-së si dhe për stafin Diplomatik dhe Konsullor të RKS-së në vendet ku gjinden misionet e RKS-së në vajtje dhe ardhje në relacionet e kërkuara. Kështu, në marrëveshje thuhet se, për 36 muaj, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të shpenzonin rreth 1 milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë e 560 euro. 

Zyrtarisht, ashtu siç deklarohet dhe në faqen  e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Republika e Kosovës ka siguruar 113 njohje. Gjithnjë sipas MPJ –së, në këtë mënyrë është arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën. “Përkushtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për të përfunduar procesin e njohjeve ndërkombëtare duhet të përqendrohet në një komunikim diplomatik me shtetet e mëdha që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si brenda Evropës po ashtu edhe përtej saj”, thuhet ndër të tjera në sajtin zyrtarë të MPJ-së.

Mirëpo, numri prej 113 njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, po konsiderohet si dështim i Ministrisë së Punëve të Jashtme.   Politologu Albinot Maloku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se për ngecjen e Kosovës në rrafshin diplomatik, faturën duhet ta paguaj Ministri Enver Hoxha.   “Republika e Kosovës në rrafshin diplomatik ka pësuar shumë ngecje e të cilat përfshijnë rënien enorme të numrit të njohjeve, dështimeve në anëtarësimin e vendit në disa organizata e mekanizma ndërkombëtar, dhe për këto ngecje faturën do të duhej ta paguante ministri Enver Hoxhaj”, ka thënë Maloku .  Po ashtu, ai ka theksuar se edhe shpenzimet për udhëtime janë bërë për konferenca që nuk kanë të bëjnë me diplomacinë e Kosovës.  “Shpenzimet për udhëtime, e sidomos për konferenca gjoja të ambasadorëve, e ku promovohen libra që hiç  nuk kanë të bëjnë me diplomacinë e Kosovës, kanë qenë po ashtu të mëdha. Gjithsesi, të gjitha këto të janë të keqpërdorura nga Enver Hoxhaj për ta promovuar punën e tij prej diplomati”, është shprehur ai.  Maloku ka potencuar se, Diplomacia e Kosovës në asnjë sektor nuk po dëshmohet paraprijëse e proceseve politike të vendit.   “Ministri në çdo rast e ka gojën plotë strategji e diplomaci, herë e butë e herë e fortë, por konkretisht diplomacie e Republikës së Kosovës nuk është as me strategji e as pro-aktive”, ka nënvizuar ai.

Stopohet procesi i njohjeve

Ndërsa, analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se ka pasur një ngecje në procesin e njohjeve, sidomos gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte ministër i Jashtëm. “Për njohjet e reja duhet punuar në mënyrë sistematike. Zyrtarët shtetërorë të Kosovës kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që numri i njohjeve të rritet. Pavarësisht paralajmërimeve për më shumë njohje, kjo nuk ka ndodhur, andaj nevojitet një qasje proaktive në mënyrë që Kosova të njihet edhe nga shtete të tjera”, është shprehur ai.Ndërkaq, për analistin Zudi Xhelili, Kosova nuk e gëzon përkrahjen diplomatike që kishte në vitet e para të formimit të saj si shtet. “Nëse Kosova vite me radhe ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si shtet i ri, duke pasur një përkrahje shumë të madhe nga shumë shtete të botës. Sot Kosova nuk mund të themi që ende e gëzon këtë përkrahje. Në këtë drejtim edhe vërejtjet e opozitës kanë të bëjnë me "Me përpjekjet e pa suksesshme",  MPJ edhe pse rregullisht bëjnë vizita zyrtare, përsëri nuk kemi njohje të mjaftueshme”, ka thënë ai. Kështu, sipas Xhelilit, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk kane arritur të fitojne simpatinë e lobuesve eventual që janë faktor për momentin.  “Jam i mendimit që Kosova shfrytëzoj miqësitë që i krijoi presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova. Meqenëse mbështetësit e Kosovës si; Bill Klinton, Medelin Olbrajt, Toni Bler,Vesli Klark e shumë tjerë nuk janë më aktiv në skenën politike, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk kane arritur të fitojnë simpatinë e lobuesve eventual që janë faktor për momentin”, ka potencuar ai.

Përgjegjësitë e dyshes Thaci -Hoxhaj

Edhe , njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se për ngecjen në diplomaci ka përgjegjësi ish-Ministri tani Presidenti Hashim Thaçi, i cili nuk ishte aktiv në këtë aspekt pasi preokupohej me zgjedhjen në postin e Presidentit.   “Ajo çka është shumë evidente është aspekti i shtimit të numrit të njohjeve i cili nuk ka ndodhur. Ne nuk mund të presim që të ketë numër më të madh të njohjeve ashtu si ka pasur në vitet e para, por megjithatë unë mendoj se diplomacia duhet të jetë në njëfarë forme edhe më aktive. Ndoshta kjo është edhe si rrjedhojë e asaj dihet që ai që ka qenë i ngarkuar me punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk ka qenë shumë aktiv , pasi si qëllim e ka pasur marrjen e postit të Presidentit”, ka thënë ai.  Megjithëse me ministrin Hoxhaj, shihet një aktivizim shumë më i madh, sipas Ujkanit, prapë se prap kjo nuk është e mjaftueshme dhe duhet të bëhet edhe më shumë jo vetëm për njohjet por edhe për anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare.  “Mendoj se Kosova duhet të synoj që ta forcojë sovranitetin e saj gjithandej globit, natyrisht duke synuar edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare duke përfshirë edhe Interpolin që është temë aktuale, por edhe shumë mekanizma të tjerë. Pra duhet t`i synojë këto mekanizma që të bëhet pjesë e tyre”, ka potencuar ai. Ndryshe, shteti i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës është Suriname, shtet në Amerikën Jugore, me popullsi  prej më shumë se gjysmë milioni banorësh. Kjo njohje erdhi më 22 korrik të vitit 2016.

Milionat e harxhuara në udhëtime

Më 1 prill të vitit 2016 Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, kishte nënshkruar një kontratë me Kompanitë Altavia Travel” shpk & “As Travel Club” shpk,  për shërbime të udhëtimit me aeroplan  për nevojat  e zyrtarëve të saj. Kështu thuhet në kontratën e publikuar më 5 pril l të vitit 2016 në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.   Sipas kësaj Kontrate, Ministria e Jashtme procedon bileta për zyrtarët e MPJ-së si dhe për stafin Diplomatik dhe Konsullor të RKS-së në vendet ku gjinden misionet e RKS-së në vajtje dhe ardhje në relacionet e kërkuara. Kështu, në marrëveshje thuhet se, për 36 muaj, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të shpenzonin rreth 1 milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë e 560 euro.  “Ministria e jashtme procedon biletat ne klasën ekonomi per te gjithë stafin e MPJ-se dhe Misionet Diplomatike dhe Konsullore me përjashtim Ministri, procedimi i biletës neë bisznes klas , e cila është e lejuar me legjislacioni ne fuqi.  Relacionet e kërkuara për bileta janë si p.sh:Prishtinë-Vjenë dhe anasjelltas, Prishtinë-Berlin dhe anasjelltas, Prishtinë-Bruksel dhe anasjelltas, Prishtinë-Zagreb dhe anasjelltas, Prishtinë, Ljublanë dhe anasjelltas,Prishtinë-Cyrih dhe anasjelltas, Prishtinë-Gjenevë dhe anasjelltas, Prishtinë-Frankfurt, Minhen, Shtutgard dhe anasjelltas, Prishtinë –Ankara, Stamboll dhe anasjelltas, Prishtinë-Stokholm dhe anasjelltas, Prishtinë-Londër dhe anasjelltas, Prishtinë-Tokio dhe anasjelltas, Prishtinë-Riad dhe anasjelltas, Prishtinë-Nju Jork dhe Uashington dhe anasjelltas, Prishtinë-Panama dhe  dhe anasjelltas, Prishtinë-Canberra dhe anasjelltas, Prishtinë-Otave dhe anasjelltas, Prishtinë-Hage dhe anasjelltas, Prishtinë-Pragë dhe anasjelltas, Prishtinë-Romë, Milano dhe anasjelltas, Prishtinë-Budapest dhe anasjelltas, Prishtinë-Paris, Strasburg dhe anasjelltas . Vlera e parashikuar vjetore është rreth 500,000.00 euro”, thuhet ndër të tjera në kërë kontratë.  Por, këto udhëtime nuk ishin produktive sa i përket numrit të njohjeve të arritura të Kosovës. Përfaqësuesit politik opozitar janë shprehur skeptik në numrin e njohjeve, ndërkohë që shpenzimet për udhëtime zyrtare nga ana e zyrtareve te MPJ-se janë të konsiderueshme. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme duket se është e kënaqur me faktin se numri i njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ka kaluar shifrën 100.  Të paktën kështu lihet të kuptohet në faqen zyrtare të kësaj Ministrie./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat